• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Vetëm në WHO, Who VIP

INTERVISTA EKSKLUZIVE / Angela Martini: Ju rrëfej marrëdhënien me vjehrrën; muaji im i mjaltit do të jetë në… (PJESA 2)

(VIJON NGA PJESA 1 – LEXO KËTU) Siç dhe ju informuam, intervista me bukuroshen Angela Martini vijon me një pjesë të dytë, ku zbulohet se si ia doli ajo të mbijetojë në Amerikë pa një vizë pune dhe me shumë pak para në xhep. Ndërkaq, rreshtat që vijojnë na tregojnë edhe për marrëdhënien e saj me vjehrrën, muajin e mjaltit dhe disa detaje të tjera nga jeta me bashkëshortin e saj…

U zgjodhe si “Miss Universe Albania”, si shkove deri atje?

Në fakt unë nuk doja të shkoja atje. Nuk shkova në Shqipëri deri 18 vjeçe, madje as për pushime dhe kur arrita në Shqipëri më ndaluan në aeroport. Polici më tha “Prit një moment”. Mori telefonin dhe telefonoi dikë nga organizatorët e “Miss Universe” dhe ma dha mua telefonin. Unë e mora telefonin dhe nuk po kuptoja çfarë po ndodhte, ndërkohë ata më thonin duam të takojmë, sepse kemi dëgjuar për ty dhe unë po mendoja nga keni dëgjuar për mua në vetëm 5 minuta. Unë u takova me këta persona dhe ata më thanë ne duam që ti të jesh “Miss Universe Albania” dhe unë u thashë se nuk mund ta bëja atë gjë. Nuk dëshiroja, sepse në fillim më dukej si diçka kot, e tipit “Përshëndetje, unë dua paqe në botë”. Por nuk është kështu, kur shkon atje kupton se është komplet ndryshe. Në atë kohë nuk më interesonte pra fare për atë gjë. Pas 5 vjetësh ata arritën të më bindnin duke telefonuar nënën time dhe i thanë nënës time ajo duhet ta bëjë këtë gjë për vendin e saj, ajo do të prezantojë Shqipërinë. Më pas nëna ime m’u lut dhe mendova “Ok, nuk kam asgjë tjetër më të mirë për të bërë në këta dy muaj”.

Si ishte “Miss Universe”?

Unë isha e papërgatitur, sepse vendosa të merrja pjesë një javë para konkursit, normalisht duhet të përgatitesh një vit para. Unë nuk kisha fustane apo përgatitje intervistash, pra nuk kisha asgjë. Thjesht shkova dhe e mora shumë lehtë. Unë ndihmoja vajzat e tjera, nuk mendoja aspak për konkursin që kisha me to.

A ishte e vështirë?

Ishte e vështirë, sepse duhej të punonim shumë, duhej të ngriheshim nga gjumi në orën 5 dhe kishim shumë punë për të bërë. Por kur shikon që po prezanton vendin tënd ndihesh shumë krenare për veten. Mendon po prezantoj rrënjët e mia, prindërit e mi dhe ti je një pjesë e vazhdimësisë së tyre. Dhe aty fillova të mendoja ‘OK merre pak më seriozisht’.

Ti dhe Dragos keni tatuazhe të njejtë?

Po unë kam gjysmën e zemrës dhe gjysmën tjetër e ka ai. I bëmë këto tatuazhe një javë pas lidhjes tonë.

A e kishe ditur ndonjeherë se do të bëheshe modele?

Po.

Pra nuk kishe asnjëherë një “Plan B”?

Asnjëherë nuk kam një ‘plan B’. Fokusohem në ‘planin B’ kur momenti i duhur është duke ardhur. Nëse fokusohem në ‘planin B’, do të thotë se ‘plani A’ asnjëherë nuk do të realizohet. Unë e dija që do të bëhesha modele, sepse gjithmonë kam qenë shumë vajzërore dhe kur isha në Shqipëri do ta bëja këtë gjë, por babai im nuk më lejonte. Babai im ishte shumë i ashpër, ‘është vajza ime dhe në asnjë mënyrë’, – thonte gjithnjë…

Çfarë dëshironte ai që ti të bëheshe?

