close
IntervistaNë Kopertinë

INTERVISTA/ Eva Murati: Për pak sa nuk u bëra ‘miss’… Reklama që më ‘shpëtoi’ nga kurora

32

Fotot: Pirro Kasemi Beati / Hair & Make Up: Parukeri Lela

Vetëm nëse do të ishe aq e bukur sa ajo, nuk do ta kishe problem të drejtoje një konkurs bukurie… Kështu mund ta përshkruajmë ne eksperiencën e Eva Muratit në “Miss Universe Albania”, e cila sivjet është përzgjedhur si drejtuese e spektaklit. Por ajo vetë ka një tjetër përshkrim për këtë moment, që ka brenda shumë dashuri dhe një pasion për televizionin. Megjithëse zotëron tiparet e duhura për të qenë edhe vetë konkurrente në një konkurs të tillë, kurora e bukurisë nuk ‘i bën asaj asnjë efekt’. Krejt e kundërta ndodh kur studentja e përkushtuar e drejtësisë merr mikrofonin. Mirëpo me gjithë këtë përkushtim për studimet e punën, që është njëherësh edhe pasioni i saj, po vendi i Genar Topallit ku është? Të gjitha këto Eva Murati i zbulon në këtë intervistë për ‘revistawho.com’, duke ju lënë takimin me të çdo të dielë, ora 19:30, në ekranin e “Vizion Plus”, në pritje të “Miss Universe Albania”.

Eva na e përshkruaj pak rrugëtimin tënd që sapo ka nisur në “Miss Universe Albania”… Si po të duket?

Padyshim është aventura më dinamike që kam kaluar deri më sot. Televizioni është i tillë, unë e di mirë pasi kam eksiperienca të hershme, por më duhet ta pranoj se ky program është i jashtëzakonshëm në çdo drejtim. Të menaxhosh 28 vajza nuk janë pak dhe kjo ka qenë vërtetë një sfidë e çmendur për produksionin. “Miss Universe” kësaj rradhe i serviret publikut jo më si një natë e vetme gala, por si një “reality show”, si një program i gjatë ku vajzat do të kenë mundësi të tregojnë më shumë rreth vetes së tyre. Një program i mirëfilltë ku publiku do të ketë mundësi të ndjekë ecurinë e secilës prej tyre nga ekrani për të kuptuar ndryshimin e vajzave nga java në javë. Po punojmë fort! Është një program që po realizohet me shumë dashuri prandaj nuk e vë në dyshim që produkti përfundimtar do të jete mëse cilësor. Mbi të gjitha jam e lumtur me stafin me të cilin po punoj. Kimia është një prej gjërave që ka më shumë rëndësi në një grup pune, që të bën ta harrosh lodhjen e orëve të gjata të punës, madje shpeshherë duke e kthyer në argëtim.

Edhe ti je vajzë e bukur, por i ke qëndruar larg spektakleve të bukurisë. Pse?

Po të zbuloj një sekret. Para 5 vjetësh, kur isha një 15-vjeçare e panjohur, për pak kam marrë edhe unë pjesë në një konkurs të tillë. Mbaj mend që erdhën na përzgjodhën në shkollë dhe me naivitetin e moshës ndiqja çdo lëvizje të organizatorëve me vëmendjen më të madhe duke mos e menduar kurrë që do të isha në vendin e tyre një ditë. E kisha marrë shumë seriozisht pasi televizioni ka qenë gjithnjë ëndrra ime pavarësisht shkollës dhe olipmiadave ku më shtynin familja ime. Fatmirësisht arrita të pikasesha për një reklamë e cila ishte një ogur i mbarë për mua para se konkursi  të fillonte zyrtarisht duke më dhënë mundësinë të largohesha për t’u futur në televizion dhe për të vazhduar atë që doja vërtetë. Të marrësh pjesë në një konkurs bukurie do të thotë të shfrytëzosh një trampolinë, është një mundësi që u jepet shumë vajzave por vetëm disa ia dalin. Mendoj se një njeri duhet të jetë i kompletuar në çdo drejtim. Bukuria mund të të evidentojë për pak çaste, por janë një kombinim vlerash të tjera që të bëjnë të vazhdosh përpara.

A tundohesh kur i shikon konkurrentet, për të qenë pjesë e tyre?

