close
Intervista

Eni Çobani: E vërteta e largimit nga “Shihemi në gjyq”, ofertat e politikës dhe pengu i jetës sime

maxresdefault (1)

Misioni vazhdon”; kështu e nis dhe e mbyll juristja e njohur rrëfimin e saj për “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare”. Teksa ditët e fundit portalet po ‘ziejnë’ nga lajmi se Eni Çobani do të largohet nga “Shihemi në gjyq” dhe do të nisë rrugëtimin e politikës, juristja e mirënjohur ka sqaruar të gjitha këto zëra. Më tej Eni na zbulon luftën e saj të përditshme me padrejtësitë, duke na zbuluar se lumturia më e madhe është fitorja. Krahas angazhimit me njerëzit, jeta duket se ecën më së miri. Edhe pse ka një familje të shëndetshme, Eni Çobani ka veç një peng, që nuk ka bërë një vajzë…

Është folur se Eni Çobani do të largohet nga “Shihemi në gjyq” e do të futet në politikë. A është e vërtetë?
Sa e befasuar jeni ju, jam edhe unë nga këto deklarata. Dhe më vjen habi që këto deklarata vihen në gojën e një njeriu si unë, që e njoh mirë se ç’është media, se ç’është rëndësia e një fjale kur hidhet në publik, dhe që normalisht janë totalisht të pavërteta. Unë kam thënë vetëm opinionin tim se çfarë po ndodh në Shqipëri, të drejtë që e ka çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë, dhe nuk kam aluduar për asnjë moment fakte për të cilat janë hedhur së fundmi në publik. Shpreh keqardhjen time të thellë për sa u përket fjalëve të cilat dikush mund t’i mendojë dhe i vë në gojën e Eni Çobanit. Eni u përgjigjet vetë të gjitha pyetjeve që mund të ketë dikush dhe mund t’ia bëjë dhe drejtpërdrejt.
Eni nuk do të largohet?
Misioni vazhdon! Javë pas jave do të jemi atje me zotin Gjebrea, të vazhdojmë këtë mision të madh jo vetëm tonin, por është misioni i shqiptarëve që duan drejtësi. Dhe Eni Çobani e ka zgjedhur prej pesë vitesh edhe vendin e saj, është motivi im, dhe do të vazhdojë në ndihmë të shqiptarëve.
Kush ishte shkaku që doli fjala që do të largoheni?
Më vjen keq të ridiskutoj gjëra që kanë kaluar, janë thënë gjëra të pavërteta. Njerëzit, nga dëshira për të pasur njerëz të rinj në politikë, dëshirojnë që të marrin edhe njerëz nga shoqëria civile dhe t’i implementojnë brenda politikës, pa kuptuar që këto janë zgjedhje individuale, personale, dhe jo të formuara nga dëshirat e njerëzve. Pra Eni Çobani nëse këto zgjedhje do t’i kish bërë, do t’i bënte me kohë dhe do t’ia kishte vënë publikut përballë zgjedhjet e saj, por ju më keni parë që unë e kam bërë zgjedhjen time; unë jam pjesë e sistemit të drejtësisë, jam e nderuar dhe e privilegjuar nga një bashkëpunim siç është ai me zotin Gjebrea dhe me televizionin “Klan”, dhe që nuk e kam menduar për asnjë moment largimin apo ndarjen e këtij misioni timin shpirtëror, tanimë dhe profesional, nga fusha e ndërmjetësimit. Pra Eni Çobani përfundimisht do të vazhdojë ndërmjetësimin me shqiptarët, për t’iu thënë edhe politikës, edhe opinionit, që pa vënë drejtësi në këtë vend nuk do të ketë kurrë qetësi.


