EKSKLUZIVE NË REVISTAWHO.COM / Agron Llakaj: Sezoni i ri i “Al Pazar”, ja pse refuzoj çdo ofertë dhe qëndroj në “Vizion Plus”

whoooo kopertina agron llakaj.indd

Nga Suada Daci / Fotot: Pirro Beati

Pak ditë më parë teksa kontrolloja kanalet televizive shqiptare, telekomanda mbeti tek “TVSH”. Fillimisht tek prezantuesja e dashur Silvana Braçe dhe më pas tek një djalë i talentuar, që imitonte dy nga aktorët e humorit shkodran Tano Banushi dhe Paulin Preka. Asokohe ishte student i vitit dytë në Akademinë e Arteve, ndërsa sot që flasim është një nga aktorët më të mirë të humorit shqiptar. Saktësia dhe perfeksioni në imitim e kanë dalluar Agron Llakajn nga të gjithë komedianët shqiptar. Producenti dhe ideatori i “Al Pazar” (që nis këtë të shtunë) është gjithnjë i kursyer për intervista, por këtë herë ka zbuluar shumë informacione jo vetëm për “Al Pazar”, por edhe për jetën e tij private. Andaj nëse jeni kuriozë të dini se si është Goni si “shef”, bashkëshort, baba dhe mbi të gjitha si gjysh (i Adeas, dashurisë së tij më të madhe), e zbulojmë bashkë në këtë intervistë të sinqertë dhe mbi të gjitha plot humor për “revistawho.com”

Jemi në vitin e pestë të “Al Pazar”, por përpara se t’ju pyes për risitë, përse nuk lëviz Agron Llakaj nga “Vizion Plus”. Dimë që ofertat nuk ju mungojnë?
Duke shprehur kënaqësinë që intervistën ose këtë bashkëbisedim e ndaj me lexuesin tuaj, më lejo të pranoj se është e vërtetë që kam patur oferta, nënkupto që ndihem i vlerësuar. Por nga ana tjetër, ndihem po kaq i vlerësuar dhe bashkëpunues nga drejtuesit e “Vizion Plus”.
“Al Pazar” e mori aty mbështetjen e parë, nuk më kërkoi kush, ‘jo po çfarë do bësh? Çfarë është kjo?!, etj’, por më thanë, ‘çfarë duhet nga ne për ta mbërritur…dhe suksese!’ Jam mirënjohës dhe mendoj që suksesi i “Al Pazar” ka justifikuar edhe besimin e drejtuesve. Jemi në vitin e pestë dhe tashmë “Al Pazar” është pjesë e imazhit të “Vizion Plus”, si një nga programet më popullore në Shqipëri. E rëndësishme është që me ta ndaj sa miqësi po aq edhe përgjegjësi. Është shumë i rëndësishëm për mua komunikimi dhe besimi.
Si shkuan pushimet verore?
Kam shijuar pushime të paharrueshme, së pari dielli… Diell si ky i joni nuk ka në botë, së dyti deti jonë. Nuk ka si ky det në asnjë vend të botës, sepse ai ndodhet këtu. Hotelet tona, të papara, së treti ushqimet tona karakteristike, paidhaqe, suflaqe e shumë me.. aqe në fund… Së katërti shërbimi. Nuk gjen shërbim më të kulturuar se në bregdetin tonë. Për shembull, një qytetar i tha kamarierit se peshku nuk ishte i freskët. Erdhi menjëherë pronari dhe me shumë qytetari e rrahu, kurse ne të tjeret hanim peshkun me qetësi duke i buzëqeshur atij. Dhe tjetra, ajo që më lë pa mend por dhe më bën shumë krenar, kur dëgjoj që ne kemi bregdetin më të ‘virgjër’ në botë më hipën një krenari deri në mallëngjim. Nuk ngopem së prekuri këtë virgjëri. E çfarë do të donim më shumë se ‘virgjëria’, shkuma party, muzika deri në Bari, çmimet si në Miami. Por qershia mbi tortë ishte se unë pashë nga afër madje shumë nga afër, kë do thoni ju?! Atë vetë, udhëheqësin tonë Edi Rama. Edhe ai lahej në këtë virgjëri… Nuk e pashë nga fytyra se qëndronte vetëm me kurriz…Një fotograf që pa lejen e tij i bënte fotografi dhe ai vetëm buzëqeshte dhe i thoshte më nxirr vetëm me shpinë se ngjaj bukur!