Të studioja, të kisha një jetë normale. Të meresha me biznes. Kur shkova në Amerikë unë nuk kisha një shtëpi, nuk kisha asgjë.

Dhe si ia dole mbanë, sepse mendoj se është pak e frikshme..

Në fillim shkova në Miami, rezervova hotelin për një natë dhe mendova ditën tjetër do të shkoj në një agjenci modelesh dhe ata do të më fusin në një apartament modelesh dhe nuk kisha pse të shqetësohesha për këtë gjë. Unë shkova në një agjenci u prezantova dhe u thashë unë dua të bëhem modele. Ata më thanë ‘OK, por çfarë statusi e ke vizën nëse do të punosh në Amerikë’. Unë u thashë se unë duhet të punoj më duhet një vizë speciale dhe ata më thanë se duhej të kthehesha mbrapsht dhe do të bënin vizën time. Unë u thashë nuk kthehem mbrapsht, do të qëndroj këtu, do të punoj dhe ju do të më jepni apartamentin e modeles. Ju më jepni vizën dhe unë punoj. Kështu unë qëndrova nuk u ktheva asnjëherë mbrapsht.

Çfarë fillove të punoje?

Bëra “Maiami Fashion Week”, disa fushata për bikini dhe ishte shumë mirë, sepse tre javë më vonë lëviza në Neë York dhe mora apartamentin tim të parë. Asnjëherë nuk doja të jetoja me modele të tjera, doja të jetoja vetëm.

E mban mend ditën kur the “unë ia dola dhe tani kam suksesin që doja të kisha”?

Jo, sepse gjithmonë kërkon më shumë. Kur thua “unë ia dola mbanë” mendoj se është diçka shumë e rrezikshme, sepse gënjen veten dhe ndalon limitin sepse gjithmonë mund të bësh më shumë.

Ka patur një moment kur ke thënë “unë nuk mund ta bëj këtë gjë”?

Sigurisht, ka të tilla momente sidomos kur je e lodhur. Kur je e lodhur thjesht mendon, ‘dua të jem me prindërit e mi’. Sigurisht që të gjithë kanë të tilla momente. Nuk ka rëndësi çfarë pune bën, unë mendoj se të gjithë i kanë këto momente, sepse janë pjesë e jetës. Duhet të luftosh me veten tënde.

A ekziston “Ëndrra Amerikane”?

Uë mendoj se ekziston nëse ti e dëshiron atë. Çdo gjë është e madhe, kërkon gjëra të mëdha, kërkon punë, dhe është e gjitha mënyrë të menduari. Nëse mendon se unë kam frikë të ëndërroj për këtë gjë, sepse nuk e di ç’do të ndodhë atëherë nuk je për atë punë. Jo çdo person që shkon të jetojë në Amerikë arrin të jetë i suksesshëm. Sepse nuk kanë të gjithë të njejtën dëshirë, nuk kanë të gjithë fuqinë e njejtë. Të gjithë thonë që unë e dua diçka, por kur bëhet e vështirë thonë jo dhe tërhiqen. E gjitha ka të bëjë me punën. Unë jam rritur në Europë, kam jetuar në Zvicër në zemër të Europës. Njerëzit jetojnë në këtë mënyrë, unë shkoj në punë, përgatis darkën, duhet të të telefonoj më parë, duhet të takoj, çfarë ke në plan këtë fundjavë. Çdo gjë është e planifikuar më parë atje, madje dhe pushimet janë të planifikuara më parë. Në Amerikë asnjë nga miqtë e mi nuk më pyet. Ata thonë po shkojmë në Las Vegas a do të vish ose thonë le të shkojmë në Maiami…

A varet kjo nga pasuria? A duhet të jesh i pasur që të mos bësh plane?

Unë nuk kam qenë gjithmonë e pasur, ka të bëjë me mentalitetin. Ne gjithmonë gjejmë justifikime. Gjejmë justifikime për veten si: paraja, qyteti, situata. Unë mendoj se ti e sjell botën tek vetja dhe nuk vjen bota tek ty. Ti e krijon atë nuk ka rëndësi se ku je. Në Los Angeles ke persona të famshëm që shkojnë kudo në restorant, supermarket, sepse kjo është normale.

