close
Intervista

GRUA NË KARRIERË / Rrëfimi i Holta Hebës, pedagoges më ‘cool’ në Shqipëri

IMG_5151

NGA Adela Xhamani / FOTOT: Ani Bajrami

Të jesh grua është e vështirë, shpesh e lodhshme por pa asnjë lloj mëdyshje, shumë e bukur. E dimë (e kemi me statistika në fakt) se ato që na lexojnë më së shumti janë zonjat e zonjushat shqiptare, të cilat kanë lindur e janë rritur në vendin e vështirë të quajtur Shqipëri, e ku sigurisht kanë kaluar edhe ditë të lumtura. Ndaj si për t’i dhënë forcë, besim dhe shpresë që me vullnet, këmbëngulje e dashuri arrihet gjithçka kanë dëshiruar (ndoshta edhe ëndërruar), shpesh dhurojmë biseda me zonjusha e zonja të suksesshme, që ia kanë dalë të jenë aty ku duan. Ju e dini se kryesisht këto rrëfime i marrim nga njerëz shumë të famshëm, duke qëndruar në linjën tonë editoriale, por ndonjëherë kemi parë edhe më tej, tek gratë e suksesshme që nuk i njeh e gjithë Shqipëria, por pa diskutim janë VIP-a në familjen, punën, shoqërinë e tyre. Sot do t’iu prezantojmë me Dr. Holta Hebën. Nëse po pyesni se “Kush është kjo?!”, para së gjithash duam t’u themi se është një vajzë, grua, bashkëshorte e nënë e suksesshme. Por përtej këtyre ajo shkëlqen edhe në profesionin e saj. E takuam në “Universitetin Europian të Tiranës”, ku punon si sekretare e përgjithshme dhe pedagoge në departamentin e marrëdhenieve me publikun, komunikim. Kishim dëgjuar të flitej për një Holta të shkathët, që studentët e përshkruajnë si pedagogen më ‘cool’ në Shqipëri, por ishte hera e parë që i zgjatëm dorën për t’u njohur. E gjetëm në zyrë, e prej andej na shoqëroi tek bari i universitetit, në “cepin” e saj siç e quajti. Na u duk e thjeshtë, por jo dhe aq… Me një artikulim shumë të mirë, veshur “casual” dhe pa asnjë pikë grimi në fytyrë… I kërkuam të na rrëfejë historinë e saj, se gra që ia kanë dalë të shkëlqejnë në këtë vend ka plot, ndaj duhet të rrëfehen për t’i dhënë kurajo simotrave të tyre që do të shkëlqejnë më vonë.

Holta si është dita e një gruaje në karrierë? Sa orë në ditë ju ia dedikoni vetëm punës?

Dita ime nis në orën 9 të mëngjesit dhe në punë jam deri në orën 19:00. E pas kaq shumë orësh, imagjinoni kur kthehem në shtëpi sa mund të jem e disponueshme për të qenë prezente, për të thënë “po, po” e për t’u përgjigjur pyetjeve të fëmijëve.

Po si e menaxhoni këtë?

Gjëja më me mend që kam bërë është të jetoj afër prindërve të mi. I kam komshinj. Pra kemi fatin që fëmijët kanë afër gjyshin dhe nënën. Janë ndihmë dhe mbështetje e madhe për mua.

Sot jeni grua në karrierë, nënë e dy fëmijëve, bashkëshorte… Kur ishit ende pa nisur asgjë nga këto, çfarë jete ëndërronit, çfarë profesioni?

Mbaj mend që kur isha e vogël doja të bëhesha aktore ose mësuese, që po ta mendosh thellë, të dyja kanë në thelb komunikimin. Që kur kam nisur shkollën, im atë ka investuar për mua. Kur isha në klasën e dytë nisa një kurs frengjishteje, ndërsa vëllain tim e dërguan në kurs anglishteje. E deri në fund të 8-vjeçares unë bëra kursin dhe isha më e vogla e grupit. Ndërkohë ëndrra ime rritej bashkë me shkollën e unë vazhdoja të dëshiroja të bëhesha mësuese. Por kur nisa studimet e larta, aplikova për farmaci në Rumani duke bërë të gjithë dokumentacionin gati. Në fund im atë tha “jo” pasi vëllai im kishte ikur jashtë, e ata refuzonin të mbeteshin pa asnjërin prej nesh. Kështu, vendosëm të konkurroja për gjuhët e huaja (frengjisht). Fitova në këtë degë dhe kështu ëndrra për të qenë mësuese vazhdoi dhe pas viteve të para të fakultetit. Mesatarja e lartë e vitit të parë dhe të dytë të studimeve, lejonte që të profilizohesha si përkthyes-interpret. Punët e mia të para ishin si përkthyese në televizione private që kur isha ende studente.