Por mbi të gjitha bukurinë e pushimeve të mia e shtonin mbrëmjet, shumë gomerë të ngarkuar që zbrisnin në drejtim të detit dhe fshatarët që përshpërisninin, bereqet, bereqet… Hashashi është bërë shumë sivjet! I një cilësie për t’u patur zili! Të gjitha këto e bënë verën dhe pushimet e mia më të bukura, prandaj me zë të brendshëm them “O sa mirë me qenë shqiptar”! Pa ohej në fund se s’dua të shqetësoj njerëzit. Ahhh, kur do vijë sërish vera?!… Sa mall që kam, të pastër por s’e shes dot!

img_7744-edit
Me gjithë këtë sagë nga rrjetet sociale kemi parë që keni lëvizur shumë këtë verë. Ç’ka do të thotë se jeni i freskët dhe i karikuar për punë apo jo?
Më falni por nuk më pëlqen fjala “karikim”, se kështu jeni ju gazetarët, të provokoni dhe hajde ta gjej unë se për çfarë e ke fjalën ti. Nejse, kam lëvizur dhe e shijova vërtetë, bëra një guidë të bukur për të shkuar te ime bijë në Luxembourg, një aventurë me makinë ku shëtitëm nëpër Itali, Zvicër, Francë, Belgjikë, Holandë dhe Gjermani. U afeksionova pas atij udhëtimi, kur pashë gjithë ato vende të bukura aq shumë u mahnita sa i thashë vetes, kthehu. Ti tashmë je i karikuar dhe vetëvetiu aty, mu në Champs Elysees bërtita ‘O sa mirë me qenë shqiptar’! “O hej!”, nuk e thashë dot se asnjë nuk e ktheu kokën kur bërtita unë.
“Al Pazar” pritet të fillojë në tetor, a do të keni ndryshime në staf?
“Al Pazar” është një portë e hapur për këdo që ka dëshirë të promovojë talentin, ta ushqejë dhe ta rrisë atë, (në qoftë se ka kuptohet). Stafi është po ai, përveç një prurjeje që ka eksperiencë në shoë të tjerë. Me kalimin e kohës trupa ka krijuar vlerat e një ansambli dhe si e tillë, ndaj kënaqësi me ‘rritjen’ e tyre, e në qoftë se shikueshmëria por edhe popullariteti janë rritur, kjo vjen edhe për meritën e tyre. Humori është art i bukur, nëse i dhuron dashuri, ta kthen me dashuri.
Cilat janë risitë e këtij sezoni të ri dhe çfarë mund të na zbuloni nga puntata e parë?
Proçesi krijues dhe kërkues është i pandashëm tek të gjithë aktorët. Jemi në një fazë audicionesh për të krijuar gjetje të reja, për të patur shumëllojshmëri, gjithmonë në kërkim, gjithmonë për diçka ndryshe. Risi do të jetë cilësia, personazhe të rinj dhe skenografia e re.
Matjet e audiencës tregojnë që të shtunën shqiptarët janë tek ju. Si ju bën të ndiheni ky fakt, në një kohë kur telenovelat turke po bëjnë namin?
Natyrisht që ndihemi mirë, të vlerësuar pse jo, por në përgjithësi e mbështesim punën jo te gara për shikueshmëri por të lufta me veten, kjo është beteja më e vështirë. Telenovelat turke janë një fenomen televiziv shqiptar i dhjetë viteve të fundit, tregues real i dëshirës për të parë ‘art shqiptar’ (nuk përjashtoj as televizionin ku punoj). Edhe ky është një moment ku më vjen të thërras “O sa mirë me qenë shqiptar… pa ohej në fund, se nuk e paguaj dot reklamën!”
