INTERVISTA / Eneda Tarifa për “Eurovizion”, Dhuratën dhe… një kërkesë për shqiptarët

34

Presioni, komentet, pritshmëritë, kritikat, udhëtimet për promovimin e këngës, marrëdhënia me të bijën në këtë kohë stresesh e ngarkese…. Zëri i Shqipërisë në një skenë të madhe ndërkombëtare, përgjigjet ekskluzivisht në një intervistë të gjatë për revistawho.com.

FOTOT: Endrit Mërtiri / STYLING: Anisa Collection / HAIR & MAKE UP: Suela Çangu

Tashmë ajo është në Suedi dhe ne çdo ditë kemi ndjekur me kërshëri provat e saj, ku sipas të gjithë komenteve në rrjet ka shkëlqyer. Mbrëmja e 12 majit do të sjellë përmes ekranit publik shqiptar, më të gjallë se kurrë ndonjëherë performancën e “Përrallë” nga Eneda Tarifa në skenën e Festivalit Europian.

“Është një presion i madh mendor dhe emocional, por e di që në momentin që do të jem atje, nuk do ta mbart me vete këtë. Do të shijoj atë që më vjen përpara, do ta shikoj më shumë si një arritje personale. Sepse kështu duhet parë në fakt. Sa i përket përfaqësimit shtetëror, ne jemi akoma një vend shumë i vogël, dhe është e vështirë që të dal në krye kollaj”. Kështu është shprehur Eneda Tarifa sa i takon përfaqësimit të Shqipërisë në Eurosong. Ajo ka treguar në një intervistë për revistawho.com, emocionet dhe ndjesitë e kësaj pjesëmarrjeje, disa ditë përpara se të nisej për në Stokholm. Ndërkaq, nga shqiptarët ajo ka kërkuar më shumë dashuri, duke u shprehur se “dua pak më shumë buonsens e durim. Edhe të mos e bëjnë shumë çështje kombëtare se në fund të fundit një këngë është. Ne kemi halle më të mëdha”. Në këtë kuadër, ajo ka shënuar se “ne kemi varfëri e probleme që i ka tranzicioni në Shqipëri. Më duket shumë qesharake të merresh me gjëra të tilla. Në interes të të gjithë shqiptarëve do të ishte që ne ta mbështesnim në maksimum këtë projekt”.  Eneda ka sqaruar edhe disa keqkuptime të krijuara së fundmi rreth saj, duke mohuar që ajo të ketë harruar tekstin e këngës. Gjatë intervistës, ajo i është përgjigjur çdo pyetjeje, madje edhe asaj mbi anglishten, duke treguar versionin e ngjarjes dhe se në fund ka bërë paqe me gazetarët. Eneda Tarifa do të këndojë më 12 maj në skenën e “Eurovizion” dhe e vetmja gjë që ne kemi në dorë të bëjmë për të është ta mbështesim… Ndaj mos u kurseni! Eneda ka nevojë për ne…

Me datën 12 Maj në “Eurovizion”, si ndihet Eneda?

Ndihem shumë mirë. Kam akoma edhe disa punë për të bërë dhe kjo nuk më lë që të mendoj për momentin kur do dal në skenë. Por besoj që nuk do ta kem problem atë pjesë, sepse realisht këto daljet që kemi bërë nëpër shtetet e tjera, festat dhe koncertet paraprake, më kanë ndihmuar shumë për t’u mësuar me këngën, me dëgjimin, vokalin, me skenat dhe me kolegët.

Eneda, këndon e parafundit në mbrëmjen e dytë të “Eurovizion”, a është ky një pozicion favorizues për ty?

Është shumë i rëndësishëm pozicionimi, sepse ne jemi të 17-tët, një këngë përpara fundit, pas meje vjen Belgjika. Më duket sikur është një ogur i mirë, sepse edhe në festivalin e këngës në RTSH kur unë fitova, isha e parafundit. Plus që njerëzit e mbajnë mend më mirë, sepse në momentin që mbaron kënga e fundit fillon votimi dhe kështu e kanë më të freskët në mendjen e tyre. Them se pozicionimi është fantastik.

2 (1)

Si është pritur kënga atje ku ke kënduar?

