close
IntervistaNë Kopertinë

NË KOPERTINË/ Florian Agalliu: Në shtator shihemi në “Top Channel”, autorja e programit që do drejtoj është gruaja ime

IMG_1167
Fotot: Ani Barjami | Falenderime për “Te Stela Resort”

Pikërisht në “Top Channel” ne u njohëm me djaloshin pozitiv e tërheqës Florian Agalliu. Në fakt Flori kishte rënë në sy që me rolin tek seriali “Komuna e Parisit”, por publiku i gjerë e përqafoi plotësisht pasi e pa çdo të dielë në ekran. Më tej besojmë se me karrierën e tij njiheni të gjithë, pasi ndër vite punët e aktorit kanë qenë gjithnjë në ekran, si drejtues i suksesshëm i disa formateve. Në këtë intervistë ai na njofton se pas largimit nga “Vizion Plus”, në shtator do të na mirëpresë në një shtëpi të re, në “Top Channel”. Florian Agalliu do të drejtojë përkrah Anjeza Majës, programin e paradites “Në shtëpinë tonë”. Kur e mësuam, menjëherë na lindi kurioziteti të kuptonim se si është për të rikthimi në “Top”, e mbi të gjitha si ndihet që do të ketë “shefe” pikërisht të shoqen. Autore e këtij programi që në gjenezë, është bashkëshortja e Florit, Renisa Shabani. E kemi pyetur për të gjitha këto, që nga propozimi e deri tek kujdesi për të bijën kur të dy të jenë në punë. Nëse ndani të njëjtin kuriozitet me ne, ju ftojmë të lexoni përgjigjet.

Florian je prezantuar me publikun shqiptar si aktor, por shumë pak të kemi parë vitet e fundit në këtë rol. Zgjedhje e jotja apo kështu kanë rastisur punët?

Në fakt unë për aktor kam studiuar por mesa duket tregu paska nevojë për aktorët në televizion më shumë se sa në teatër apo film! Hapat e parë kanë qenë në “Top Channel”, në fillim me serialin “Komuna e parisit” e më pas si prezantues i një rubrike brenda emisionit “E diell”. Kam nostalgji për atë rubrikë! Flisnin meshkujt për femrat ose e kundërta… Dhe pas kësaj daljeje në televizion, pjesa tjetër rrodhi natyrshëm deri në këtë moment që flasim.

Të mungon aktrimi?

Gjatë gjithë këtyre kohëve jam përpjekur që të mos e le pas dore edhe aktrimin, çdo vit kam luajtur në teatër në 2 a 3 premiera. Edhe pse tregu mbetet gjithmonë i vështirë pasi ka shumë aktorë dhe pak prodhim dhe mundësitë për audicione janë të pakta. Megjithatë jam i kënaqur për kaq kohë sa kam punuar. Të paktën kam ushqyer anën shpirtërore timen. Do të vazhdoj të punoj dhe ta dua teatrin si ditën e parë kur kam luajtur!

Po puna në telelvizion sa të pëlqen nga 1-10?

Puna në televizion më pëlqen shumë, nuk kërkon të njëjtin impenjim me aktrimin. Të jep mundësi të njohesh njerëz të rinj çdo ditë dhe asnjëra të mos ngjajë me tjetrën. Pra nuk ekziston rutina, shkatërruesi më i madh i kohës. Meqenëse duhet t’i vë një notë, atëhere po i ve 9 se dhjetën ja vendos vetëm pushimeve (qesh).

Ku po i kalon pushimet e kësaj vere?

Pushimet për këtë verë po i kalojme atje ku shkon gjysma e shqiptarëve, në Turqi. Eshtë mirë, resorte të mëdhenj, çmime të arsyeshme dhe shumë komod për fëmijët. Dhe kjo e fundit është më e rëndësishmja.

Çfarë po të pëlqen e çfarë po të bezdis nga këto pushime?

Po më pëlqen shumë si fillim që po bëjmë 15 ditë të plota, se ka pasur raste që kemi bërë dhe një javë. Por nga ana tjetër kjo ka dhe anët negative… Ushqimi! Bakllava pa hesap! Kam frikë se do të kthehemi me nga 8 kilogramë mbipeshë (qesh).

Po shtatori ku do të të gjejë sivjet?

Pyetja më mire do të ishte, ku do të të gjejë gushti thuaj… Këtë vit më është dhënë mundësia  të ndryshoj ekran!  Do të jem sigurisht brenda profilit tim sa i përket kuzhinës dhe në një format akoma më të madh. Prej shtatorit do të drejtoj bashkë me Anjeza Majën emisionin “Në shtëpinë tonë” në “Top Channel”.

Një program ku autore është bashkëshortja jote… Mirë, jo dhe aq mirë, apo s’e di?

