close
Intervista

Ambra Meda: Buzëqeshja e vret tumorin

1526445_1580241562187750_2807861661873149596_n

Rrëfimi frymëzues i vajzës që bëri për vete më shumë se 10 mijë shqiptarë: Si i shpëtova vdekjes dhe çfarë u këshilloj atyre që vuajnë si unë

Nga Eraldo Rexho

Nëse do të pyesësh dikë se çfarë do të bëjë nëse do e dijë se po jeton ditët e fundit të jetës, shumëkush do të rendiste, vendet ku ka dëshirë të shkojë, miqtë që do të takojë, pengjet që duhet të lërë pas, ata të cilëve duhet t’u kërkojë falje, e një sërë veprimesh të vogla që për një njeri kanë vlerë të madhe, vlerë përtej jetës. Për kohë të tëra, ajo ka menduar herë pas here se po jetonte ditët e fundit të jetës. Një infeksion i kthyer në tumor, dukej se do e shuante nga çasti në çast. Veçse Ambra Meda, nuk e priti fundin duarkryq! Në vend që të linte amanetet, ajo e luftoi sëmundjen dhe e shkelmoi nga trupi i saj, duke pasur me vete mbështetës pa fund, sidomos në rrjetet sociale, falë të cilëve mundi të mbledhë 180 mijë euro.
Sot, kur ia ka dalë mbanë, jeta ka të tjera ngjyra. “Kam qarë ndonjëherë në sy të mamit, pasi ishte i vetmi person tek i cili mund të shfryhesha, por harroja që, kur qaja unë, ajo qante dyfish shpirtërisht”. Kjo është e vetmja pendesë e Ambra Medës, vajzës që mposhti tumorin me buzëqeshje. Në një rrëfim për “WHO”, ajo tregon se si e zbuloi dhe si e mposhti sëmundjen. Për ata që vuajnë sot, si ajo dikur, Ambra ka vetëm një këshillë: “Të jenë të fortë psikologjikisht dhe sa më shumë të lumtur, sepse këto janë armët që të çojnë drejt fitores!”. Pjesë e luftës së saj u bënë dhe shumë personazhe publike, disa prej të cilëve ajo sot i ka miq, si Fiori Dardhën, Aurela Gaçen, Rozana Radin, Erion Veliajn, Alketa Vejsiun dhe Emina Çunmulajn. Rrëfimi i Ambrës është shpresë për të gjithë, shpresë se ti nuk vdes nëse ia del të jesh më e fortë se ajo, vdekja.

Ambra, si e mësove për tumorin, kush të tregoi?
Kur erdha në fillim në Gjermani, dija që kisha një infeksion të rëndë. Me kalimin e kohës filloi të më bënte përshtypje fjala e shumëpërsëritur nga çdo mjek “tumor” dhe pyes se, pse përdorej aq shpesh kur bëhej fjalë për mua. Atëherë, miku i ngushtë i dajës Dëfrim, tashmë daja im, Ismail Keta më tregoi se infeksioni, në qoftë se nuk kurohej, do të kthehej në tumor.
Çfarë mendove kur e more vesh?
Mendova: Edhe në qoftë se është tumor, nuk më intereson. Unë do ta luftoj dhe në fund do ta shkelmoj nga trupi im.
Je penduar për ndonjë gjë?
Po, kur kam qarë ndonjëherë në sy të mamit, pasi ishte i vetmi person tek i cili mund të shfryhesha, por harroja që, kur qaja unë, ajo qante dyfish shpirtërisht.
Pse vendose ta ndaje me të gjithë njerëzit në rrjetet sociale dhimbjen tënde?
Sepse kostoja e kurimit ishte më shumë se 180 mijë euro dhe besoj se është e papërballueshme për çdonjërin nga ne. Dhe sepse kur nuk je vetëm, fiton!
E prisje atë reagim nga njerëzit?
E prisja të më ndihmonin, sepse mendoj që çdokush e kthen dorën nga vetja dhe mendon si për vete; kryesisht ata që e kanë përjetuar në familje apo personalisht.
Ndër njerëzit e shumtë, ka pasur edhe mjaft personazhe publike që janë bërë pjesë e ‘luftës’ tënde, njerëz të cilët mendoj se i ke parë përmes ekranit deri në atë moment. Cilat mesazhe të kanë emocionuar më shumë?
Them se nuk është etike nga ana ime të veçoj një mesazh, pasi të gjithë kishin një emocion më vete, që la shumë mbresa tek unë dhe më bëri të kuptoj që nuk jam vetëm në këtë betejë.
Me cilët prej tyre je bërë mikeshë?
Me Fiori Dardhën, Aurela Gaçen, Rozana Radin, Erion Veliajn, Alketa Vejsiun dhe Emina Çunmulajn.
Cilët kanë qenë njerëzit që të kanë përkrahur?
Të gjithë shqiptarët kudo ku janë; vëllezërit kampionë Keta, të cilët, që prej më shumë se një viti janë bërë dajat e mi, sepse më hapën jo vetëm dyert e shtëpisë por edhe zemrat e tyre; njerëzit e familjes, si dhe mediat shqiptare e ato gjermane.
Si ka ndryshuar jeta jote?
Tumori më bëri të vuaj shumë, por nga ana tjetër më mësoi se sa i rëndësishëm është shëndeti në jetën tonë, çfarë do të thotë të durosh e të luftosh. Ndaj tani jam më e pjekur, më e vendosur për atë çka dua të bëhem dhe të bëj në të ardhmen.
Beson më shumë në Zot tani?
Kam besuar gjithmonë dhe besoj! Çdo ditë, gjëja e parë që bëj në mëngjes është të falënderoj Zotin për gjithçka jam dhe kam arritur.
Çfarë këshillash ke për të gjithë lexuesit? Ti për pak rrezikove jetën…
Të vlerësojnë shëndetin dhe ta duan jetën me bukuritë dhe vështirësitë e saj!
Po për ata që vuajnë si ti dikur?
Të jenë të fortë psikologjikisht dhe sa më shumë të lumtur, sepse këto janë armët që të çojnë drejt fitores!
Ke menduar të shkruash një libër për historinë tënde frymëzuese? Ndoshta do të ndihmonte shumë njerëz…
Po, madje e kam nisur (qesh).
Ka qenë buzëqeshja çelësi i ‘suksesit’ tënd?
Absolutisht po, buzëqeshja vret tumorin!
Çfarë do të bësh menjëherë sapo të kthehesh në Tiranë?
Do të bëj një vizitë në Spitalin Onkologjik të fëmijëve të prekur nga e njëjta sëmundje, sepse qoftë edhe një fjalë zemre, për ta është shumë më shumë se aq!

Tags : Ambra Meda
loading...

Leave a Response