Ilir Meta flet për familjen dhe festat: Pasionet e fëmijëve të mi, djali ka qejf të bëhet aktor por ne s’jemi dakord


Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në një intervistë të gjatë dhënë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ka folur për fëmijët dhe jetën e tij personale. 

Meta, a jeni person që e ndjeni atmosferën e festave, pra hyni në atmosferën festive?

Padyshim, po të kesh fëmijë le të themi pak të vegjël, gjithmonë do ta ndjesh këtë atmosferë dhe kjo ka filluar që në fund të muajit nëntor me vendosjen e pemës.

Është ajo atmosfera që krijojnë fëmijët, por kur keni qenë fëmijë vetë z. Meta, ka qenë një Shqipëri ndryshe në fakt me shumë mungesa dhe me shumë privacione…

Atëherë, jo një muaj para, por një vit para mendohej për Vitin e Ri, për bakllavanë, gjelin, etj.

Si ka qenë viti 2016 për ju?

Gjithmonë është momenti në një kohë të tillë që të bëhet një bilanc për vitin.

A ka qenë 2016-ta një vit i mirë?

Ka qenë një vit interesant, i veçantë në shumë aspekte, një vit me sfida.

Ku do ta festoni mbrëmjen e Vitit të Ri, z. Meta?

Ne gjithmonë festojmë në shtëpi për Krishtlindje apo për Vitin e Ri, mblidhet e gjithë familja.

Cilat janë pasionet e fëmijëve? Kanë zgjedhur se me çfarë duan të merren? Vajza e madhe dhe djali janë thuajse në një moshë kur mund të zgjedhin…

Ende jo. Vajza e vogël ka dëshirë të bëhet artiste, duket pak si më e qartë, por mendoj se derisa të rritet do të ketë mundësi ta ndërrojë disa herë dëshirën apo pasionin e saj.

Por preferenca e juaj, për vajzën e vogël meqenëse ju e përmendët, cila do të ishte?

Mendoj që fëmijët duhet të zgjedhin atë që ata mendojnë se mund të bëjnë më mirë dhe mund të jenë më të dobishëm e më të qetë me veten e tyre.

Në politikë do ta stimulonit që të merrej?

Absolutisht që jo, për arsye se të stimulosh fëmijën që të merret me diçka për të cilën nuk ka dhunti apo nuk ka pasionin e duhur, do të thotë ta çosh në rrugën e dështimit. Dhe ne kemi vënë re që shpeshherë kanë ndodhur dështime të tilla për arsye se asgjë nuk mund të imponohet, aq më tepër në kohët tona.

Ju personalisht jeni penduar që zgjodhët të merreshit me politikë?

Është shumë vonë për të bërë këtë pyetje dhe shumë vonë për t’u përgjigjur.

Nëse do t’ua bëja pyetjen ndryshe: nëse do të rizgjidhnit sot me kaq eksperiencë sa keni dhe me gjithë këtë bagazh të këtyre viteve angazhim do të rizgjidhnit politikën?

Nuk e di, unë gjithmonë kam qenë i dyzuar në zgjedhjen që kam bërë që në fillimet e mia, por sidoqoftë besoj që ka qenë një angazhim dhe një sakrificë që ia ka vlejtur edhe pse ka qenë shumë e madhe.

Është sakrificë më shumë apo është kënaqësi?

Në rastin tim ka qenë një sakrificë shumë e madhe, sepse gjithçka më është dashur që ta arrij vetë, në kuptimin e sfidave dhe përpjekjeve. Natyrisht i mbështetur nga shumë kolegë, bashkëpunëtorë e kështu me radhë, por ka qenë shumë e vështirë.

Kur zgjodhët ekonominë (ju keni studiuar ekonomi) e zgjodhët vetë, ishte pasioni juaj apo thjesht atje ju caktuan?

E zgjodha vetë. Unë kisha vetëm një qëllim, të mos shkoja për inxhinieri mekanike.

Pse? Shkoi z. Majko nuk i doli keq…

Jo, nuk ishte problem. Për çdo gjë tjetër isha i gatshëm, edhe për shkencat e natyrës e kudo, por sepse në vizatim teknik nuk kam qenë shumë mirë, pavarësisht se në fushat e tjera kam qenë shumë mirë. Vizatimi teknik ka qenë pika ime e dobët, 9 e kam patur notën, por nuk më tërhiqte dhe vetëm këtë shqetësim kam patur. Çdo gjë tjetër për mua ka qenë shumë OK.

Do t’i sugjeronit djalit ose vajzës së madhe që të merreshin me ekonomi?

Vajza e madhe besoj se ka hyrë në këtë rrugë.

Çfarë ka zgjedhur?

Kam përshtypjen se dëshiron të studiojë për financa ndërkombëtare. 

Ka qenë zgjedhja e vet?

Absolutisht e saj.

Po djali ka pasion?

Djali ka qejf të bëhet aktor, por ne nuk jemi shumë dakord.

Si e keni atmosferën me fëmijët? Një person i cili prej 25 vitesh, por edhe nga lindja e fëmijëve është në punë nga mëngjesi deri në darkë, është në udhëtim, është në fushata elektorale, ku gjen kohë për familjen dhe sa të lidhur janë fëmijët me ju?

Mendoj se fëmijët janë më të lidhur me Monikën, por padyshim që unë kam një lidhje shumë të mirë dhe të qëndrueshme, sidomos me vajzën e vogël, dhe gjithmonë përpiqemi të gjejmë kohën dhe vajza e vogël është organizatorja më e mirë e drekave, darkave tona, eventeve të caktuara.

Kënaqen fëmijët nën atmosferën festive të natës së Vitit të Ri ose Krishtlindjeve?

Po, padyshim që kënaqen, sepse siç e thatë edhe ju pak më parë, nuk janë kaq të shpeshta momentet kur ne mund të qëndrojmë të gjithë së bashku.

Nëse unë ju pyes sot: cili është pasioni jashtë politikës, në atë pak kohë të lirë që keni, që nuk ja kushtoni politikës, me se merreni?

Leximi. Edhe si një mundësi për t’u shkëputur nga përditshmëria, takimet, problemet, sepse të gjitha takimet janë me probleme, por edhe për t’u relaksuar.

Sa herë keni menduar që po e lë fare politikën e të iki?

Kjo është si puna e duhanit. Mbaj mend një futbollist të madh të kombëtares sonë, nuk po ia përmend emrin, meqenëse nuk më ka autorizuar, më kujtonte kur ai shkoi te një ekip shumë i njohur jashtë dhe filloi të bënte stërvitjen atje, por ngaqë ngarkesa ishte e jashtëzakonshme çdo natë thoshte se ditën tjetër sa të zgjohem do të kthehem në Shqipëri. Por kur zgjohej e kuptonte se kjo ishte një dështim, që ai nuk mund ta pranonte dhe fillonte përsëri nga e para derisa përfundimisht u përshtat me atë situatë të vështirë.

Që do të thotë se edhe juve ju qëllon shpeshherë darkave të thoni që nuk do të shkoj nesër në mëngjes të merrem me këtë punë dhe përsëri vini të merreni me punën tuaj?

Nuk është tamam kështu, por shpesh ndodhin zhgënjime. Por efektet e tyre janë momentale, pasi shpesh ato kthehen në një motiv më të fortë për të kërkuar suksesin e radhës.

 

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password