• youuinsttaaffccbb
TEST
2, Fotot, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

INTERVISTA EKSKLUZIVE / Afërdita Dreshaj: E kuptova që Jakub ishte mashkulli i zemrës sime, kur… (PJESA 2)

Nga Eraldo Rexho / Fotot: AlbaPro / Flokët: Lidia Shkreli & Altin Nebihu / Grimi: Vjosa Metaj Cena

(VIJON NGA PJESA 1) Në këtë pjesë të dytë të intervistës, e bukura Afërdita Dreshaj rrëfen muajin e mjaltit, emocionet e bukura dhe lotët që ‘i shpëtuan’ gjatë ceremonisë, arsyet se pse nuk pamë shumë të famshëm në dasmën e saj dhe planet që ka tani çifti i ri. Gjithçka, ekskluzivisht për “revistawho.com”!

Dy ditë pas dasmës për ty erdhi surprizë muaji i mjaltit, në një prej destinacioneve më të bukura të botës St. Lucia… Gjithmonë kështu të surprizon ai?

Muajin e mjaltit e kishim diskutuar disa herë, por meqë Jakub është sportist profesionist i duhet që në një pjesë të mirë të kohës të ndjekë seanca stërvitore. E vetmja periudhë pushimi për të është nga muaji maj në korrik dhe në kushtet kur duhej të përgatiteshim për dasmën, nuk mund të shkonim me pushime. E kishim diskutuar që pas dasmës atij do t’i duhej të shkonte në Tampa për dy javë stërvitje dhe për këtë arsye nuk do të mund të bënim një muaj mjalti. Nuk u mërzita fare me thënë të drejtën, sepse jetesa në Miami është pak a shumë si një muaj mjalti, çdo ditë. Kështu nuk e menduam fare. Por e gjithë kjo kishte qenë një rreng nga Kubi për të më surprizuar. Një ditë pas dasmës u mblodhëm me të gjithë miqtë e afërm dhe familjen duke diskutuar për dasmën dhe duke bërë plazh në Miami. E vetmja që mungonte ishte Jehona, për të cilën më thonin se është në gjumë ngaqë është lodhur. Në të vërtet, atë e kishte dërguar Jakub që të bënte valixhen time gati.

Kur unë shkova më vonë në dhomë, vura re se disa gjëra nuk ishin aty dhe Kubi më thotë: “Qetësohu, sepse duhet të jenë bërë rrëmujë gjatë dasmës dhe i shohim nesër”. Kur zgjohem të nesërmen më thotë kemi për të bërë një udhëtim. Unë i them nuk kam bërë asgjë gati, më thotë mos u shqetëso sepse i ka bërë Jehona për ty, është surprizë. Unë futëm në taksi dhe i them ‘po pse me taksi do të shkojmë’, – ‘po’, – më thotë me taksi. Shkojmë në aeroport dhe kur mbërrijmë atje me tregon se kishte rezervuar si surprizë për ne një javë në St.Lucia. Ishte komplet surprizë dhe ishte gjëja më e bukur që mund të më ndodhte. Kur mbërritëm këtu, pamë mrekullinë me sy. As fotot nuk mund ta tregojnë se sa bukur është këtu.

Kur e kuptove që Kubi ishte mashkulli me të cilin doje të kaloje jetën?

Jakub është një person shumë i veçantë. Njerëzit që e njohin Jakub e dinë shumë mirë se çfarë zemre ka dhe se sa i kuptueshëm e i qetë është si njeri. Në fakt, kur jam njohur me Jakub ka qenë koha më e ngarkuar e jetës sime, isha plot me udhëtime në Europë, Amerikë për shkak të angazhimeve të modelingut dhe këngëve në Shqipëri, si dhe një kontrate tjetër që kisha atje. Nuk rrija shumë në Amerikë, vetëm takoja familjen dhe udhëtoja sërish. Kur takova Jakub i thashë: “uau është koha më e keqe për mua, kjo kur jemi takuar”. Ia kam bërë të qartë që nuk po kërkoja një lidhje dhe ai gjithnjë më thoshte: “pse nuk je pozitive, por mendon gjithë kohës që nuk do funksionojë”. Pas gjashtë muajsh histori, unë e dija që Kubi ishte njeriu me të cilin doja të kaloja jetën time, sepse ai ta bën gjithçka shumë të lehtë.