Si i kujtonit herët e para në punë?

E vërteta është se kushtet që më kish krijuar familja ime më lejonin të mbaja thjesht statusin e studentes dhe jo domosdoshmërisht të punoja. Dhe im atë asokohe më thoshte “ti s’ke nevojë, s’ke pse punon, duhet të fokusohesh tek studimet”. Por unë kisha një dëshirë shumë të madhe të punoja, e rrija e i ndiqja hapësirat në televizonet private për përkthim. Më kujtohet se shkoja e merrja kaseta e përktheja filma në shtëpi. Më pas u futa si përkthyese e brendshme.

Po pse një njeri që nuk i mungon asgjë, kërkon të punojë që në moshë të re?

Në rrethin e të gjithë njerëzve që më njohin, unë gjithmonë jam shquar si një njeri energjik, që nuk rrija dot në një vend. Nuk mund të rrija dot dhe e kisha pasion. Aq sa bëja përkthime për veten time, për qejfin tim. Kujtoj që në klasën e 8-të kam përkthyer një libër që më kishte sjellë një kushëri nga Zvicra në frengjisht, “Borgjezi fisnik” dhe e përktheja me fletore, me shkrim dore. As vetë nuk e di se pse e kisha kaq pasion të shkruaja.

Po me bashkëshortin kur u njohët?

Pikërisht në periudhën kur isha studente dhe përkthyese.

A nuk kishit frikë se po të krijonit familje s’do t’iu mbetej më kohë për studimet dhe punën që e donit aq shumë? Si erdhi vendimi? Sa vjeç ishit?

Shumë gradualisht. Bashkë vendosëm që nuk do të shkëputesha nga dëshirat e mia. Studimet nuk i ndërpreva dhe kur kisha sezon provimesh, studimet ishin prioriteti. Unë jam bërë nënë për herë të parë në moshën 24-vjeçare.

Vajzë e përkëdhelur, me para, me përkujdesje e mbështetje të madhe… Jeni e vetëdijshme se sa me fat jeni?

Po! Por pavarësisht këtyre, nuk mund të them se jeta ime ka qenë gjithmonë në majat e lumturisë. Është e vërtetë që kam qenë aty ku kam dashur, por kam luftuar për ta arritur pa u ndalur asnjëherë. Nuk kam ndërmend të ndalem (qesh). Kur kam nisur dhe përfunduar një master të nivelit të dytë si dhe doktoraturën, kam qenë “mami e dy fëmijëve”. Kjo periudhë ka qenë tepër e ngarkuar, por ideja që unë e bëj, më jepte gjithë energjinë për të çuar gjithçka deri në fund. Përndryshe nuk do të isha unë.

Njësoj jeni edhe sot, pas kaq vitesh?

Po, e njëjta situatë.

Nuk jeni lodhur fare? Cilat janë punët tuaja sot?

Ndoshta si pasojë e karakterit tim, nuk e lë veten pa ngarkesa, por prioritetet kanë ndryshuar. Tashmë jam pedagoge në  departamentin e marrëdhënieve me publikun. Shkruaj në gazetën “Mapo”, e kam edhe rolin drejtues si sekretare e përgjithshme në “Universitetin Europian të Tiranës”. Jam gjithë ditën në komunikim me njerëzit, në të gjitha format e komunikimit, “online” dhe përballë dhe më pëlqen. Pra, bëj shumë gjëra njëherësh thjesht sepse e ndjej që e bëj. Ditën që do të më shterojnë energjitë nuk e di a do të jem më unë.

Po fëmijët, bashkëshorti nuk janë lodhur që ju jeni shumicën e kohës në punë?

