Revista Who
TEST
Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

NË KOPERTINË / Miriam Cani, në një rrëfim për mëmësinë, muzikën dhe festat e fundvitit

Nga revistawho.com / Fotot: Eugenio Qose / Hair & Make Up: Lili Ismaili / Styling: Miranda Dupi

Ndonëse është kënga më e vëçantë që ka interpretuar, për Miriam Canin, “Dhurata” ka qenë edhe më e vështira e kënduar ndonjëherë. Sepse pas çdo fjale vinte një lot dashurie, një ndjesi hyjnore që vetëm një prind mund ta kuptojë. Tingujt, të cilët Ameli ishte mësuar t’i dëgjonte që kur ishte në barkun e mamit të vet, tani kishin vargje të ndjera dhe vinin si “Dhuratë” për të gjithë. Por tanimë, Miriami e ka kaluar atë moment. Edhe pse ndjesia është po ajo sa herë e dëgjon, këngëtarja i është rikthyer seriozisht projekteve muzikore. Shumë shpejt do ta shohim në ekran, në një projekt të madh muzikor që sërish ka lidhje më fëmijët; po punon me këngë të reja; po shijon në maksimum familjen dhe… festat. Ku do të festojë familja e saj këtë vit? Miriam Cani tregon gjithçka për “revistawho.com”

Miriam mund të themi që je rikthyer me plot të reja tashmë… A i përmbushi pritshmëritë publiku yt pas kësaj mungese të gjatë dhe një dedikimi aq të bukur sa ç’ishte kënga dedikuar Amelisë?

Gjithçka erdhi në kohën e duhur dhe për këtë jam shumë e lumtur. Më shume se sa plane konkrete kohore gjërat erdhën shumë natyrshëm dhe u lidhën në mënyre perfekte. Dashuria që publiku më kthen është bekim për mua. I jam mirënjohëse pafund.

A ishte e planifikuar kështu apo ky ishte një projekt i lindur rastësisht? Pra ishte në plan që kur Ameli të mbushte 2 vjeçe do i ktheheshe muzikës apo e ndjeve që ky ishte momenti dhe kaq?

Gjërat erdhën shumë natyrshëm. Viti i parë ishte 365 ditë i dedikuar Amelisë. E kam shijuar atë vit më shumë se gjithçka tjetër. Edhe pse ishte një periudhë shumë e lodhshme, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht, pasi unë kam qenë shumicën e kohës vetëm në atë periudhë, mund të them se pavarësisht këtyre, e kam shijuar dhe shkëmbyer dashuri pafund me Amelinë.

Të bëhesh nënë për mua nuk do të thotë të sjellësh thjesht një fëmijë në jetë dhe të vazhdosh më pas menjëherë rutinën tënde të përditshme. Gjithçka ndryshon dhe për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshme. Fëmija do kohën dhe dedikimin e vet. Askush përveç nënës nuk mund t’i japë fëmijës atë që kërkon. Të paktën në 12 muajt e parë ku gjithçka është shumë delikate.

Një fëmijë arti është gjithmonë me fat dhe jo vetëm sepse rritet mes artit. Ameli ka një këngë dedikuar nga prindërit e vet e ndoshta do të ketë edhe shumë të tjera… Çfarë ndjesish ke provuar gjatë realizimit të kësaj kënge? A kishte diçka ndryshe?

Padyshim që është totalisht diçka tjetër. Këtu realisht çdo fjalë buron nga shpirti. Në fillim e kam pasur të pamundur ta këndoj këngën, sepse më mbusheshin vazhdimisht sytë me lot. Është diçka hyjnore, të cilën çdo prind e kupton. Tingujt e kësaj kënge kanë lindur kur Ameli ishte ende në barkun e mamit (buzëqesh). Albani e kompozoi dhe ia këndonte Amelisë vazhdimisht me kitarë. Ndjeja gjithmonë lëvizjet e saj dhe ishte diçka shumë magjike.