Si i ke marrëdhëniet me familjen e tij? Po ai me tënden?

Marrëdhëniet me familjet respektive i kemi fantastike. Jakub vjen nga një familje jo aq e madhe sa e imja. Ai e ka humbur të ëmën kur ka qenë shumë i vogël dhe me mamin tim është shumë i lidhur. Mami im e do çmendurisht, ajo thotë gjithnjë: “kam edhe një çun tjetër, çunin e dytë pas Arbërit”. Familjarët e Kubit janë të mrekullueshëm, ka një vëlla, edhe ai është sportist. Është më i vogël se Jakub dhe kemi marrëdhënie shumë të mira.

Cili ishte momenti më emocionues në dasmë?

Në fakt kishte shumë momente emocionuese në dasmë, edhe pse unë e mendoja që dasma duhet të ishte pa lotë, por në momentin që mami më shoqëroi në altar drejt Jakub, në vend të babit, nuk i përmbajta dot lotët. Unë nuk e kam babin, Jakub nuk ka mamin dhe ishte vërtet emocionuese kur u përmendën ata të dy, që do të ishin shumë të lumtur nëse do ta jetonin atë çast, si çdo prind mendoj.

A pati ndonjë traditë shqiptare në dasmë?

Kishim muzikë shqip, normalisht kemi kërcyer shumë. Përpos kësaj nuk besoj se kishim ndonjë traditë tjetër shqiptare.

Dasma e një personazhi publik, në të cilën shohim pak të famshëm… Pse kjo zgjedhje?

Në fakt unë kam ftuar shumë personazhe publike, por ata që ishin pranë meje erdhën nga shumë larg. Nuk e di pse, ftesën ua kam dërguar disa prej miqve të mi, ndoshta sepse Kosova dhe Shqipëria janë shumë larg me Miamin dhe nuk kishin mundësi të vinin.

Çfarë do ndodhë tani me ty, do vazhdosh me muzikën?

Tani kam shumë kohë të lirë , kështu që do të merrem pak me veten time. Do të vazhdoj më muzikën, me këngët, sepse këtë vit jam larguar pak për shkak të gjitha angazhimeve që kisha me jetën private. Sigurisht që do të merrem me veten, karrierën dhe do të mundohem të jem pak më afër Kosovës dhe Shqipërisë.

Ku do të jetojë çifti i ri?

Çifti i ri do të jetojë në të gjitha anët e botës. Për shkak të punës së Jakub ne do të jemi në udhëtim, varet se ku do ta nënshkruajë ai kontratën këtë sezon. Këtë gjë po e shijojmë shumë meqë jemi vetëm ne të dy dhe nuk e kemi fare problem që të jetojmë me një valixhe dhe të shkojmë nga një shtet në tjetrin dhe të bëjmë një jetë të lumtur.

A do ta sjellësh Kubin në Shqipëri?

Jakub ka dashur të vijë në Shqipëri shumë herë, por gjatë kohës që ai ka pushim mundohet që të shkojë të takojë familjen e vet në Çeki dhe të bëjmë pushimin tonë, ndaj nuk na mbetet shumë kohë që të vijmë në Shqipëri. Jakub do të vijë në Shqipëri, në Kosovë dhe Mal të Zi, ku kam lindur unë, shpresoj së shpejti, sapo ai të gjejë pak pushim.

Keni menduar ju për ditën kur do të bëheni prindër?

Nuk e kemi menduar akoma. Çdo gjë në jetën tonë vjen spontanisht dhe pa e menduar, ashtu siç ka ardhur takimi ynë, lidhja, fejesa jonë, po ashtu dhe dasma. Edhe këtë gjë do ia lëmë çastit edhe Zotit, por për momentin do të mundohemi të shijojmë të dy dashurinë tonë dhe jetën tonë të re si burrë dhe grua, që e kemi filluar vetëm disa ditë më parë. / revistawho.com