close
IntervistaNë KopertinëVetëm në WHO

NË KOPERTINË/ Erisa Xhixho: Udhëtimi 13-vjeçar në politikë dhe jeta me Enean e Henrin

erisa

Nga revistawho.com / Fotot: Bevis Fusha

Kur vendosa të përfshihesha në politikë isha 17-18 vjeç dhe gjyshja ime më tha se je shumë e vogël, se politika është shumë e egër dhe e ashpër, ndaj unë i kujtova se në moshën time, ajo dhe gjyshi kishin shkuar partizanë”. Erisa Xhixho, kandidate e LSI-së në Fier, vjen në një rrëfim për fëmijërinë, familjen e madhe e familjen e vogël. Nis me gjyshërit, e vjen te Enea e Henri, pa lënë jashtë vëmendjes, një shpjegim për platformën e saj në zgjedhje dhe atë të partisë që përfaqëson.

“Ky vit ka qenë një mrekulli, ka qenë një dhuratë nga Zoti. Ishte dëshira e të dyve të kurorëzonim dashurinë tonë me një fëmijë. Pavarësisht netëve të gjata pa gjumë e sakrificave si çdo nënë, falenderoj Zotin që më solli një bekim aq të madh”, thotë për të birin, që tani ka nisur të ecë, të thërrasë mama e baba dhe di edhe të përqafojë me krahët ende të vegjël.

Është edhe një rrëfim i udhëtimit 13-vjeçar në LSI, prej kohës kur ende gjimnaziste zgjidhte udhën ku është sot, duke prekur edhe postet me larta të pushtetit, siç është detyra e zëvendësministres së Integrimit. E megjithëkëtë, Erisa mbetet e thjeshtë, flet me pasion, i ndrijnë sytë kur flet për të birin dhe argumenton mandej, anullimin e impiantit të plehrave në Fier, problematikën e naftës dhe Marinzës, arsimin profesional, uljen e taksave dhe tatimfitimin me fasha, duke e përkthyer këtë në rritje të punësimit.

Erisa shfaqet siç është, në një përmbledhje vitesh që kanë ndryshuar të tashmen e të ardhmen e saj, kjo edhe falë arsimimit.

-Pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, me studime master në Londër, me titull Doktor Shkencash. Pse je kthyer në Shqipëri?

Që kur kam mbaruar studimet e drejtësisë, kam mbaruar master e kam filluar pedagoge në 2008-ën, dëshira ime për të bërë një master në Londër ishte që të rrisja aftësistë e mia të mësimdhënies, por edhe backgroundin tim akademik. Më shërbeu shumë pasi pashë një tjetër qasje në mësimdhënie, në literaturë, i shërbeu shumë edhe kërkimeve të mia për doktoraturën, por në asnjë moment nuk kam menduar të rrija në Londër, sepse investimi im është këtu. Kam hyrë në politikë që në moshën 18-vjeçare dhe familja ime, të dashurit e mi janë këtu ndaj dëshira ime është për të investuar më të mirën në vendim tim, pasi besoj se ka ende shpresë që ky vend mund të bëhet në aspiratat që ne kërkojmë.

-A të mungon koha e studimeve në Angli? A ndjen ndonjëherë nevojën të ikësh e t’ia nisësh nga e para atje?

Padyshim që e ndjej. Kam shumë nostalgji. Kam kaluar një vit e gjysmë shumë të bukur, me miq të rinj, një përvojë që më ktheu në bankat e shkollës, jam e afeksionuar me librat dhe edukimin. Ndjej padyshim ndonjëherë dëshirën që të rikthehem në ato ditë, por është edhe nostalgjia e të qenit studente. Në vitin 2012 vendosa që të ikja për studime për t’iu rikthyer bankave të shkollës, mbase edhe për t’u shkëputur pak nga rrëmuja e Tiranës, e politikës, si edhe për t’iu kushtuar edukimit pasi besoj që në fund të ditës, ai është arma më e fuqishme për të ndryshuar jetën tonë e për të kontribuar për vendin.