Më pas vendosëm që këtyre tingujve t’i japim jetë midis fjalëve dedikuar Amelisë pasi kjo këngë vetëm ashtu mund të merrte kuptim për ne. Pra gjithçka u lidh në mënyrë perfekte dhe është më e vërtetë se gjithçka tjetër që kemi bërë deri më sot.

Ky është bashkëpunimi i tretë me Albanin apo jo? Të dy të impenjuar artistikisht për bijën tuaj kësaj here… Më i lehtë apo më i vështirë ishte ky bashkëpunimi i fundit?

Më i vështirë, por edhe më i bukur. I vështirë sepse çdo fjalë, edhe pse e thjeshtë në këtë tekst, ka një peshë të madhe brenda saj. Ndaj kërkesat tona këtë herë kanë qenë shumë të larta në realizimin e saj. Dëshira jonë në këtë projekt ka qenë që të jemi sa më të vërtetë dhe sa më vetevetja, ashtu siç kënga e meriton. Donim të ishim sa më afër publikut dhe çdokujt që e ka provuar këtë ndjesi. Sepse në fund shumë pak rëndësi ka se kush je apo çfarë bën në jetë. Kur bëhet fjalë për disa gjëra, aty jemi të gjithë njëlloj.

Bashkëpunëtorët e tjerë të këtij projekti, besoj duhet të jenë ndjerë përballë përgjegjësisë që gjithçka duhet të ishte perfekte apo jo?

Të gjithë kanë punuar me shumë dashuri në këtë projekt dhe gjithçka që punohet me pasion e ka rezultatin e duhur.

A mund të themi që tani Miriami është kthyer me kohë të plotë të muzikë?

Jeta ime artistike është ndërthurur ashtu siç duhet me atë private. Ameli dhe familja ka dhe do këtë gjithmonë prioritet në jetën time. Të gjithë kohën tjetër unë do t’ia dedikoj profesionit: muzikës dhe televizionit. Unë mendoj se balanca është sekreti i lumturisë në jetë.

Sa e ke ndjerë mungesën e impenjimeve artistike gjatë kohës që mëmësia ishte prioriteti yt? 

Nuk e kam ndjerë aspak sepse kam qenë me zemër e shpirt e dedikuar familjes. Diçka që më kishte munguar për rreth 13 vjet pasi nuk isha ndalur në asnjë moment profesionalisht. Lodhja ka qenë e dyfishtë pasi jeta ime ka qenë gjithmonë midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Erdhi një moment që dëshira për t’u shkëputur dhe për t’i dedikuar kohë vetes dhe jetës private ishte shumë organike. Ameli pastaj është një fëmijë engjëllor dhe më ka dhënë aq shumë dashuri sa nuk e kam ndjerë fare kohën që ka kaluar. Ende nuk më besohet që ajo tashmë është 2 vjeçe.

Dy projekte brenda një kohë shumë të shkurtër, është shenjë e mallit tënd për muzikën, apo kështu ndodhi? 

Në fakt nuk duhet të kishte ndodhur kështu (buzëqesh). “Meteor” duhet të ishte publikuar që në shtator dhe në nëntor “Dhurata”. Por projekti “Meteor” nisi si diçka më e thjeshtë dhe u zhvillua artistikisht në përmasa më të mëdha për t’u realizuar dhe kërkoi më shumë kohë. Ishte diçka më eksperimentale ndaj e trajtuam dhe kuruam me shumë kujdes dhe me kohën që kërkonte pa i vënë vetes limite kohore.

Pas dedikimit për vajzën dhe “Meteorit” a do të këtë së shpejti një tjetër projekt muzikor?

Patjetër që po. Nuk mund të them konkretisht se kur, por jam duke punuar mbi materiale të reja muzikore. Viti 2018 do jetë një vit plot surpriza të bukura (buzëqesh).

Do të të shohim sërish me një projekt ndërkombëtar?