Miss-i është një mundësi shumë e mirë për vajzat që duan të jenë pjesë e botës së të bukurës, artit dhe televizionit. Është një mundësi që kthen të gjithë prozhektorët mbi ty, nëse je e aftë dhe e talentuar arrin ta kapësh këtë mundësi. Është një ëndërr e bukur për vajzat e reja që kanë këto aspirata dhe nuk dinë nga t’ia nisin, është një mënyrë për t’u spikatur. Mendoj se kam bërë rrugë të gjatë që nga fillimet e mia, prandaj nuk më tundon e gjithë kjo eksperiencë. Më është dhënë kjo mundësi prej kohësh prandaj ua kam lënë rrugën vajzave që ende nuk e kanë patur ende këtë fat.

A ndjen ndopak zili që njëra nga ato do të mbajë në kokë një kurorë të çmuar e do të shëtisë botën si përfaqësuese e bukurisë shqiptare?

E çuditshme është se e kam vënë atë kurorë mbi kokë me qindra herë për shaka në zyrë dhe çuditërisht nuk kam ndjerë asgjë, ndërkohë që shoh që vajzat që vijnë e shohin tërë kërshëri. Krejt e kundërta ndodh kur prek mikrofonin, aty drithërohem! Kjo mendoj ka të bëjë me faktin që pasioni im është diçka tjetër, prandaj zilia është gjëja e fundit që më shkon në mendje. Përpiqem t’i ndihmoj shumë vajzat sidomos ato që më kërkojnë personalisht këshilla. Unë e di çdo të thotë të jesh në vendin e tyre, e di stresin dhe mundimin që po kalojnë, prandaj përpiqem t’ua bëj sa më të lehtë. Në fillimet e mia do të doja shumë të kisha patur një person që të më shtrinte dorën e të më ndihmonte, meqënëse kjo nuk ka ndodhur përpiqem që tani që jam në këtë pozicion të mos përsëris menefregizmin që kam hasur në të shkuarën time dhe të mos ua kursej ndihmën asnjërës prej tyre.

Si i ke raportet me vajzat?

Fantastike! Janë miket mia. Jam munduar t’i afroj që në fillim duke mos vënë barriera hirearkie. Kjo mendoj unë, është dhe arsyeja përse jemi afruar edhe më shumë me njëra-tjetrën duke bërë që edhe ato të kenë besim tek unë, të kenë dikë ku mund të mbështeten. Jam përpjekur gjithnjë t’i frymëzoj në çaste lodhjeje dhe t’i ndihmoj në momente pasigurie. Që në fillim kam dashur që të jem dikush tek i cili vajzat mund të kishin besim, jo të më shihnin nën prizmin e ftohtë të drejtueses. Po ia kalojme shumë mirë, jam e lumtur që ato më kanë kthyer mbrapsht dashamirësinë e dhënë.

Ke ndonjë të preferuar?

Pavarësisht se jam në një pozicion ku nuk duhet të kem të preferuar, pëlqimi i disa vajzave në veçanti të vjen natyrshëm. Kur kalon orë të gjata në xhirime i sheh për atë çka ato janë në të vërtetë, përtej bukurisë, prandaj një lloj simpatie lind spontanisht ashtu siç do të lindte sikur të mos i kisha njohur në këtë spektakël. Por jam shumë korrekte. Në marrëdhënie të tilla duhet të tregosh profesionalizëm dhe të kesh të njëjtën sjellje me të gjitha. Ne si staf po mundohemi shumë të nxjerrim një produkt sa më cilësor, një vajzë që të shkelqejë dhe ta përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në “Miss Universe” në Amerikë, ndaj përzgjedhja e fitueses do të jetë me mendje të ftohtë.

Ke nisur shoqëri me ndonjërën?

Ka shumë vajza me të cilat kam nisur miqësi. Jam e lumtur pasi kam njohur vajza jo vetëm të bukura, por me shumë këmbë në tokë. Vajza që lexojnë dhe kanë pikësynime të qarta për të ardhmen duke iu shmangur shumë stereotipit të ‘thjesht bukuroshe’ që gjen rëndom. Jam e lumtur gjithashtu kur bisedoj me orë të tëra me ndonjërën për preferencat tona dhe zbulojmë të përbashkëtat që kemi. Tashmë është e vështirë të mos qeshim të gjitha së bashku pasi jemi mësuar me njëra-tjetrën. Te jesh pjesë e një grupi të tillë është vërtetë një eksperiencë shumë e bukur. Madje kur jam në rolin e vëzhgueses vërej se edhe ato kënaqen me njëra-tjeren dhe ky pozitivitet ndihet në ajër. Mendoj se edhe ato do ta kenë të vështirë ta shohin njëra-tjetrën si konkurrente sa më shumë që do t’i afrohemi finales.