-Më kujtohet ende ajo fotoja jote nuse. Në sfond duket deti…

Ah, shumë romantike. Rishoh fotot, rishoh videon. Pas kualifikimit tim në Londër, unë dhe Enea vendosëm të lidhnim kurorë, pas 7 vitesh lidhje. Padyshim një nga arsyet e kthimit në Shqipëri, do të ishte Enea. Ka qenë një dasmë si në ëndrrat e mia, buzë detit, e qetë, pa shumë zhurmë, me të dashurit e mi më të afërt. Më vjen mirë që nga ajo lidhje më pas do të vinte djali jonë, Henri.

-Prej vitesh ke qenë një zë aktiv i LSI-së. Nga kryetare e LRI-së deri te zëvendësministre Integrimi, ka qenë shumë rrugë. Me se je përballur?

Kam qenë maturante te Petro Nini, përgatitesha për të fituar të drejtën e studimeve në Fakultetin e Drejtësisë, kur u angazhova. Tani që e mendoj janë 12-13 vjet. Është i njëjti pasion dhe e njëta dëshirë për të kontribuar. Isha një nga ata të rinjtë që vendosi të jetonte e të studionte në Shqipëri dhe doja të kontribuoja sa mundesha në politikë dhe te një forum rinor, i cili të ishte aktiv gjatë gjithë kohës e të ndërtonte lidership. Jam shumë krenare që sot LRI ofron lidership, pas 14 vitesh investim të LSI-së dhe të rinisë. Më vjen mirë që sot në listat për kandidatë për deputet kemi shumë të rinj, të cilët e kanë filluar si unë karrierën e tyre politike, shumë te vegjël, e shkallë-shkallë, kanë treguar meritokraci brenda partisë por pa anashkaluar në asnjë moment arsimimin e edukimin që unë e kam primar.

-Monika Kryemadhi, kujtoi kohë më parë se ti ishe gjimnaziste kur shkove në LSI ndërsa sot i tregon rrugën. Si janë marrëdhëniet mes jush?

Monika është nje mikeshë, shumë e mirë, një mbështetëse shumë e madhe për mua edhe në momente të vështira që politika ka, të zhgënjimeve apo të përplasjeve, intrigave. Padyshim, edhe pse ajo sot kandidon në Elbasan e unë në Fier, është aty gjithë kohës, në çdo moment, për të më dhënë suport, e për të më thënë ec përpara se je shumë mirë dhe mos u tundo e mos u demoralizo në asnjë moment. Ajo ka qenë një nga arsyet që unë u përfshiva në politikë në moshën 18-vjeçare. Ka qenë një njohje e jona, e kryesisht e motrës sime me të, që ka qenë e angazhuar në FRESSH. Kjo miqësi është konsoliduar dhe tani ajo është si pjesë e familjes sime.

-Sa dëgjohet zëri i të rinjve në parlament?

Mendoj që me kandidimin dhe futjen në parlament të Kejdi Mehmetajt në 2013-ën, pavarësisht spekticizmit dhe të gjithë agresionit që mori se si një e re mund të përfaqësonte kauzat e rinisë kur ende ishte studente- modeli që ajo solli, në mbrojtje të kauzave duke qenë shumë aktive, duke u ballafaquar edhe me aktorë të vjetër të politikës, solli një gjë shumë të mirë. Solli rritjen e besimit të lidershipit të LSI-së, për të kandiduar më shumë të rinj në politikë e në këshillat bashkiakë. Në atë të Tiranës ne kemi shumë të rinj që kanë shfaqur aftësi të mira në kujdesin ndaj njerëzve, në artikulimin e mbrojtjen e kauzave. Politika në fund të ditës është përfaqësim ndaj kërkohet përfaqësimi i grave dhe vajzave në parlament, për të çuar përpara kauzat e tyre, por duhet edhe përfaqësimi i të rinjve duke qenë se jemi një popullsi me moshë të re. Kemi të rinj të shkëlqyer, të mirarsimuar. LRI sjell një model të të rinjve që kalojnë në karrierë politike që nga anëtari i thjeshtë, duke ecur deri në anëtar kryesie. Përgatiten për vite me radhë ndaj sot kemi mundësi t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë, të rinj të miredukuar me aftësi për t’i përfaqësuar ata denjësisht në parlament.

-Ke thënë se je rritur me vlerat e Luftës Nacionalçlirimtare. Çfarë mesazhi ke marrë prej këtyre vlerave?