Unë mundohem të ruaj sado pak raportet e mia që kam profesionalisht në Gjermani. Edhe pse është e vështirë pasi shumicën e kohës ndodhem në Shqipëri. Këngët e mia vazhdoj t’i realizoj me producentët me të cilët kam vite që punoj. Gjithmonë kam dashur të investoj në cilësinë e audios. Kjo është diçka që mbetet përgjithmonë. Është e rëndësishme për mua që të ruaj një standard që kam nisur që në kohen e grupit “Preluders”, të paktën sa i përket produksioneve të këngëve. Të gjitha të tjerat më pas janë çështje kohe.

I ruan kontaktet me vajzat e “Preluders”? E vazhdojnë ato muzikën? Ç’thonë për ty dhe karrierën tënde? Të bëjnë komente për projektet e reja? 

Herë pas here lidhemi bashkë për të folur mbi të rejat në jetët tona. Ata nuk janë shumë të informuara mbi atë çka ndodh në tregun shqiptar (buzëqesh). Shpesh herë më kërkojnë të jem më shpesh e pranishme në Gjermani dhe unë u them gjithmonë:“Ja së shpejti do vijmë…” (qesh).

Do të jesh pjesë e panelit të “The Voice Kids” që nis prej janarit… Si e sheh veten brenda një formati të tillë?

Është një eksperiencë shumë e bukur që erdhi në momentin e duhur në jetën time. Të punosh me fëmijë është shumë argëtuese dhe emocionuese. Deri tani mund të them që kemi talente të jashtëzakonshme dhe që kanë kaluar të gjitha pritshmëritë e mia. Është një format ku shkëmbehet shumë dashuri sepse fëmijët janë një mrekulli. Të sinqertë, të lumtur dhe me një dëshirë të madhe për t’u kënaqur.

Seti fotografik i Eugenio Qoses, që shoqëron këtë kopertinë, të sjell ndryshe edhe në ‘look’. Do të shohim një Miriam “guximtare” këtë vit në ekran apo do të vijojmë pa shumë ndryshime? 

Unë e kam kaluar fazën “eksperimentale” kur kam qenë ende në kërkim të gjërave të reja (qesh). Ndihem shumë rehat nën lëkurën time dhe nuk jam më për ndryshime drastike në jetën profesionale. Artistikisht do të mundohem të sjell gjëra të reja, por gjithmonë duke u ndjerë mirë me veten dhe duke qenë vetvetja.

Tani Ameli duhet të ndaje mamin e vet edhe me publikun që e do shumë. A e mendon kohën që Ameli do të privohet nga prania jote? Pse mendon se kjo është koha e duhur?

Nuk e kam menduar ende këtë pjesë. Tani jam akoma te faza duke i mësuar Amelisë të flasë pastër e saktë shqip dhe gjermanisht; duke u përkujdesur për ushqimin që Ameli ha; duke e edukuar dhe dhuruar sa më shumë dashuri (buzëqesh). Të gjitha të tjerat do t’i mendojmë kur t’i vijë koha.

Ku do t’i trokisni gotat e festës këtë fundvit ju të tre? 

Do të jemi pranë familjes tonë.

Sa të lidhur jeni me festat, si i përjetoni tani që jeni prindër? A merr Ameli shumë dhurata?

Me festat jemi shumë të lidhur sepse janë ato momente që na bashkojnë me familjen pasi e gjithë koha tjetër e vitit është plot angazhime dhe punë për këdo, ndaj rrallë here bëhemi të gjithë bashkë. Ameli është akoma shumë e vogël. Merr dhurata sa çdo fëmijë tjetër. Nuk dua ta mësoj kurrë Amelinë me gjëra të tepërta. Dhurata që unë i kam blerë për Krishtlindje janë disa libra për fëmijë, pasi Ameli librat i ka shumë qejf. Më shumë se sa të marrim, në këto ditë festash, Ameli dhuron për ata që vërtet kanë nevojë (buzëqesh). / revistawho.com