Rikthehesh në ekran pas një pauze të shkurtër. Të kishte munguar?

Nuk do të gënjej, më kishte munguar shumë. Nuk e kisha ndjerë këtë mungesë derisa fillova të merresha zyrtarisht me “Miss Universe Albania”. Mungesa ishte edhe diçka e mirë pasi doja që njerëzit të kishin mundësi të mesoheshin me kalimin nga tipi serioz i programit ivestigativ që kam patur, tek ky format që ka bazë lifestyle-n dhe të bukurën. Jam e lumtur gjithashtu edhe sepse për shkak të kesaj pauze arrita të piqem, të kuptoj shumë gjëra, të rritem përtej fasadës së shndritshme që televizioni i ofron shikuesve.

Me çfarë je marrë gjatë periudhës jashtë ekranit?

Jam marrë me projekte të tjera jashtë ekranit, mbylla galerinë me foto dhe video ‘’Eksod’’, projekt amerikan që shumë shpejt do të jetë pjesë shoqeruese në festivalet e rëndësishëm të filmave në Berlinale dhe Kanë, vazhdoj të bëj vajtje-ardhje me Italinë për shkak të kontratës në Milano, pra vitin e kam patur goxha të ngarkuar, por për të qenë e sinqertë asgjë nuk ma jep emocionin e televizionit. Shkolla është një angazhim jo i vogël më vete.  Gjithsesi jam e lumtur për pauzën që bëra. Kam patur oferta për të filluar më parë me projekte të tjera, por nuk jam bindur plotësisht. Jam tip që pëlqej më shumë ‘pak e saktë’ sesa ‘shumë e llumë’ prandaj nuk bëhem pishman. Kjo mundësi në “Vizion Plus” ishte ajo që kisha pritur prandaj është një projekt që po bëhet me shumë përkushtim.

E shikon televizionin si të ardhmen tënde apo kryesore do të jetë puna jote në fushën e drejtësisë?

Suksesi im më i madh mendoj se është arritja për të menaxhuar kohën për të bërë jo vetëm atë që dua por edhe atë që duhet. Për sa kohë të dy anët e peshores janë në balancë nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Sigurisht që është një stërmundim dhe diçka që nuk do t’ia këshilloja të gjithëve. Kur njerëzit më pyesin gjithnjë u them të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos mendojnë për asgjë tjetër, por unë jam gatuar paksa me të vjetrën. Sigurisht kjo harmoni mes këtyre dy botëve krejt të ndryshme nuk ka qenë e lehtë. Unë jam perfeksioniste dhe i jap shumë rëndësi detajeve. Dua patjetër të kem një performancë sa më të mirë në secilën prej tyre dhe këtu flas për rezultate të larta në mësime dhe performancë të arrirë në projektet artistike. Jam ekstremiste, ose shkëlqyer, ose nuk e marr fare përsipër ta bëj diçka. Mendoj se tani për tani kam qenë mjaftueshëm e fortë sa për të përballuar çdo shtrëngatë ku për pak sa nuk është mbytur anija ime e ëndrrave. Deri tani ka patur balancë midis jetës artistike dhe asaj intelektuale, ndoshta më vonë, kur të filloj përgatitjet për master do të më duhet të zgjedh. Deri atëherë do ta shijoj këtë kohë që më ka mbetur!

E meqë po flasim për të ardhmen, si po shkon marrëdhënia me Genar Topallin?

Marrëdhënia shkon mirë, e qetë. Ne jemi të dy shumë diskretë, përpiqemi që këtë pjesë të jetës sonë ta mbajmë për vete… Tashmë janë 4 vite që jemi bashkë dhe të them të drejtën më duket e çuditshme që ka ende njerëz që pyesin me kurreshtje.

Keni bërë ndonjë plan konkret si çift?

Sigurisht që bëjme plane. Kur je në një marrëdhënie për aq kohë sa planet bëhen pjesë e përditshmërisë edhe e gjejmë shpesh veten duke folur për të ardhmen. Gjithsesi më shumë sesa planet momentalisht po shijojmë kohën pranë njëri-tjetrit, momente të tilla janë shumë të vyera në këto ditë të ngarkuara pune.

Tags : Eva Muratimiss universe albania
loading...