close
Intervista

Kei flet për lojën, orientimin seksual dhe varësitë: Ja kush është Vivi për mua, besoj se “Big Brother”-in e fitojnë…

kei (1)

Quhet Kejda Jahja dhe tashmë njihet thjesht si Kei. Në “Big Brother 9” hyri në lojë me mikeshën e saj Vivi, si “Çifti pa kufij”.

Por vajza e spikatur mes anëtarëve të komunitetit LGBTI në Shqipëri nuk ishte fare e panjohur për publikun, pasi tri vite më parë ajo doli me zë e figurë duke pohuar “Po, unë jam lesbike”, në dokumentarin e titulluar “SkaNdal”.

30-vjeçarja me profesionin e punonjëses sociale e pranoi homoseksualitetin në moshën 11-vjeçare, dhe për këtë e ka mbështetur edhe familja e saj. Në këtë intervistë të parë për gazetën “Panorama” pas daljes nga loja, Kei rrëfen disa sekrete më shumë nga jeta si lesbike në Tiranë, si do të vazhdojë lidhja me Vivin dhe kush do ta fitojë “Big Brother 9” sipas saj:Vivi-400x229

Pse hyre në një lojë si “Big Brother” dhe cilat janë ambiciet e tua pas famës që more në lojë?

Hyrja ime në “Big Brother” është pjesë e angazhimit tim në aktivizimin për të drejtat e personave LGBTI dhe rritjen e vëmendjes karshi çështjes në fjalë. Kur kam mundur, kam përfituar dhe kam folur gjithashtu dhe për të drejtat e kafshëve të braktisura, për të cilat kam gjithashtu interes dhe dashuri të veçantë. Ambicia ime kryesore është të jetoj e sinqertë dhe e vërtetë me veten dhe të tjerët dhe t’i lejoj vetes gjithashtu të shijoj të mirat dhe të këqijat e kësaj jete deri në fund.

U prezantove me deklaratën e hapur “jam lesbike”. Si u ndjeve në momentin që këtë të vërtetë e the në ekran për herë të dytë, pas filmit dokumentar?

Deklarata e hapur rreth orientimit tim seksual nuk solli asnjë ndryshim tek unë, pasi siç e kam thënë dhe më parë, gjatë gjithë jetës sime jam shprehur hapur mbi orientimin tim seksual.

Çift me Vivin, por e vërteta ishte ndryshe. Mund të na e tregosh historinë e njohjes suaj dhe si e morët vendimin për t’u hequr si të dashura në këtë lojë?

Vivi dhe unë nuk patëm asnjë të fshehtë rreth marrëdhënies sonë në çift. Ajo përfundoi në mënyrë shumë miqësore. Kjo miqësi na bëri që, pas disa vitesh, ne t’i japim një mundësi të dytë njëra-tjetrës, duke menduar se hyrja në shtëpinë e “BB” do të ishte një zgjidhje interesante.

Kush është Vivi për ty, dhe kush je ti për të tani që dolët nga loja në realitet?

Ne vazhdojmë të jemi dy mikesha të mira si më parë. Tani kemi dhe një përvojë tjetër që na bashkon.

Sa e vështirë ishte të bashkëjetonit me lojtarë të tjerë dhe çiftet djalë-vajzë. Ndodhte që ju shihnin me skepticizëm dhe në ç’raste e ndjenit këtë gjë?

Bashkëjetesa me lojtarët e tjerë ishte e vështirë, sepse ne ishim të gjithë pjesë e një loje psikologjike, por fakti që pjesëtarët e tjerë ishin çifte djalë-vajzë nuk përbënte asnjë problem për mua dhe Vivin. Nga lojtarët e tjerë nuk kemi ndjerë skepticizëm apo mospranim në asnjë moment dhe për këtë dëshirojmë t’i falenderojmë.

E prisnit të dilnit nga shtëpia në kulmin e lojës, dhe pse mendoni se u eliminuat?