Keni marrë një ftesë nga politika për të qenë pjesë?
Nëse unë do të thosha “Jo”, besoj se edhe ju që ju kam përballë, nuk do ta kishit besuar. Për të qenë e vërtetë me ju, jo vetëm sot, por edhe para 4 vitesh, patjetër që eksponentë politikë, duke dashur të fusin njerëz nga shoqëria civile brenda kuadrit politik, bëjnë oferta nga më të ndryshmet. Këto oferta nuk i bëhen vetëm Eni Çobanit, por shumë personazheve, si mediatikë, edhe shoqërorë, edhe socialë. Por kjo është një zgjedhje personale. Zgjedhjen time unë e kam bërë.
Në fakt Eni nuk do të bëhet pjesë e politikës?
Unë nuk jam pjesë e politikës shqiptare. Në momentin që unë do ta mendoj që të bëhem një njeri politik, do të jeni ju të parët që do të merrni mesazhin prej meje. Por unë politikën time e kam zgjedhur, dhe politika ime është vetëm drejtësia.
Po pse nuk keni pranuar deri më tani të jeni pjesë e politikës shqiptare?
Pyetje e vërtetë. Ndoshta këtu është e gjithë problematika. Nuk e kam pranuar, sepse kam besuar se njeriu kur hyn në politikë duhet të ketë realizuar disa gjëra në jetë. Dhe ti, që të vihesh përballë një populli dhe t’i premtosh realizime të caktuara, duhet që për vete të kesh realizuar disa objektiva të jetës tënde. Unë akoma nuk e ndjej veten që i kam realizuar disa objektiva, dhe të dal t’u them shqiptarëve që ‘unë jam modeli që ju duhet të ndiqni’. Më vonë mund të kem kurajën apo guximin të ndërmarr një hap tjetër. Sigurisht që mund të thoni ‘Zonja Eni, keni bërë disa gjëra në jetë’. Unë me veten time dhe në raport me shqiptarët ndjej se kam akoma për të bërë në sistemin e drejtësisë. Unë besoj se jam në vendin e duhur, në kohën e duhur për të ndihmuar shqiptarët.
Mendoni se politikanët shqiptarë i kanë realizuar objektivat, që dalin dhe flasin për modelin që shqiptarët duhet të ndjekin?
Nuk doja t’i jepja vetes të drejtën që të gjykoj. Unë kam bërë detyrën time, kur kam shkuar kam votuar për t’i dhënë vetes mundësinë të reagoj për gjërat që nuk më pëlqejnë. Unë jam një natyrë reaguese dhe gjithmonë i shoh gjërat me sy kritik. Në momentin që ju më pyesni, nuk mund të flas me emra të përveçëm.
Pesë vjet “Shihemi në gjyq”, me qindra raste ku keni marrë pjesë. Sa mendoni se ka ndihmuar Eni në sistemin gjyqësor në Shqipëri?
Drejtësia për mua nuk është thjesht profesion apo pasion, por është mbi të gjitha dashuri. Ngrihem në mëngjes me mendimin se do bëj mirë, dhe ju garantoj që më ndodh shpesh që e përfundoj ditën me dashuri njerëzore dhe këshilla juridike. Kaluan pesë vjet, kanë kaluar në mënyrë të beftë edhe për mua e Gjebrean. Ajo që mua më ka lumturuar më shumë janë takimet në rrugë, ku njerëzit më ndalojnë duke më thënë “Zonja Eni, faleminderit shumë për mësimin që na jepni”. Ne me të vërtetë nuk kemi pasur mundësi t’i takojmë të gjithë, por nëpërmjet komunikimit tonë, ata kanë mësuar disa gjëra. Pra ne kemi ndihmuar edhe shumë shqiptarë të tjerë për të arritur te zgjidhja që ata dëshirojnë.


