INTERVISTA / Silvana Braçe: Ditët e mia jashtë ekranit


Fotot: Endrit Mërtiri / Hair & Make Up: Desantila

“Unë nuk kam dashur të jem djalë. Edhe pse situatat e vështira s’më kanë kursyer, zgjidhjet i kam patur aty, brenda vetes, në forcën e arsyetimit”. Shoh një fytyrë të paqtë megjithë shenjat e moshës kur dëgjoj këto fjalë. Me sy që shkëlqejnë dhe një zë që kumbon njësoj si në kohët kur e dëgjoja nga një “kuti” bardhezi ku shkruante “Lura”, ajo, e ndjej, ka prapë të njëjtën forcë të fjalës dhe imazhit.

Silvana Braçe, nuk e ka humbur kurrë ëmbëlsinë për të cilën e mbajmë mend, edhe pse, me vitet dhe ndryshimet e rrufeshme, krejt padashur, u ka humbur syve tanë. Në vitet ’90, ekrani i RTSH-së ishte dritarja jonë, por dhe e saj. Prej aty, prezantuesja e parë e spektaklit në Shqipëri përcillte mesazhe që sot i përcjell në një intervistë për “revistawho.com”. Ndonëse ekranet janë të shumta dhe prezantueset po ashtu, imazhi i saj, nuk ka gjetur ende zëvendësuese, as elokuenca, as intonacioni, as përkëdhelja e frazës, madje as kumti që përcillte.

Kjo mungesë e saj në ekran u dëshmua nga paraqitja në dhjetor në Festivalin e RTSH-së. Impakti qe i jashtëzakonshëm – të gjithë e duan ende, e duan me shumë se dikur, sepse mungesa dhe malli ia kanë shtuar dashurisë peshën. Rikthimi i ikonës në skenën e magjishme dhe në ekranin ku për vite të tëra përshendeste bashkatdhetarët, nostalgjia për të shkuarën e pakthyeshme, bashkoi njëherësh dhjetra ndjesi. Silvana përcjell në “revistawho.com”, mesazhet e nevojshme, për vajzën, gruan, femrën. Përtej kësaj, ajo na kujton se thjeshtësia dhe dashuria për të bukurën nuk kultivohet vetëm nga paraja. Pa kritikuar vajzat e ekraneve, Braçe kujton se dikur, “nuk ka patur dekore dhe elemente të show- t që janë tani, por ka patur shumë pasion dhe sinqeritet me të cilat është arritur që programet të hynin në zemrat e publikut, për të mbetur pjesë e memories së tyre. Me sa duket kjo është qasja që publiku do: thjeshtësi, besueshmëri, frymëzim”. Sot, kur të tërë rendim pas konsumit dhe vrapojmë e veprojmë pothuaj me ‘shpejtësinë e mendimit’, ajo na kujton se kanë rëndësi të gjithë hapat, më shumë se finishi, se duhet shijuar rruga dhe jo përfundimi, e se ne udhëtojmë për të shijuar vetë udhëtimin më shumë se vendmbërritjen. Pjesë e një brezi tjetër moderatorësh, nga ata që hodhën hapat e parë me vështirësi sot të paimagjinueshme për brezat e ipad-it, Silva nuk vjen me këshillat “akademike”, as me paragjykimin e emrit të çertifikuar tashmë dhe mbi të gjitha ajo i sheh të gjitha nuancat e së ndryshmeve si vlera duke pranuar diversitertin, si pakkush ka forcë ta bëjë.

Ky, është një rrëfim për mallet, nostalgjitë dhe të ardhmen, thënë me një zë të njëtrajtshëm, për copëzat që humbëm e që njëherësh i duam, për copëzat që i kërkojmë në hapa që enden drejt tyre. Një rrëfim nga e vetmja, Silvana Braçe!

Në të gjithë botën 8 marsi është ditë proteste për të drejtat e grave… Po për Silvën çfarë kuptimi merr kjo ditë? Si e kalove?

Është e vërtetë se kjo ditë, 8 Marsi, u vendos një shekull më parë të jetë kujtesë dhe protestë për të drejtat e grave, të cilat atëherë luftonin për ditën 8 oreshë të punës, për pagë të barabartë me burrat, për të drejtën e votës, kërkesa fondamentale për një shoqëri të civilizuar. Tashmë këto janë tejkaluar dhe sot vëmendja në Ditën Ndërkombëtare të Gruas është përqëndruar tek një plagë tjetër që kohët nuk po e shërojnë, tek dhuna ndaj grave si dhe tek rritja e përqindjeve të pjesëmarrjes së tyre në jetën politiko-shoqërore. 8 marsin e kalova në Shkodër ku pata rolin e moderatores në një organizim të Fondacionit “Ana, zëri i shpresës”. E veçanta në këtë takim ishte pjesëmarrja e rreth 70 grave bashkatdhetare që kishin ardhur nga Greqia, të cilat emocionuan me mallin e viteve larg vendlindjes dhe me mesazhet e  solidaritetit mes tyre, forcës, vitalitetit dhe sukseseve edhe pse në vend te huaj. Falenderimi për këtë event me rreth 500 gra të fushave dhe profesioneve të ndryshme, me humor e muzikë, me drekë e dhurata shkoi për Diela Ana Preka që mundësoi falas gjithçka, për këtë grua të rrallë, tepër e sukseseshme në biznes dhe humaniste e shquar.

Për çfarë do të protestoje ti?

Në një dië si kjo unë do të protestoja për të parën, kundër çdo lloj dhune ndaj grave. Në fakt do të protestoja për dhunën në përgjithësi në mbrojtje të dinjitetit njerëzor që do të thotë: kundër injorancës, padijes dhe mungesës së ndërgjegjes.