Unë vij nga një familje dëshmorësh. Gjyshi im Thoma Xhixho ka qenë Komandant i Akademisë Ushtarake, ka luftuar së bashku me shumë anëtarë të fisit tim në LANÇ dhe gjithmonë është festuar në familjen time “5 Maji” apo 28-29 nëntori. Që kur kam qenë e vogël, mbaj mend vizitat që nderonin ata që dhanë jetën për vendin. Jam rritur me këto vlera, te besimi e patriotizmi, që duhet pasur ndaj vendit e mirënjohja ndaj atyre që kanë dhënë jetën për Shqipërinë e pavarur. Besoj që këto vlera i mbart e këto kanë ndërtuar Erisën e majtë, te kujdesi ndaj njerëzve, te politikat e majta dhe te të rinjtë që në atë moshë, kanë qenë partizanë, ashtu si gjyshërit e mi. Kur vendosa të përfshihesha në politikë isha 17-18 vjeç dhe gjyshja ime më tha se je shumë e vogël, se politika është shumë e egër dhe e ashpër, ndaj unë i kujtova se në moshën time, ata kishin shkuar partizanë. Më vjen mirë e jam krenare për mbiemrin që mbaj, për vlerat që ka familja ime dhe për vlerat e LANÇ, që trashëgohen e që nuk duhen harruar.

-Çfarë e lidh Erisën me Fierin, përveçse po kandidon atje?  

U delegova në Fier në shkurt, për të riorganizuar rininë, gratë e vajzat dhe strukturat. Padyshim që ishte një përvojë e re, ishte një qark që kishte shumë potencial për LRI-në dhe LSI-në, një elektorat i majtë. Me kalimin e kohës kuptova që kam një të përbashkët shumë të madhe: të gjitha familjet fierake, investimin më të madh për fëmijët e tyre e kanë te edukimi. I çojnë nëpër kurse, në shkollat më të mira, e sakrifikojnë çdo gjë për një edukim sa më të mirë që çon në një punësim sa më të mirë nesër. Këtë ka bërë familja ime edhe unë gjithë jetën. Gjithnjë, qoftë nga familja ime, apo lidershipi i LSI-së, nga Mona e z.Meta, më është këshilluar që duke qenë ekselente, a me nota shumë të mira në arsim, ti mund t’i shërbesh, më mirë politikës. E ky është mesazhi im për të gjithë të rinjtë e të rejat: krahas angazhimit politik, mos të harrojnë edukimin e tyre. Kjo është vlera më e madhe që unë ndaj me familjet fierake. Më ka bashkuar shumë me të gjithë ata edhe dëshira ime për të përfaqësuar gratë, vajzat e të rinjtë në mënyrë dinjitoze në parlamentin e pas 25 qershorit, duke sjellë një qasje tjetër ndaj politikës. Është qasja e kujdesit ndaj njerëzve, qasjen e debateve për politikat e zhvillimit të turizmit, bujqësisë për qarkun e Fierit, uljen e taksave dhe nxitjen e punësimit të të rinjve. E këto do jenë debatet e mia në parlamentin e pas 25 qershorit dhe jo më një politikë konfliktuale, me debate boshe që nuk i shërbejnë askujt.

-Një prej problemeve të mëdha në Fier, është çështja e naftës, ndotjes, problemet e Marinzës. Çfarë do bëhet me këta banorë që vuajnë prej vitesh, që u shkatërrohen shtëpitë, tokat e shëndeti?

Padyshim të gjitha koncesionet e dhëna e që kanë sjellë problematika që edhe ju si media i keni pasqyruar, ne mendojmë t’i rivlerësojmë dhe t’i shqyrtojmë, në mënyrë që banorët e atyre zonave të jenë përfituesit më të mëdhenj të asaj pasurie që ka aty. E kemi ndjekur së bashku edhe me grupin tonë parlamentar vazhdimisht atë problemtikë. Padyshim që si deputete e ardhshme, do jem aty për të mbrojtur interesat e qytetarëve, më shumë se sa çdo interes tjetër.

– Këtë vit, një debat i madh shoqëroi anulimin e impiantit të mbetjeve në Qarkun e Fierit, për shkak të rrezikut që paraqiste. A ka gjasë që projekti të rikthehet?