Jashtëzakonisht mirë! Jam shumë e lumtur që të paktën profesionalisht ky projekt është shoqëruar me sukses, sukses që nisi që kur unë e këndova ‘live’ këngën. Sepse deri në atë moment komentet ishin të tmerrshme e pesimiste. Jo për mua, sepse unë e dija që kjo do të ndodhte siç ka ndodhur me çdo këngëtar tjetër. Por më shumë për të gjithë ata që kanë punuar për këtë projekt që nuk është kollaj, e nuk është i vogël, por shumë i madh. Profesionalisht kam ndjerë që “Eurosong”-u ka një peshë jashtëzakonisht të madhe. Kur këndon refrenin e këngës tënde në një vend ku nuk njihesh fare e nuk i dinë këngët e tua dhe ata të shoqërojnë fjalë për fjalë e notë për notë, ky është një emocion i madh. Kur ata kanë në duar pankartat e tua, fotot, kartolinat që i kanë personalizuar që ti të vendosësh vetëm firmën për mos të të lodhur shumë… Janë të gjithë fansa të huaj dhe këtë nuk e kisha provuar ndonjëherë më parë.

A je takuar me pjesëmarrës të shteteve të tjera?

Sigurisht, por asnjëri nuk e ka garën kaq të fuqishme në mendje duke qenë se shpresat për të gjithë janë të pakta. Janë 42 shtete nga të cilët do të dalë vetëm një fitues. Në këtë sens ne jemi të gjithë bashkëvuajtës dhe duke qenë se koncertet nuk kanë qenë për të shpallur fitues por për të promovuar këngët, kjo na ka ndihmuar. Megjithatë fqinjësitë dhe influencat janë ndjerë. Afërsitë me gjuhën, zakonet, traditat, sigurisht që po. Por kam njohur shumë, si për shembull këngëtaren serbe e cila dinte këngët e tregut shqiptar shumë mirë, këngët e Florit, të Era Istrefit, të Elvanës dhe i këndonte me atë shqipen e vet të çalë, por që tingëllonte kaq bukur. E bëra shumë shoqe dhe ka shumë mundësi që unë të shkoj në Serbi për të promovuar këngën, siç ajo pretendon që të vijë në Shqipëri.

Pjesë e turit për promovimin e këngës, janë bërë edhe Kosova, Maqedonia… Si të kanë pritur atje? E ndjen mbështetjen e tyre?

Pjesë e turit është e vërtetë kanë qenë dhe Kosova me Maqedoninë. Më kanë pritur shumë mirë, megjithëse nuk pata një performancë të plotë në këto dy vende, dhashë vetëm intervista dhe konferenca. Zgjodha që ta nisja me Kosovën turin për prezantimin e “Përrallë” dhe ta përmbyllja me Maqedoninë, për një fillim dhe fund shqiptar.

Sa e ngarkuar emocionalisht po shkon në “Eurovizion”?

Më parë isha shumë. Isha goxha e emocionuar deri para pak kohësh. Por tani jam e qetë, sepse jemi në përcaktimin e gjërave të fundit, veshja, performanca… Gjërat në lidhje me këngën thuajse kanë mbaruar. Është një presion i madh mendor dhe emocional, por e di që në momentin që jem atje, nuk do ta mbart me vete këtë. Do të shijoj atë që më vjen përpara, do ta shikoj më shumë si një arritje personale. Sepse kështu duhet parë në fakt. Sa i përket përfaqësimit shtetëror, ne jemi akoma një vend shumë i vogël, dhe është e vështirë që të dal në krye kollaj.

Si do të jetë performanca dhe prezantimi yt atje? Dimë që do të shoqërohesh nga backvokalistë… Na trego diçka më shumë mbi konceptin.

Do të shoqërohem nga tre backvokalistë që janë me rëndesë specifike në këngë. Duhen patjetër se i japin goxha pamje këngës. Dhe do të këtë ngjyra. Nuk dua të zbuloj shumë sepse do të doja ta lija për pak më vonë këtë pjesë. Duke qenë se “Eurovizioni” është një festival me shumë investim dhe këtë vit skena do të jetë madhështore, me shumë drita e elementë ‘ledwall’, ajër, tym, etj… Dhe kemi vendosur të bashkëpunojmë shumë me ta për performancën, në mënyrë që të dalë më e mira.

