Flet për herë të parë Sali Lushaj: Pse nuk dorëzohet Stresi në polici


Problemet për Stresin duket se janë rikthyer sërish. Pas një video ku reperi shfaqet duke gjuajtur me armë, ai është shpallur në kërkim dhe policia ka qenë në shtëpinë e tij për kontroll. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar për herë të parë ekskluzivisht për suplementin “Bluetooth” të Gazeta Shqiptare babai i tij, Sali Lushaj. Sipas tij arma e sekuestruar ka qenë me leje dhe video e Stresit është montazh. “Spiunët që janë bërë me keq se në kohën e Enverit, kanë informuar se unë kam një armë dhe për të më sulmuar” është shprehur Saliu për “Bluetooth”. Nga ana tjetër ai është shprehur se do të bëjë padi ndaj policisë, pas publikimit të videos në ambientet e shtëpisë së tij.

Z.Lushaj, policia e Tiranës e ka shpallur në kërkim djalin tuaj Arkimedin dhe zyrtarisht ka informuar se ka nisur procedurat administrative për heqjen e lejes për të mbajtur armë. Si rrodhën ngjarjet?

Më duhet së pari, të sqaroj se djali im Stresi, nuk ka qëlluar me armën time. Atë armë unë e kam prej kohësh në shtëpi me leje dhe e mbaj në mënyrë të ligjshme. Spiunët që janë bërë me keq se në kohën e Enverit, kanë informuar se unë kam një armë dhe për të më sulmuar, u shfrytëzua rasti dhe policia erdhi në shtëpi.

Në fakt, në rrjete sociale qarkullon një video ku djali juaj shfaqet duke qëlluar më armë e mbi bazën e saj policia e ka shpallur në kërkim. Po për këtë ç’mund të na thoni?

Është një video që e kanë parë të gjithë, e për mua nuk është asgjë tjetër, veçse një trillim dhe një montazh. Po ky shtet më ka sulmuar e po më sulmon vazhdimisht. Po një gjë dua të them: “Jam dhe do të mbetem kundërshtar i këtij pushteti. Idealet e mia s’mund të m’i burgosin, edhe sikur të më ndalnin bashkë me Stresin. Do mbetem i djathtë deri në vdekje. Jam mësuar më këtë pushtet, se baballarët e këtyre që sot drejtojnë më kanë internuar, e sot po bëjnë të njëjtën gjë edhe bijtë e tyre.”

Meqë ju videon e cilësoni montazh, atëherë përse djali juaj nuk dorëzohet dhe të sqarojë pozicionin e tij?

Ku të dorëzohet? Te kjo polici? Nuk kemi aspak besim. Këta janë drejtues që rrinë tërë ditën me kriminelë, hanë e pinë me ta, e kanë mbështetjen e tyre. Përse im bir të rrijë në burg, kur s’ka kryer krim. Është tmerr në këtë vend, kur në burg vetëvritet një djalë që është kapur me pak gramë hashash, më dhimbset ai fëmijë, e ndërkohë trafikantët bredhin të lirë.

Po sa i përket policisë, si ishte sjellja e oficerëve karshi jush?

E respektova policinë dhe konform ligjit lejova të kryenin veprimet hetimore. Por më vonë u vura në dijeni të shpërndarjes së një videoje nga ana e policisë, ku ekspozohen ambientet private të banesës sime. Këtë aspekt do ta ndjek në rrugë ligjore.

Çdo të thotë kjo?

Nëse nuk kërkojnë falje publike, do të ngre padi ndaj policisë për shkelje të privatësisë. Nuk mund të lejoj nëpërkëmbjen e shkeljen e të drejtave.

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password