Kemi qenë me një qëndrim të qartë për çështjen si anëtarët tanë në këshillin bashkiak në Fier, si ne si drejtues të qarkut. Ka pasur një shqetësim shumë të madh nga banorët, për mënyrën jo shumë transparente të miratimit të këtij impianti, nuk ka kaluar në konsultim publik, nuk janë sqaruar qytetarët. Kemi qenë për zbatimin e ligjit e nëse ai parashikon konsultim publik dhe sqarim të qytetarëve se cilat janë të mirat dhe problematikat e një impianti të tillë, ajo duhet bërë. Mosinformimi e mungesa e një procedure transparente solli reagim qytetar dhe ne përmes shkresës që i dorëzuam Ministrit të Drejtësisë dhe atij të Mjedisit, kërkuam zbatim të ligjit. Do të jemi në krah të qytetarëve  në mënyrë që të jenë të qetë për çdo investim që ndodh në qarkun e Fierit, sidomos për impiantin e plehrave. Kjo pasi nëse ai nuk ndërtohet në zbatim të ligjit dhe me transparencë, mund të dëmtojë jo vetëm bujqësinë e shëndetin njerëzve, por edhe mjedisin. Kemi qenë dhe do të jemi të prerë për këtë çështje. Nuk ka impiant pa transparencë me qytetarët për procedurat e ndërtimin.

-Nëse flasim për vende pune, si do të gjenden ato? Një administratë e mbushur dhe biznese që nuk është se janë pa punë sepse nuk kanë kë punësojnë- ku është çelësi i zgjidhjes?

Ne jemi për uljen e taksave, politikë që i jep frymëmarrje bizneseve. Në këtë katërvjeçar është vënë re që taksa progesive dhe tatimfitimi 15% ndaj bizneseve, ka rritur informalitetin. Shumë prej bizneseve nuk i deklarojnë të ardhurat sepse nuk përballojnë taksat. Ne jemi për taksa me fasha sipas xhiros vjetore. Nga 0 deri në 20 milionë lekë të rinj të kesh tatimfitimin 5%; nga 20 milionë në 100 milionë lek të rinj xhiro vjetore të jetë 8% përqind që është tërheqëse edhe për rajonin çka sjell investime të huaja dhe në mbi 100 milionë lek të rinjtë jetë 10%. E ndarë me fasha është më e drejtë dhe krijon frymëmarrje te biznesi, i jep mundësi të zgjerohen e të punësojnë më shumë të rinj e të reja. Për të rinjë që nuk kanë përvojë, punësohen për herë të parë, qoftë në biznes të vogël a të mëdha të kemi mundësi të subvencionojmë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për një vit në mënyrë që të nxitet punësimi. Për të rinjtë, problem mbetet mungesa e përvojës, ndaj parashikojmë krijimin e praktikave të punës 3-6 muaj për studentët, në administratë apo pranë një biznesi që të njihet me ligj e të kenë mundësi t’ia paraqesin punëdhënësit nesër. Kemi edhe fuqizimin e arsimit profesional, i lidhur me biznenin. Marr shembull Gjermaninë ku gjithë bizneset kanë marrëveshje me arsimin profesional për një qark të caktuar apo për një zonë të caktuar. Pra drejtojnë arsimimin drejt profileve që ka nevojë tregu. Kjo do të bëjë që të rinjtë të kenë kurrikula më të mira, t’i lidhin ato me praktikën, t’i lidhin me tregun e punës, të kenë mundësi të bëjnë praktika pranë bizneseve e pas trevjeçarit, ata të jenë shumë më të aftë se sa janë sot, për tregun e punës. Kjo ka ardhur edhe nga bisedat që ne kemi pasur me gjimnazistët e arsimit profesional, që kanë probleme me kurrikulat që nuk janë praktike dhe me praktikat e punës, që nuk i bëjnë fare, bëjnë vetëm teori.

Kemi programin “Mëso dhe fito”, ku si në Londër, studentët ekselentë, kanë një kontratë të nënshkruar direkt me punëdhënësin, në mënyrë që truri të mos mbetet pa punë, sepse ai duhet të jetë i pari që të integrohet. Ne duam të ofrojmë që në kohën e studimeve, trajnim e kualifikim, si edhe praktika pune për studentët. Kjo vjen nga praktikat më të mira europiane. Nga ana tjetër, çdo nismë e dëshirë për të hapur biznes nga të rinjtë, duke ditur që nuk kanë kolateral e nuk marrin dot kredi, ne të kemi mundësi t’i mbështesim me grante apo kredi të buta deri në 2% që të kenë mundësi ta vënë në jetë ëndrrën. Këtë e kemi ngritur në bashkinë e Tiranës, e kemi implementuar dhe e dimë shumë mirë se si ta vëmë në jetë në rang kombëtar. Ndaj them se është plan i vërtetë.