Është e vërtetë, për Renisën ky do të jetë viti i tretë si autore e këtij emisioni. Eshtë një format shumë i ndjekur dhe ka një target grup shumë të madh. Për mua nuk do të jetë hera e parë që do të punojmë bashkë. Kemi punuar dhe herë të tjera bashkë në “Top Channel”. Gjërat i kemi të ndara dhe secili ka pozicionin e vet. Nuk do të pretendoja kurrë të hyja në kompetencat e saja sikundër ajo në të miat. Dhe mendoj që ka për të qenë shumë mirë! Ajo do të kujdeset që në asnjë moment të mos harroje të më flasë për punën…

Si ndodhi kjo? Nga kush të erdhi propozimi, apo të pyeti autorja që në shtëpi?

(qesh) Jo nuk para ndodh kështu… Ne çdo televizion ka një bord drejtues dhe po nuk kalove audicionet dhe miratimin e tyre nuk e fiton punën nga kolltuku i shtëpisë. Vendi për bashkeprezantues me Anjezën ishte vakant, une shpreha dëshirën për t’u bërë pjese dhe pastaj kalova nëpër të gjitha hallkat e detyrueshme për ta fituar atë vend.

Si është për ty të rikthehesh në “Top Channel” pas kaq shumë vitesh?

Emocionuese është! Aty vazhdoj të kem ende miq që kemi punuar dikur. Madje sa herë që kam shkuar gjatë këtyre kohëve, pyetja ka qenë standarde: “Ho me, kur do vish?” Dhe ja ndodh që kthehesh një ditë. Jam i lumtur që rikthehem aty ku e kam nisur por pa harruar njerëzit që kam punuar gjatë gjithë këtyre kohëve, të cilët kanë investuar me vullnet dhe dashuri në figuren time!

Punët me zgjimin herët si i ke?

Po unë jam bërë shumë sportiv së fundmi. Sortiviteti shkon deri aty saqë dhe kur jam pushim zgjohem me zile në mëngjes, se më pëlqen ta kem ditën para. Kështu që nuk besoj se do të kem problem me këtë pjesë.

Besojmë që gjatë kësaj kohe gruaja jote duhet të të ketë folur për kolegët, stafin? Do të bashkohesh me ta me “mendime të gatshme” apo do u japësh një shans për t’i njohur nga e para?

(qesh) Të them të vërtetën i njoh shumë mirë, duke u nisur vetëm nga telefonatat që kam dëgjuar sa herë nëpër shtëpi… Por kjo nuk do të thotë që kam krijuar opinion për mirë apo për keq. Unë kudo ku kam punuar, të gjithë i kam konsideruar miq nga i pari tek i fundit. Besoj se dhe në rastin konkret nuk do të bëjnë përjashtim. Sa kohë kanë punuar me Renisën, unë do u dukem LULE.

Një pjesë e rëndësishme e programit, është kuzhina… Sa komod ndihesh aty pas këtyre përvojave?

Kuzhina për mua tashmë është një tokë e shkelur. Kam përvojën e duhur besoj për ta përballuar një format të përditshëm dhe me shumë informacion rreth saj. Më ka ndihmuar shumë sigurisht edhe “Blind Taste”, emision të cilin e kam drejtuar më përpara.

Si e ke parë nga ekrani programin? Çfarë do të bësh ti më mirë?

Programin përveç se e kam parë, edhe kam jetuar me problematikat dhe temat pasi edhe diskutojmë herë pas here në shtëpi.  Do ishte tepërt nga ana ime të them se ç’do bëja më mirë, por di të them që do të bëj të pamunduren që ta bëj mirë ashtu sikurse përpiqem të bëj në çdo punë që marr përsipër.

Ç’mendon për Anjeza Majën?

Anjeza Maja është vajzë shumë pozitive, një figurë e konsoliduar në televizion dhe mbi të gjitha ka gjetur çelësin për të funksionuar në këtë program. Eshtë bërë një figure e dashur dhe vjen ëmbël përtej ekranit. Shpresoj të më mirëpresë në shtëpinë e saj.

Do të synosh ndonjë spektakël në “Top”?

Spektaklet në “Top” janë kthyer në brand. Nuk mund ta shohësh “The Voice” pa Ledionin por do të isha i lumtur pse jo, që në të ardhmen të më jepej mundësia për të drejtuar një spektakël të ri. Por si fillim të bëjmë mirë këtë që kemi nisur, të tjerat me kismet.

Kush do ta mbajë vajzën tani, që të dy do të keni të njëjtat orare pune?

Kemi tre filipineze në shtëpi që do të kujdesen për të… Nuk di si do t’ia bëjmë por di se si ja kanë bërë prindërit tanë. Kanë sakrifikuar shumë!/ revistawho.com

Tags : Florian Agalliu
loading...