Si do të jetë veshja jote?

Veshja ime do të jetë gold, shumë bukur me efektet që i kanë vendosur dritave… Backvokalet janë gjithashtu të veshur shumë bukur nga Bora Kokëdhima dhe mendoj që paraqitja jonë skenike do të jetë e kuruar. Mezi po i pres provat me fustanin.

Si je gjendur mes komenteve dashakeqe të shqiptarëve? E habitur, e përgatitur? Je lënduar?

Nuk jam ndjerë e habitur, por nuk i kam kuptuar dot. Ka gjëra me të cilat mund të bësh humor dhe të qeshësh, ka gjëra me të cilat, duke e ditur se si kanë shkuar, nuk të vjen për të qeshur. Reagimi i njerëzve në përgjithësi ka qenë “e çfarë ka këtu për të qeshur e për ta komentuar kaq shumë”. M’u duk një budallallëk. Është një ironi shumë interesante që për një gjë të vogël, të futen dhe të flasin personalitete të mëdha. Është kulmi, është çudi. Por unë falë Zotit këtë periudhë e kalova jashtë Shqipërisë dhe nuk isha brenda asaj që ndodhte këtu dhe asaj që flitej. Kam parë vetëm komentet në rrjetet sociale dhe në një pikë të caktuar thashë: “okej, block tani Facebook-ut”, sepse nuk do të rezitoja dot pa kthyer ndonjë përgjigje tjetër.

Po pse, ngarkohesh nga këto njerëz?

Thjesht nuk dua që të më marrë kohën kurioziteti. Se sigurisht të gjithë bëhen kuriozë për veten. Mirëpo realisht mendimi i tyre nuk më bën që të shkoj përpara. Prandaj është më mirë që unë të mos shikoj asgjë dhe ta shijoj siç duhet këtë eksperiencë për veten time.

Intervista në Hollandë është komentuar shumë, a ka ndonjë gram faj Eneda për atë që ndodhi? E quan veten sadopak përgjegjëse për atë “gabim”?

Aspak! Kjo është vërtetë për të qeshur, sepse pas rreth 20 intervistash me një anglishte të rrjedhshme, si dhe të gjithë kolegët e mi prej 20 shteteve të tjera të pranishëm në Amsterdam, unë u ndala tek i fundit. Ai kishte dy orë që më priste dhe më tha se nuk mund të më linte të ikja pa më marrë një inetrvistë. Ndalova dhe i thashë do ta bëj, por do ta kontrollosh mirë sepse jemi të lodhur. “Okej, dhe unë jam i lodhur ndaj mos ki merak, do të bëjmë një gjë të mirë”, – më tha ai. Ndodhi ajo që ndodhi dhe ju e dini punën e një gazetari. Puna e parë është ta zbardhë intervistën, te heqë gjërat e panevojshme ose që e cënojnë dhe të krijojë një logjikë.

Mendon se ajo u bë me dashje?

Jo, është bërë pa dashje. Unë u sqarova me gazetarin i cili erdhi dhe më kërkoi 100 herë të falur, duke menduar se unë mund ta hidhja dhe në gjyq. Por unë nuk e bëra sepse m’u duk diçka e papërfillshme për ta bërë çështje të madhe. Edhe pse mund të kisha marrë para nga kjo, pasi faji ishte krejtësisht i tyre nga fillimi në fund. Po meqë ishin të gatshëm të bënin autokritikë dhe një video ku shpjegonin se faji ishte i tyre, atëherë unë e lashë luftën e madhe dhe vendosa të bëj paqe. Nga ana tjetër thashë, në fund të fundit nuk ka reklamë të keqe. Çdo publicitet, i mirë apo i keq, është publicitet. Nga njerëz dashamirës kam dëgjuar shprehje të tipit “karamelja mbahet në gojë”. Kështuqë kam filluar t’i mbaj në mendje.