Ka pasur në jetën tënde ndonjë moment kur do të kishe dashur të ishe mashkull?

Jo, unë asnjëherë nuk kam dashur të jem djalë. Edhe pse situatat e vështira s’më kanë kursyer, zgjidhjet i kam patur aty, brenda vetes, në forcën e arsyetimit.

A është më e vështirë për një femër të punojë në botën e televizionit? Për ty si ka qenë?

Është e vështirë të punosh në botën e televizionit, sepse nuk është një punë e zakonshme. Do njerëz të përkushtuar dhe shumë sakrifica. Femrat janë më të prirura për këto, por ekspozimi dhe qënia person publik ka kosto të lartë për to. Megjithatë, për mua jeta në ekran ka qenë sa e vështirë dhe e bukur. E kam shijuar.

Mendon se femrat gabojnë, apo gabimet e tyre vijnë gjithmonë si pasojë e sjelljes së një mashkulli?

Patjetër që femrat gabojnë, sikurse dhe meshkujt mund t’i çojnë ato rrugë e pa rrugë. Në të dyja rastet të shpresojmë, të njohin përgjegjësitë dhe të mësojnë nga gabimet.

Po urimet që more në ditën e gruas si ishin? Çfarë të tha bashkëshorti? Po djali?

Në familjen tonë nuk kanë rëndësi këto datat me të kuqe në kalendar, madje as të tjerat, thjesht të familjes. Jetojme pa këtë kushtëzim.

Ky ishte 8 marsi i parë që kalove pa nënën tënde, si e ke përjetuar mungesën e saj?

Ishte një 8 mars i varfëruar. Mungonte personi më i rëndësishëm i botës femërore për mua, modeli i urtësisë, mirësisë dhe sakrificës, Nëna.

Si janë ditët e tua? Me çfarë je e angazhuar momentalisht?

Ditët e mia janë shumë të ngarkuara me komunikime të panumërta meqenëse jam një natyrë shumë miqësore dhe aktive në profesion. Pjesëmarrja në koncerte brenda dhe jashtë vendit më merr shumë kohë. Gjithsesi familja është kryefjala e çdo dite.

Të mungon ekrani? Po ti a i mungon njerëzve në ekran, si mendon?

Ekrani më mungon, por mendoj dhe njerëzve që më duan ju mungoj, sepse me këmbëngulje më kërkojnë dhe me pyesin çdo ditë: “Pse nuk del në televizor? Kur do të shohim në televizor?”.

Qasja e vajzave të televizionit me shikuesin ka ndryshuar shumë krahasuar me vitet kur ti ishe në kulmin tënd. Mendon se është më mirë sot, apo ëmbëlsia dhe një lloj distance për të mbajtur vendin që të takon është gjithmonë në modë?

Kanë ndryshuar formatet televizive që ju diktojnë vajzave një sjellje dhe një dukje të caktuar. Unë përshëndes çdo gjë të bukur që vjen në ekran në kuptimin e emocionit, përmbajtjes, argëtimit dhe aparencës, padyshim. Sa për kulmin tim, asnjëherë nuk e kam kuptuar se e kam kapur atë. Megjithatë faleminderit dhe le t’i referohemi programeve që unë kam drejtuar. Përveç festivaleve e spektakleve në skenë, më shumë kohë unë kam shpenzuar në studion muzikore të TVSH-së. Aty nuk ka patur dekore dhe elemente të show- t që janë tani, por ka patur shumë pasion dhe sinqeritet dhe kanë arritur që këto programe të hyjnë në zemrat e publikut dhe të bëhen pjesë e memories së tyre. Me sa duket kjo është qasja që publiku do: thjeshtësi, besueshmëri, frymëzim.

A mund të na thuash disa “gabime” që bëjnë prezantueset sipas teje?

“Gabime”?! Jo, s’mundem të them, sepse secila prezantuese ka mënyrën e vet të komunikimit dhe shprehjes që asnjëherë nuk është gabim. Të pëlqen, apo s’të pëlqen kjo është gjë tjetër dhe ju takon atyre që përzgjedhin t’iu përshtaten shijeve të audiencës.

Kemi shumë gazetarë që luajnë rolin e moderatorit, por që fillimet në media i kanë pasur në terren. Po një prezantues, i cili gjithmonë ka drejtuar në studio a mund të bëhet gazetar?

Moderatori e bën dhe gazetarin në përgjithesi, ndërsa gazetari i terrenit që të jetë dhe moderator duhet të ketë dhe disa cilësi të tjera. Realiteti na i ofron të dyja panoramat, sepse kur dëshira është shumë e madhe çdo gjë arrihet, ndaj s’kemi pse përdorim metrin e kufizimeve, por kur është e mundur, ndihmesën tonë.

Cila është figura televizive që vlerëson më së shumti sot?

Pëlqej shumë figura të ekranit saqë nuk mund të veçoj. Por a e dini? Mua më tërheq pa masë humori, ndaj dhe shumë të preferuar i kam aty.

Cili nga formatet që shihni sot në ekran është i preferuari juaj, një që do të kishit dashur ta prezantonit?

Edhe formatet e televizionit nuk mund t’i krahasoj me njëri-tjetrin, se janë shumë të strukturuar, të studiuar, perfekt, sidomos spektaklet. Ato kanë secili fytyrën e vet që ia jep edhe moderatori, ndaj as çoj nëpër mend të drejtoj ndonjërin prej tyre, përveçse t’ju uroj vazhdimësi e suksese, se më kënaqin vërtet. Do të më pëlqente ndonjë formati ri, i paparë ndonjëherë, origjinal yni, shqiptar, që i përshtatet mentalitetit, traditës, kulturës sonë. Në një të tillë do të më pëlqente të isha.

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password