Në momentin që shoh se ata lodhen, filloj dhe i rri pak më pranë, i llastoj dhe kështu përpiqem të gjej balancën. Gjatë kohës që unë jam në punë ata gjithashtu janë të zënë me punë dhe me shkollë. Dita nis me mëngjesin e kafen të gjithë bashkë. Fundjava është shumë e shenjtë për ne, pasi aty e shijojmë edhe më shumë njëri-tjetrin. Flasim për gjërat që lamë pas dhe ato që na presin.

Pra koha për t’i bërë të gjitha gjendet? Se thonë se një grua s’e gjen dot kohën për t’i bërë të gjitha…

Të gjendet në mënyrë totale, ndoshta jo. Jam dakord. Por kush dëshiron, e arrin. Pastaj duhet edhe pak sakrificë. Unë fëmijët i kam lënë shumë të vegjël dhe kam dalë në punë, por rritjen e tyre nuk e kam humbur në asnjë moment. Mendi është 13 vjeç ndërsa Noeli 10, e tani që janë më të rritur ata e dinë se “vërtet mami nuk është gjithnjë e pranishme fizikisht, por është gjithnjë mbështetje për ta. Pra ata s’kanë asnjë lloj detyre tjetër përveçse të jenë të edukuar e të mësuarit të jetë parësore. Kur ata e plotësojnë këtë, unë përpiqem t’ua shpërblej në mënyra të ndryshme, sidomos me udhëtimet jashtë vendit që bëjmë bashkë. Njësoj siç bënte dikur im atë me mua.

Po jashtë të gjithave këtyre, kur gjeni kohë vetëm për Holtën? A keni një pasion, diçka që e bëni vetëm, për veten?

Sigurisht që gjej kohë edhe për të marrë veten me të mira. Përndryshe nuk do të isha e lumtur dhe e motivuar për të ecur përpara. A kam pasion? Mmmm Më pëlqen sporti. Noti dhe ecja sportive.

Duket sikur keni arritur gjithçka dëshironi. Po për më pas, çfarë mendoni? Keni një qëllim përtej?

Nuk mund të them dot që stopova, deri kaq doja të arrija. Jo. Jeta është shumë e gjatë e nuk dihet. Investoj për “CV”-në time që është në rritje dhe nuk besoj se ka një vijë të kuqe që thotë se deri këtu lejohet të mbushet “CV”-ja. Njeriu jeton e duke jetuar shprehet. Kërkesa për veten kam pafundësisht e nuk heq dorë nga egoja ime. Tani që po flasim akoma nuk kam aspiratë për të zënë vendin e kryeministrit (qesh). Por do vazhdoj të jetoj, të shpreh, e të them me fjalë apo në letër, atë që mendoj. Artikujt e mi janë të drejtpërdrejtë. Kam thënë e do të vazhdoj të them vetëm të vërtetën të menduar nga unë.

Cila prej këtyre shumë punëve që bëni, ju jep kënaqësinë më të madhe?

Të gjitha bashkë, por pjesa që më gëzon më shumë është në momentin kur hyj në auditor dhe studentët i gjej të buzëqeshur. Ky është feedback-u më pozitiv që mund të marr nga puna ime.

Po në sferën personale, cila është pjesa që ju gëzon më shumë?

Mendi dhe Noeli janë prioriteti im. Kur ata janë mirë, unë ndihem perfekt.

Nëse do t’i jepnit një sugjerim vajzave të reja që akoma nuk e kanë nisur rrugën e jetës, e si ju duan të bëjnë e atë arrijnë gjithçka, cili do të ishte?

Të mos heqin kurrë dorë nga ajo çfarë duan të bëhen edhe nëse marrin “jo” si përgjigje, sikurse i kam marrë dhe unë në shumë raste. Për askënd nuk është e lehtë. Fuqinë duhet ta gjejnë brenda vetes së tyre. Njeriu nuk duhet të dorëzohet. Pengesa dhe vështirësi ka pafund, po nëse vajzat e reja mendojnë se mund ta bëjnë diçka, le ta çojnë deri në fund me këmbëngulje. Kur ndërton vetë me zgjuarësi, e ke shumë më të lehtë për të përballuar gjithçka me mençuri. Mençuri është të njohësh limitet e aftësive të tua, dhe zgjuarësi është të dish se aftësitënuk kanë limite… / revistawho.com

Tags : Grua Ne KarriereHolta Heba
loading...