Në sezonin që lamë pas Agron Llakaj ishte jo vetëm kritizer, por në shumë raste edhe tejet i ashpër për fenomenet dhe figurat politike shqiptare. A do të vazhdoni të ruani të njëjtën linjë?
Të lutem, unë i ashpër me politikën dhe politikanët?! Çfarë s’të pëlqen në Shqipëri, dhunë s’ka, rendi dhe qetësia sa na kanë zili gjithë bota, korrupsion zero, njerëzit po plasin nga bollëku pa le pastaj që plasëm të shikojmë një politikan në televizor. Se siç e ka thënë edhe udhëheqësi ynë i madh Edi Rama në një takim me fshatarët e një zonë në Fier, “Ç’kemi lale, grun si e ke?!”…dy udhëheqës ka sot bota, në këto male e në këto shkrepa, rroftë Edi Rama dhe Ilir Meta! Ku është nevoja të jesh kritizer me një popull që s’di çfarë është dhuna, shtypja, padrejtësia, vjedhja, krimi, korrupsioni?! Më kujtohet një fjalë e urtë popullore,’Kur nxehet shqiptari, merr flakë e zjarr dhe stërralli’! Po pyetja shtrohet, kur vallë do nxehet shqiptari, pas sa vjetësh dhe kush do ta nxehë?! Megjithatë, unë jam krenar që jam shqiptar! Uuu, më fal se harrova të bëja ‘oo hej!’ në fund.
Si janë marrëdhëniet tuaja me politikanët shqiptarë, i keni miq apo keni zgjedhur vetë t’i mbani larg rrethit tuaj?
Po kam miq, dhe një nga ata është Edi Rama, ose më saktë një miku im e ka mik Edi Ramën, pra i bie që Edi Rama është mik i miku tim! (qesh). Megjithatë “miqtë” e mi e kanë kthyer qeverisjen si ‘champion league’ prej 25 vitesh, PD- ja dhe PS- ja që luftojnë në derby si Reali me Barcelonën, por topin e ka LSI-ja. Pushteti varet nga këta të fundit… Pra, a nuk më takon të bërtas “O sa mirë me qenë shqiptar?!”, në këtë rast jo se s’më lë miku jo thotë, krenar jam unë që jam në qeveri dhe jo ti që je një copë artist! (Këtu tërhiqem unë, ç’më duhet të bëj sherr me mikun?!).
Para pak kohësh kemi parë një dalje tuajën të parë në “TVSH”, ku imitionit dy aktorë të njohur të humorit shkodran. A e ka Agron Llakaj një bilanc të personazheve që ka imituar. Besojmë se duhet të jenë shumë…
Natyrisht imitimi sot nuk ka të njëjtën forcë si ‘atëherë’, sepse ishte një televizion dhe efekti ishte më i fuqishëm, por mbaj mend diku te 37-38 figura të ekranit, muzikës dhe politikës kam realizuar. Është një zhanër i bukur që më ka dhënë mundësinë e ndërtimit të shumë karaktereve artistike, pjesë e arkivës dhe biografisë time artistike.
img_7759-edit
Nëse kthehemi pas në kohë, a e kishte menduar se do vinte një ditë që të bëheshit dhe ju një nga emrat më të mirë të humorit shqiptar?
Kam ëndërruar për të bëhem i famshëm, si çdo i ri me motiv dhe dashuri për artin e bukur të humorit. Nga pasion e ktheva në dashuri, nga dashuri e ktheva në jetë. Është misioni dhe profesioni im, por nuk e përjetoj as famën dhe as të qenurit publik sepse nuk më duhet ta përdor për asnjë lloj arsyeje. I rritur dhe ushqyer me artin e të mëdhenjëve të humorit shqiptar, Tano Banushi, Skënder Sallaku, padyshim një vend të veçantë do ia kushtoja Koço Devoles. Nuk mund të them se jam ndër humoristët e famshëm, por një udhëtar në këtë rrugë të bukur.