Për 100 mijë vende të reja pune që parashikojmë për të rinjtë i kemi të ndarë sipas sektorëve: 15 mijë në fushën e shërbimeve, 25 mijë në fushën e bujqësisë meqë synojmë t’i japim frymëmarrje asaj duke trefishuar buxhetin për të, duke zeruar tvsh dhe taksat për produktet bujqësore që fermeri të mos lodhet zyrave të burokracisë por të jetë i përqëndruar të prodhimi e shitja, subvencionimi i farërave, pesticideve e produktet e tjera që i vijnë në ndihmë; 35 mijë vende pune nga turizmi, duke hapur përshembull një shkollë profesionale për turizmin në Fier dhe 25 mijë vende pune në infrastrukturë. Është plan konkret e real.

– Një vit më parë, jeta e juaj dhe e bashkëshortit, Eneas, ndryshoi meqë u bëtë prindër për herë të parë. Si ka qenë ky vit?

Ky vit ka qenë një mrekulli, ka qenë një dhuratë nga Zoti. Ishte dëshira e të dyve të kurorëzonim dashurinë tonë me një fëmijë. Pavarësisht netëve të gjata pa gjumë e sakrificave si çdo nënë, falenderoj Zotin që më solli një bekim aq të madh sepse ka rritur dashurinë në familje, buzëqeshjet e çdo gjë tjetër.

-Pse e quajte Henri dhe si është dita jote me Henrin?

Ka qenë një betejë për emrin, një betejë 6 mujore (qesh).  Me Enean vendosëm për emrin Henri, na pëlqeu të dyve shumë e sidomos Eneas se i shkon edhe me mbiemrin Nuredini. Emri është shumë i rëndësishëm për personalitetin e fëmijës, thonë se vendose emrin që t’i shkojë kur ai të jetë 30 vjeç, ndaj e menduam. Doja një emër që edhe jashtë vendit të tingëllonte mirë, e të mos ia deformonin. Tani që e shoh të rritet, mendoj se i përshtatet shumë me karakterin.

Dita me të është një ditë plot dashuri. Këto ditët e fushatës janë  ditë që e takoj më pak, por jam gjithnjë e përkushtuar me dashurinë time për të. Mjeku Edi Tushe më thotë që vetëm dashuri dhuroji, mos ia përço stresin tënd dhe këtë bëj. Ai ka filluar të belbëzojë, thotë ‘mama’, ‘baba’, ‘nëna’, ‘gjyshi’; ecën pak dhe është një periudhë e bukur. Të përqafon, reagon dhe mezi pres që pas fushatës t’i përkushtohem më shumë e të kompensoj mungesën.

-Kujt i ka ngjarë ai? Kujt dëshiron t’i ngjajë?

Lëkurën e ka timen. Tiparet i ka të babait. Thonë që gjenetikisht inteligjenca e merr nga mami, gjë që është e rëndësishme për mua(qesh). I ngjan të atit në shumë në tipare, ndërsa buzëqeshjen e ka timen.

-Ku e sheh veten në 5 vitet e ardhshme?

Padyshim që do të jem pjesë e Parlamentit të ardhshëm, për të përfaqësuar Qarkun e Fierit dhe në radhë të parë gratë, vajzat dhe të rinjtë e mrekullueshëm të Fierit, Lushnjës, Patosit, Roskovecit, Mallakastrës e Divjakës. Unë jam një nga ata njerëz që kënaqet me gjërat e vogla, e jam e kënaqur me këto që kam ndërtuar. Më lumturon familja ime, vijoj të jap mësim si pedagoge part time, e nuk bëj plane, jam e lumtur dhe jam me fat për këto që kam sot. Jam e lumtur për familjen time dhe uroj që jeta në Shqipëri të jetë më e mirë për të gjithë. Unë do jem në politike dhe në edukim e deri pas pesë vitesh mund të jem me një fëmijë tjetër, ose me dy (qesh)./ revistawho.com

 

Tags : Erisa Xhixholsi
loading...