4 (1)

Ti e ktheve këtë situatë, batutat, në funksion të të gjithë gjësë. Ka ndikuar në krijimin e këtij skenari, fakti që je pjesë e “Portokallisë”, që i merr gjërat më me sportivitet, me humor? Çfarë kanë thënë kolegët e spektaklit lidhur me këtë? Dhurata… është bërë batutë dhe në televizionin ku ti punon…

Është bërë dhe të them të drejtën më vjen shumë mirë që ata nuk e kanë lënë jashtë vëmendjes. Ai është spektakël humori dhe unë jam Eneda e “Portokallisë”, nuk mund të lihem jashtë kësaj. Pse të mos e përdorin tanët ndërkohë që e përdorën disa portale ‘no name’ (pa emër), se gjithkush tani mund të ketë një portal. Pse të mos e përdorte dhe televizioni në të cilin unë punoj dhe gjej mbështetjen maksimale çdo ditë. Unë jam tip sportiv dhe i kuptoj gjërat logjikisht shumë mirë. E gjithë kjo nuk më ka shkaktuar ndonjë gjë të madhe mua si Enedë, përveçse çudi. Por pastaj më shijoi, dhe tani po më mungon pak kjo vemendja ndaj Dhuratës.

Do e marrësh Dhuratën me vete?

(qesh) Jo, sepse stafi ka të tjerë përfaqësues që janë caktuar. Dhuratën e kam tashmë me vete (qesh).

Cilët janë njerëzit që po të ndjekin kudo me vete?

Njerëzit që po më ndjekin në gjithë këtë rrugëtim janë stafi i RTSH, z. Martin Leka dhe gjithashtu Kleart Duraj, shefi i delegacionit. Në turin tim më ka ndjekur Dhurata sigurisht, Dhurata e famshme të cilën do t’ua prezantoj në një moment të dytë, më interesant. Në përgjithësi jam shoqëruar nga kolegë të punës dhe me mikesha, me dashurinë e motrës sime, mamasë, babait, vëllait dhe Olsa Toqit, e cila ka qenë në korent me gjithçka ka ndodhur dhe do të ndodhë.

Erioni, sa të ka mbështetur në gjithë këtë?

Erioni më ka mbështetur shumë, por për shkak të angazhimeve të tij e ka ndjekur nga larg…

Çfarë do t’i kërkojë shqiptarëve Eneda?

Asgjë. Pak më shumë buonsens e durim. Edhe të mos e bëjnë shumë çështje kombëtare se në fund të fundit një këngë është. Ne kemi halle më të mëdha. Ne kemi varfëri e probleme që i ka tranzicioni në Shqipëri. Më duket shumë qesharake të merresh me gjëra të tilla. Në interes të të gjithë shqiptarëve do të ishte që ne ta mbështesnim në maksimum këtë projekt.

Ka pasur gjatë këtij rrugëtimi ndonjë moment pendese që u fute në Festival?

Po, por vetëm për shkak të lodhjes. Për asnjë arsye tjetër. Madje unë isha përgatitur dhe për më keq, por s’po ndodh ajo e keqja e madhe që po duan të ndodhë dhe po kapen me gjëra të vogla.

E harrove vërtetë tekstin e këngës në një performancë?

Jo.

Po çfarë ndodhi?

Asgjë. Mua më kapi e kënduara dhe vazhdova të këndoja ‘o’-në sepse ajo pjesa e fundit është një kod i themi ne. Është një pjesëz fundore e refrenit ku unë mund të bëj improvizimet e mia. Ai ishte një improvizim i  momentit duke qenë se atmosfera atje ishte e mrekullueshme dhe ata këndonin bashkë me mua. S’mund ta harroj këngën pasi e kam kënduar disa herë në disa skena. Është e pamundur, jashtë logjikës.

Sa e dënuar për mungesë kohe dhe vëmendjeje është Aria? Si ndihet vajza jote për këtë arritje tënden, ka nisur ta kuptojë?

Jo, nuk e kupton fare çfarë po ndodh. Asaj i duhet vetëm mami vet dhe nuk i intereson fare pjesa tjetër. Më vjen keq që ajo nuk është pak më e rritur që unë ta marr me vete kudo e të shikojë me çfarë merrem unë. Fëmijët nuk e kuptojnë se pse ikën, duhet t’ua shpjegosh me shumë durim e dashuri. Po i kam marrë një mace që të zëvëndësojë praninë time (qesh). Të merret me të derisa mami të kthehet.

SHËNIM: Intervista me Eneda Tarifën është bërë përpara se ajo të nisej për në Suedi (29 prill).

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password