Adea a di që ka një gjysh shumë “trendy”, komentoheni shpesh si një nga meshkujt më të kuruar të jetës publike shqiptare?
Faleminderit për vlerësimin! Jetoj dhe mendoj si artist, pa prapashtesën “trendy”. Imazhi i një artisti të pranueshëm në veshje dhe në fizik, është detyrë dhe respekt për veten dhe publikun. Po tregoj një ndodhi. Ime mbesë më thotë një ditë-gjysh të lutem dua të vish në shkollë të të njohin shoqet dhe shokët e klasës. Shkova, u hap dera, mbesa ime thirri nga gëzimi-gjyyyysh! Dhe mu hodh në qafë…Të tjerët rrinin dhe shikonin pa asnjë lloj emocioni. ‘Ua po ky s’është gjysh, ky është Agron Llakaj?’-thirrën njëzëri. Qesha sepse ato donin gjyshin e Adeas me flokë të thinjura dhe kapele si xha Temja, kurse unë isha me flokët të bëra me xhel.
Po marrëdhëniet me rrjetet sociale si i keni, ju shohim më aktiv kohët e fundit apo janë edhe ato pjesë e punës?
Facebook-un e përdor veç për të marrë diçka që i shërben profesionit tim dhe komunikimit të shpejtë por jo shumë aktiv, pasi nuk kam kohë. Faqen zyrtare e administron asistentja e Al Pazar. Por ka dhe Agron Llakaj fallco dhe s’janë pak, kështu që s’di kë keni parë nga këta se mund të jeni “friends” me ndonjë nga ata fallcot?!
Një pjesë të mirë të fotove e keni me mbesën tuaj, marrëdhënia juaj besoj bëhet edhe më e fortë me kalimin e viteve?
Dashuri, motiv dhe gjithçka! “My Adea”…dashuri e madhe po shumë e madhe, e thënë si dikur kur isha fëmije, e dua ‘sa qielli dhe sa toka’!!
A i ndjek Adea të gjitha programet e gjyshit?
I ndjek me shumë pasion, imiton dhe njeh çdo personazh të “Al Pazarit”,vjen rregullisht në show dhe në studio ku stafi përgatitet… Është ‘Boss-e’ e “Al Pazar”.
Dimë që gjithashtu do të jeni pjesë e jurisë së “Tu Si Que Vales” në këtë edicion te dytë? I keni ndjekur audicionet? A ka talente Shqipëria? Sa e vështirë është t’i thuash një njeriu që ëndërron aktrimin, këngën apo çdo art tjetër, që nuk vlen?
Jam anëtar i jurisë të “Tu Si Que Vales”, jo të gjitha audicionet i kam ndjekur sepse jo të gjitha duhen parë, duhet të mbetet diçka e panjohur për natën e garës. Talente ka dhe ky show e fitoi shumë shpejt publikun dhe familjen kryesisht. Të thuash ‘jo’ është patjetër vlerësim, por mënyra se si i thua konkurentit ‘jo’, është tjetër gjë. Kjo garë nuk është fundi i betejës së atij apo asaj për t’ia mbërritur realizimit të ëndrrës dhe qëllimit që ka.
Dhe për fund çfarë prisni këtë vit nga “Al Pazar”, do të ketë më shumë sukses, të jetë më afër publikut. Cili është synimi i juaj për këtë sezon të ri televiziv?
Është viti i 5-të i “Al Pazar”, të gjithë si staf kërkojmë të jemi çdo të shtunë me humorin tonë, më të dashur dhe të kërkuar nga publiku jonë.Të dhurosh të qeshurën është pasuri, të edukosh me artin tënd është mision dhe detyrë, por gjithsesi, urojmë të shitet i gjithë hashashi i mbjellur dhe i korrur. Dhe në fund… Kaq kisha, faleminderit dhe o sa mirë me qenë shqiptar!!!… Edi Rama o burrë i zoti…o hej!! / revistawho.com

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password