close
IntervistaVetëm në WHO

Më të bukurat e “Euro Beat” dhe projektet për më pas… Një rrëfim nga Ermal Peçi!

whoooo kopertina ermal peci_Page_1

Gazetar, prezantues, kryeredaktor, Ermal Peçi vjen në një rrëfim në “revistawho.com” për të na treguar mbi programin e tij më të fundit, “Euro Beat”. Ermali shoqëroi me emisionin e tij një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore të vitit në Europë, moment i veçantë edhe për të gjithë shqiptarët, “Eurovisionin”. Ai riktheu edhe një herë në vemendje, emocionet në skenën e madhe të disa prej artisteve tona më të mira, në përfaqësimet dinjitoze që na kanë bërë ndër vite. Por siç duket “Europa nuk na do”, pasi edhe sivjet me zërin e mirë të Linda Halimit nuk u kualifikuam dot në finale. Ama Ermali na tregon se nuk mjafton të fokusohemi vetëm tek zëri, teksa zbulon edhe projektet e ardhshme në ekran dhe paskuinta.

Rikthehesh në ekran, kësaj here me “Euro Beat”. Si erdhi ky moment te ty, të kishte munguar?

Unë mora një pauzë nga daljet në ekran, por paralelisht vijoj të punoj si kryeredaktor në “INTv”. Kam qenë gjithmonë partizan i nisjeve të reja të mirëmenduara, të panxituara, që ajo që publiku të marrë të jetë kënaqësi më vete.  Sukseset e programeve të mëparshme më imponojnë të punoj për gjëra që ja vlejnë, siç u punua edhe për “Euro Beat”. Në xhirimet e para nuk e mohoj dot, ndjeva që më kishte marrë malli, çka më shtoi më shume dozën e kenaqësisë.

Një program krejtësisht i dedikuar “Festivalit Europian”. Sa e gjen veten në“Euro Beat”?

“Festivalin Europian” e kam ndjekur prej kohësh dhe mjaftoi pak, që drejtuesit e ‘IN’ ta kuptonin këtë, ndaj nuk vonoi ftesa për një program “prime time” rreth ‘Eurovizionit’, që vijon të mbetet eventi më i ndjekur në kontinent. Urimi më i shpeshtë që kam marrë gjatë këtyre javëve ishte “Kush mund ta bënte më mire se ty” ndaj them që jam plotësisht vetja në program. Dhe tani po të doni, flasim për eventin dhe me siguri përfundojmë nesër (buzëqesh). Unë doja që “Euro Beat” të vinte si një gërshetim i materialeve më të veçanta të festivalit dhe eksperiencave të treguara, plot me rrëfime të reja, nga tre përfaqësuese të Shqipërisë, si Kejsi Tola, Olta Boka dhe Aurela Gaçe.

Çfarë do të veçoje nga episodet e realizuara?

Ka shumë histori, ka shumë ngjarje e ndodhi që jo të gjithë i dinë, por i japin akoma më shumë vëmendje festivalit. Bisedat me këngëtaret mbeten ëmbëlsira, pa dyshim. Fakti i ripërjetimit të emocioneve të tyre, detaje ekskluzive, të shtojnë dozën e krenarisë për një tjetër produksion, në listën e gjërave që doja të realizoja e që tashmë edhe e përfunduar me shumë dashuri e sukses. Kam mbetur i surprizuar nga ndjekësit e Kosovës, mesa duket mungesa e shtetit të tyre në festival, shton kuriozitetin ndaj asaj çfarë ofrohet nga Tirana. Përsa i përket të ftuarave, i kam mikesha të treja ndaj bisedat me to kanë dalë aq spontane, plot buzëqeshje dhe sinqeritet.

Ti në programet e para solle shumë informacione rreth festivalit, duke qëndruar i ftohtë ndaj mendimeve personale në ekran, të paktën për përfaqësimet shqiptare. Në gjykimin tënd, pas këtyre viteve përfaqësim, ç’duhet të bëjë më shumë Shqipëria?

Nisur nga eksperienca, të paktën të kishim mësuar nga gabimet. Këtë vit gjërat duken më të menduara, flas për paraqitjen vizuale skenike, për klipin. Mendoj që si një festival që pas tri netëve luhet shumë në platforma muzikore, në shitjet ‘online’, Shqipëria duhet të mendojë më shumë për këngën sesa për një zë që kap tonet e larta gjatë disa sekondave. Është momenti që evropianet të mos thonë vetëm “wow çfarë zëri’ por ta këndojnë e kërcejnë këngën tonë! Le të shpresojme vitet e ardhshme.

Pas “Euro Beat” çfarë do të vijë? Ndonjë projekt i ri?

Fundi i “Euro Beat” përkon edhe me afrimin e fundit të sezonit televiziv. Eshtë koha për të menduar rreth ideve të reja, disa prej tyre janë në mendje edhe në letër. Une e ndjej çdo ditë e me shumë dashamirësinë e stafit të “IN” ndaj gjërave të reja, jam i bindur që siç na bashkoi vala e energjisë së “Eurovizionit”, do të ketë sërish një tjetër bashkim energjie. Vijoj punën e përditshme. Shtatori vjen shumë shpejt.

Fotografia: Arjola Buzi

Veshja e kopertinës : Senco Unico Albania

RevistaWho.com

Tags : Ermal Peci
loading...