A besoni se mjafton kaq?
Jo, në asnjë mënyrë! Unë jam vetëm një qytetar i mirë, i drejtë, por këtë duhet ta thonë të tjerët për mua.
A ka të tjerë si Eni Çobani?
Patjetër që ka! Drejtësia ka shumë elementë, ka gjyqësorin, ka prokurorinë, ka avokatinë, ka arbitrazhin, ka noterinë. Pra të gjithë ne jemi një armatë e sistemit të drejtësisë. Sistemi ka shumë njerëz të mirë, por opinioni publik, shpeshherë i prekur nga padrejtësisë, nxjerr në pah anën e keqe. Prandaj dhe unë them shpesh, ne këtë sistem nuk e kemi kundërshtar, i kemi bashkudhëtarë. Mbi të gjitha ata janë njerëz si ne, që dalin nga kjo shoqëri. Nuk duhet t’i gjykojmë në ekstrem, sepse çdo vendim i tyre merr një tjetër vendim në një shkallë më lartë. Duhet të fillojmë ta pastrojmë pak nga pak imazhin e drejtësisë shqiptare. Drejtësia është aty, ne do ta marrim, vetëm duhet pak durim.
Publiku ju shikon si idhull; po kolegët, si e shikojnë rolin e Enit?
I falënderoj pafundësisht kolegët e mi. E para që më ndjekin, pra gjejnë kohën ulen dhe më shikojnë. Ka mes tyre edhe nga ata që më kritikojnë, ata që më kritikojnë i dua edhe më fort. Realisht, drejtësia dhe ligji, në momentin që ti e interpreton, varet nga këndvështrimi. Kritika është gjithmonë e shëndetshme, të bën të ecësh përpara dhe të reflektosh. Eni Çobani çdo të diel nuk bën thjesht një format “Shihemi në gjyq”, por jap provim me të njëjtin impenjim. Çdo të diel ka një punë intensive nga ana ime.
Dukeni si në luftë me padrejtësitë; po juve, ndodh që t’ju bëjnë padrejtësi?
Shumë. Ne luftojnë që t’u japim të drejtën shqiptarëve, dhe kur ti merr përsipër që të kërkosh të drejtën dhe merr një vendim që të bëhet padrejtësi, patjetër që ke një reagim. E di se çfarë bëj në fund? I marr qytetarët dhe mundohem t’i qetësoj, edhe pse brenda vetes mund të kem një keqardhje. I them ‘durim, dhe ne do ta fitojmë’. Unë jam e sigurt që në këtë sistem ka njerëz që këtë profesion e duan kaq sa unë.
Sa ndikojnë në të përditshmen çështjet e Enit?
Janë bërë pjesë e jetës sime. Sigurisht që, edhe nga njerëzit e mi të afërt kam filluar të marr kritika për këtë gjë. Të them të drejtën, nuk e ndaj dot veten nga ajo që unë shikoj te njerëzit.
Si është jeta juaj kur e mbyll kapitullin e emisionit dhe punën me sistemin e drejtësisë?
E lumtur; nëse do të më shikonit në atë moment, jam shumë e lumtur. Edhe kam pritur gjatë për këtë lumturi, por fitorja mbi padrejtësinë për mua është suksesi më i madh që unë i falur vetes kundrejt asaj që unë bëj për njerëzit.
Jemi në sezonin veror; ku do të pushoni?
Kjo është gjëja e fundit që unë mendoj. Megjithatë, prej vitesh kam një vend në të cilin veroj dhe nuk lodhem shumë, sepse e di që atje do të shkoj. E di që do të pushoj, s’do të kem kontaktet e përditshme. Të them të drejtën, më duket pak gjatë, sepse filloj mendoj që duhet të rinis punën. Nuk jam natyrë që dua të pushoj gjatë, por duhet të respektoj edhe dëshirën e familjarëve të mi.
Si e kompensoni kohën e humbur me familjen?
Ne kemi një dashuri shumë të madhe me njëri-tjetrin, e respektojmë shumë njëri-tjetrin. Unë kam qenë gjithnjë shumë e angazhuar. Tani që teknologjia ka ecur, unë jam gjatë gjithë kohës në kontakt me ta. Vëmendja ime më e madhe është djali. Ai tani është në momentin që duhet të vendosë për rrugën që do të zgjedhë, dhe ka angazhimin tim maksimal. Kështu që, familjes Eni nuk i mungon; i mungon si kohë fizike ndoshta, por jo si dashuri njerëzore dhe shpirtërore.
A e keni peng që nuk keni një vajzë?
Mos më pyet për këtë, sepse do të lotoj. Është një mungesë e jashtëzakonshme! Jo se këtë mungesë nuk ma plotëson djali, ma ka premtuar se do ta bëjë ai një, kështu që nuk do të më mungojë. Duke ditur se çfarë jam për familjen time, mendoj që një vajzë, po ta kisha bërë unë, do të ishte e veçantë. Është një peng.
A keni diçka të fundit për të thënë për shqiptarët?
Misioni vazhdon! Javë pas jave, Eni Çobani do të jetë aty ku ju e keni parë, me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën dashuri. Unë rrugën time e kam zgjedhur, dhe do të jetë rruga e jetës sime, drejtësia!/ gsh.al

 

loading...