Ai u bë çift me Xhensila Peren në “Big Brother 8”, duke spikatur si lojtari më i fortë i edicionit të shkuar. Nga debatet e forta me rivalët e deri te skenat e nxehta në dush me ish-të dashurën miss, Fatjon Hysenbelliu shfaqi karakterin interesant në lojën e egër para kamerave. Tashmë i përkushtuar ndaj biznesit të tij, 26-vjeçari nga Skrapari komenton lojën e “Big Brother 9” për gazetën “Panorama” në të gjitha aspektet e saj, njohjet personale me banorët dhe fituesit, sipas tij.
Protagonizmi yt në “Big Brother” të dha famë, ndoshta më shumë se lojtarët e tjerë. Si është jeta pak asaj eksperience televizive?
Kam ngritur kompani ”real estate” dhe aktualisht po hapim zyrën e tretë në 1 vit e gjysmë. Jemi një grup të rinjsh me një objektiv për t’u bërë më të mirët në fushën e investimit të pronave.
Të kujtojmë çift në “Big Brother” me Xhensila Peren. Meqë bëtë shumë fansa si çift, a mund të na e përshkruash në sa faza kaloi lidhja juaj nga loja në realitet?
Proceset ishin normale si çdo raport, si brenda dhe jashtë saj, deri te ndarja me konsensus.
Edhe në festën e organizuar nga produksioni i “Big Brother” pak javë më parë me ish-banorët ishit bashkë. Keni mbetur miq të mirë pas konsensusit?
S’kemi arsye për të qenë armiq, dhe jo vetëm me Xhensilën, por me të gjithë banorët. S’kam arsye të urrej apo ta inkuadroj tek armiqtë.
Ju ishit një hap para strategjisë së re, pasi luajtët çift. Është kjo mënyra më e mirë për fitore?
Për ne ishte diçka e ndjerë dhe aspak strategjike. Më mirë mund të them diçka spontane, që e shijuam sipas mënyrës sonë.
Skenave tuaja të famshme në dush u janë afruar çifti i lojtarëve aktualë, Danjeli dhe Fotinia. Mendon se ata po ndjekin stilin tuaj?
Të gjithë jemi të ndryshëm dhe lojën e bëjmë ndryshe. I ngjashëm është vetëm “dushi”, i cili uroj të shfrytëzohet si duhet.
Këtë vit produksioni i “Big Brother” i orienton lojtarët te dashuria, por jo te seksi. A mund të ndjesh vërtet në atë lojë, dhe si mund t’i rezistosh tundimit fizik?
Ekuacion paradoks për mua nëse i bën çift dhe s’i lejon ta shijojnë deri në fund raportin. Besoj se do të shkelet ky rregull, se vetë presioni do t’i detyrojë ta gjejnë mënyrën për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate.
Njeh ndonjë nga banorët personalisht?
Damianon dhe Ervinin i njoh pak nga afër.
Pikat e forta dhe të dobëta të secilit?
Debatet dhe situatat që krijojnë, janë pikat e forta të tyre. Pikë e dobët është të qenët impulsiv, pasi ka raste që të dëmton.
Cili nga banorët të pëlqen vërtet për karakterin luftarak që ka?
Banori që më pëlqen është Damiano, ka karakter të ngjashëm me mua dhe tip që krijon situata. Uroj ta fitojë!
Çifti më simpatik sipas teje?
Si çift më pëlqejnë Danjeli me Fotininë.
Sa e mundur është ta fitojnë lojën çifti i lesbikeve, Kei dhe Vivi?
E shoh të pamundur. Janë në proces loje, derisa mos të kenë me çfarë të japin dhe do të dalin.
Duket sikur në “Big Brother” kanë nisur tradhtitë e çifteve. A bëhet kjo për lojë, apo në atë shtëpi natyrshëm të lind dëshira për të tradhtuar?
Ajo është loja që duhet ndjekur për të bërë show. Njerëzit duan diçka të tillë dhe kush do të arrijë të bëjë këtë lojë, mendoj që do ta fitojë “Bigun”.
Mendon se ndonjë çift mund të përfundojë i martuar pas daljes nga loja?
Mendoj që po, pasi aty e forcon më tepër një raport nëse vërtet ke ndjenjë për personin në krah.
Kujt do t’ia besoje fitoren?
Mendoj që Damiano do t’ia dalë nëse vazhdon me këtë ritëm.