A mund të na japësh disa shembuj? Si p.sh. disa nga fqinjët e tu?

Dragos i njeh më mirë se unë, po kemi psh: Russell Simmons, Keanu Reeves. Kemi shumë këngëtarë si One Direction.

Si humb në peshë kaq shpejt?

Unë nuk mundohem për të humbur peshë, por për të fituar peshë, sepse humbas peshë shumë shpejt.

A bën diçka të veçantë përpara tapetit të kuq?

Provoj por asnjëherë nuk e realizoj. Ëndrra ime është shkoj në një SPA të relaksohem, të fle mirë, të kujdesem për fytyrën, të rregulloj flokët ngadalë por asnjëherë nuk ndodh. Asnjëherë nuk kam një veshje, gjithmonë jam vonë për flokët dhe makeup-in, nuk kam kohë të ushqehem, të fle.

Çfarë të pëlqen të bësh bashkë me Dragos?

Të shikojmë filma. Ne i dashurojmë filmat, dokumentarët, të lexojmë, të takojmë miqtë tanë dhe të shkojmë për ‘shopping’.

A organizoni ose shkoni në shumë party?

Ne kemi një party të madh çdo vit në shtëpinë tonë, gjithmonë në Los Angeles.

A shpenzon kohë me miqtë e tu?

Ata vijnë shpesh në shtëpinë time në Los Angeles, unë shkoj në shtëpitë e tyre. Shohim filma, shkojmë për darka, nuk shkojmë shumë në party.

A është kjo dita perfekte për ty?

Dita perfekte për mua është të jetë shumë ftohtë jashtë, të jetë borë ose shi, të shoh televizior, të jem e veshur me pizhama dhe të relaksohem.

Ti fole për ‘shopping’ dhe the se Dragos zgjedh veshjet e tua…

Unë kam një burrë të veçantë. Ndryshe nga gjithë njerëzit e tjerë që njoh, ai përfshihet shumë në zgjedhjen e veshjeve të mia, kështu kur shkojmë për ‘shopping’ ai zgjedh çdo veshje timen.

A ndihesh konfidente, ndihesh mirë me zgjedhjet e tij?

Po, veshjet më të bukura i kam nga Dragos.

Si ishte Krishtlindja jote në Rumani?

Krishtlindja e parë në Rumani ishte shumë këndshëm, ndryshuam shtëpinë këtu dhe e festuam në menyrën që ne dëshironim. Kishim familjen këtu dhe ishte diçka shumë e rehatshme, e dashurova këtë festë në Rumani. Prindërit e Dragos janë të preferuarit e mi.

Është shumë bukur të keni këto marrëdhënie të veçanta, ti me prindërit e tij dhe ai me prindërit e tu…

Unë çuditem kur dëgjoj shpesh që nuk e dua vjehrrën time. Unë e dua shumë vjehrrën time.

A janë takuar prindërit tuaj me njëri-tjetrin?

Po, sigurisht që janë takuar. Mamaja ime është takuar me prindërit e Dragos, ndërsa babai ende.

Pra e shijove Krishtlindjen në Rumani?

Po, shumë. Ne konsumuam ushqime speciale që unë nuk e di se si quhen, por ishte diçka xhelatinoze.

A ke ti miq nga Rumania si p.sh Alina Puscau?

Alina ka qenë mikja ime përpara se të njihja Dragos, e kam njohur në New York. Madje ne ishim në qershor këtu të dyja bashkë.

Çfarë keni në plan me Dragos tani së shpejti? A do të shkoni në muaj mjalti?

Do të shkojmë në Zvicër dhe më pas në Seychelles për muaj mjalti.

Kush e zgjodhi këtë destinacion?

Dragos, unë asnjëherë nuk kam qenë atje. Dragos ka qenë dhe më tha që është një nga vendet më të bukura në botë.

A mund të japësh një këshillë për ata persona që ende nuk e kanë gjetur dashurinë e vërtetë, ose ata që nuk besojnë në dashurinë e vërtetë?

Këshilla që jap është që së pari të besojnë në dashuri, për çfarë vlen jeta nëse nuk ka dashuri? Duhet të duash çdo herë sikur nuk je lënduar asnjëherë më parë. / revistawho.com