Daljen nga shtëpia e “BB9” e prisja deri diku, pasi kishte ardhur momenti kur Vivi duhet të jepte më shumë nga vetja, gjë që ajo nuk e bëri. Jam gjithashtu e ndërgjegjshme edhe se unë duhet t’i kisha kushtuar më shumë vëmendje.

Ty si Kei të pëlqeu ndonjë nga vajzat e shtëpisë, dhe me cilën do të dojë të shkoje në shtrat apo të krijoje lidhje?

Armela, Gerta, Danjeli, Xheni… (qesh)

Po Vivin, cili nga djemtë e tërhoqi pak më shumë, ndonjë pëlqim që ta rrëfeu dhe ty?

Zakonisht preferojmë të flasim për gocat dhe jo për çunat.

Ti ishte shumë afër Damianos, sa shpesh të shihnim mes tij dhe Armelës në krevat. Çfarë mendon për lidhjen e Damianos, djalit më të përfolur deri tani për fitoren e BB9?

Lidhja mes Damianos dhe Armelës më duket një ndër lidhjet më interesante në shtëpi. Damiano më duket lojtar inteligjent, siç dhe vetë formati dhe loja e kërkon.

Si do t’i komentoje çiftet e tjera, dashuritë e vërteta dhe ato për lojë?

Përveç Adit – Jonës dhe Lupçes me Katerinën, të cilët dashurohen vërtet, të tjerët mendoj se, si çifte të sapokrijuara, kanë ende sfida përpara, kështu që nuk jap dot një opinion definitiv.

Ke emra konkretë se kush mendon se do e fitojë këtë “Big Brother”?

Mendoj dhe uroj ta fitojnë Damiano dhe Armela.

Meqë jemi para 13 majit, ditës kundër homofobisë, gjatë jetës tënde kujton momente kur je ndier viktimë dhe si ia ke dalë?

Jeta e personave LGBTI është në mënyrë konstante e mbushur me privime dhe përjashtim, për këtë arsye unë u jam bashkuar kolegëve të tjerë të mi në mbrojtje të kësaj kauze për të ndihmuar që njerëz si ne të mund të jetojnë më mirë, me dinjitet dhe të lirë, kjo është një formë, e cila më ka ndihmuar të përballem me vështirësitë e të qenët lesbike në Shqipëri. Aktivizmi është një proces i mirëfilltë shërimi.

Intervista Plus/ Seksi dhe droga në jetën time, s’jam më e shenjtë se Barack Obama

Kur ishe brenda shtëpisë, rrëfeve se kishe shkuar me mbi 20 femra në shtrat. Çfare mund të tregosh më shumë për eksperiencat e një lesbikeje si ty?

Përvoja më ka mësuar që çështjet e shtratit mbeten në shtrat, aq më tepër që unë e kam shumë bezdi të merrem me komente për njerëz që kanë qenë pjesë e jetës sime.

Kur ishe në shtëpi nuk mungonin hamendësimet që ti dhe Vivi keni varësi nga alkooli apo droga. Si qëndron e vërteta?

Po lexoja sot lajmin mbi librin e ri rreth Barack Obamës dhe se si ai, si dhe çdo njeri i lirë në këtë botë ka qenë dikur i joshur të provojë marijuanën. Do të isha shumë hipokrite po të shtiresha si më e shenjtë se Barack Obama. Sa për alkoolin e shijoj, të them të drejtën në mënyrë sociale kur jam me miq dhe me mikeshat e mia.

Nëse do të fitoje milionat e “Big Brother”, çfarë do të kishe bërë me ato para?

Do ndihmoja dy kauzat për të cilat fola më sipër: LGBTI dhe kafshët e braktisura, dhe kuptohet me pjesën tjetër do ndihmoja mamin dhe vëllain./PANORAMA/

Tags : big brother albania 9kei big brother
loading...