close
Intervista

Moderatori i “Fiks Fare”: Humba 12 kilogramë me puthje e seks në vend të sportit

dori

Një vijë e hollë e ndan natyrën e vërtetë të Dorian Ramaliut me aktrimin. Moderatori i programit investigativ “Fiks Fare” hedh e pret batuta në ekran me kolegun e tij Devis Muka, por mund t’ju vërtetojmë se ky është stili i komunikimit të tij edhe në jetë.

Pak ditë më parë, ai pushtoi rrjetet sociale me foton “hot”, ku shfaqej me peshqir dushi në ballkonin e një hoteli gjatë pushimeve, që po kalonte në Sivota të Greqisë.

Për peshën fiks fare që ka arritur pas dobësimit 12 kilogramë, dashurinë, seksin, alkoolin dhe kokainën, moderatori rrëfehet me dhe pa humor në këtë intervistë ndryshe për gazetën ”Panorama”:

Si e ka ndryshuar stilin tënd të jetesës puna e përnatshme në televizion si moderator i “Fiks Fare”?

Sigurisht që ka ndryshuar stili im i jetesës, pasi tani duhet të ndjek tjetër regjim, e duhet të jem më i koncentruar e i vëmendshëm për çdo ngjarje që ndodh. Për shembull, nëse dikur mund të më kapte mesnata jashtë, tani s’ia toleroj vetes këtë, veçse në fundjavë.

Fotografia jote me peshqir që postove nga ballkoni i një hoteli bëri xhiron e rrjeteve sociale. Si ia ke dalë të dobësohesh kaq shumë?

Duke bërë dashuri, duke dashuruar çdo ditë e më shumë. Më saktë t’ju them lodhje, konsumim perfekt. Ua sugjeroj atyre që duan të humbin kilogramë në peshë!

Po thua se të ka dobësuar seksi, me pak fjalë?

Për mua s’ka dashuri pa seks.

Po seks pa dashuri bën ti?

Ah jo! Për mua seksi pa dashuri është si të punosh pa rrogë. Kësaj i thonë lodhu kot, po s’ka përfitim.(qesh)

Pra je i dashuruar?

Nuk do të flisja e s’do të dobësohesha kaq shumë, po të mos isha i dashuruar… (qesh).

Kush është ajo?

Sa ta zbuloj mirë kush është, do t’jua prezantoj.

Dobësimi në rastin tënd ka lidhje me ndjenjat, apo me lodhjen fizike?

Sigurisht që me të dyja, duke eliminuar apo zëvendësuar vaktin e darkës në orët e vona me seksin. Brumërat dhe ëmbëlsirat gjatë ditës me ndjenjat. Ah, pa harruar puthjet, pasi sa herë më vjen dëshira për të ngrënë, dhuroj një puthje. Nga ky regjim kam humbur 10 kilogramë, maksimumi 12 kg. Uroj mos ta lë ndonjëherë këtë dietë, se do të jetë lehtësisht e dallueshme pastaj.

Përveç kalorive që djeg nga puthjet dhe seksi, sa i takon menusë ditore, çfarë konsumon më shumë aktualisht për të arritur këtë formë?

Ok. Bëhemi pak seriozë tani , vërtet! Atëherë unë konsumoj perime, drithëra, fruta. Sa më pak brumëra dhe ëmbëlsira, sa më pak yndyrna dhe në vend të mishit të kuq konsumoj mishin e bardhë, pra filetot e pulës. Dhe sigurisht shumë ujë gjatë ditës.

Je i varur nga kafet dhe sporti në jetën e përditshme?

Pa një mesazh në celular dhe kafen e mëngjesit, mua s’më hapen sytë. Me sport fatkeqësisht s’merrem.

Nga alkooli apo kokaina, kur del për qejf?

(qesh) Pak alkool po, dhe aspak kokainë. Jo për gjë, por s’kam nevojë për stimulues, duke qenë se kam energji me tepricë.

Kur mendon se do ta ndiesh veten “Fiks fare” me peshën?

Me peshën tani ndihem “Fiks”. Ndihem mirë kështu…

Sa për punën në televizion, do të jeni sërish ti dhe Devis Muka moderatorët e sezonit që vjen në “Fiks Fare”, apo do të ketë ndryshime?

Me në krye Filip Çakulin, kokën e emisionit, Denisën qafën e emisionit dhe gjithë stafin e “Fiks Fare”, sezonin e ardhshëm vijmë akoma më në formë. Nga e hëna në të premte do të keni se çfarë të shihni në TCH!

loading...