close

OltBook

“Po ku i gjetët gjithë këto pordhë me barkun bosh?” – Nga Olti Curri

unnamed

Një vajzë nga Shkodra e linçuan dhe po të kishin armë do ta vrinsin pse doli në profil të saj në një foto me bikini ku dukej lehtë mbi peshë. Ndërkohe Çiljeta po komentohet egërsisht rëndë poshtë një fotoje që e tregon të ketë blerë byrekë!

Kaq vjet i ekspozuar në rrjete sociale e njoh mirë këtë fushatë injorance dhe zilie.

Po ju flet sinqerisht një njeri që pak javë më parë nxorra në foto çorapen me një derr vrime te gishti i madh dhe nuk më rruhet fare po fare nga mendimi i atyre që e dinë veten perfeksionistë në një hale vend si ky i yni, mbushur me copa muti si ne. E nxorra çorapen me vrimë pa teklif, se tashmë në moshën, statusin social dhe ekonomik, besoja qe do ta kapnin momentin humoristik pa dyshuar ne mundesi ekonomike per te pasur nje pale çorape pa vrime. Madje kjo i kish ndodhur Vasco Rossit dhe italianet dhe ai vete u zbaviten, por shqiptaret jo. Komentet shprehnin ndot, neveri, dhembshuri per varfërinë time, tërheqje vëmendjeje për etike. Edhe nga kush, nga këta që nuk hanë byrek si Çili dhe janë elegantë si Emina Cunmulaj dhe jo si vajza shkodrane topolake. Po t’ia hapësh fotot e profileve janë si thasë plehrash mbushur me kandilë deti, që byrekun e lladhën e hane një herë për ditëlindje edhe një herë kur shkepen me pronarin e byrektores.

Pikërisht këta shqiptarë që nuk komentojnë tek profilet e deputetëve të tyre, që nisur nga statistikat, jemi vend me përqindje të larte korrupsioni, krininaliteti, papunësie, dhune në familje, varfërie, arsimimi etj. Pikërisht këta vemje, njerëz me probleme mendore dhe të uritur në stomak dhe shpirt që nuk i bien dot gomarit dhe i bien samarit. Që nuk ndryshojnë dot gjendjen e tyre ekonomiko-sociale dhe godasin shumica në anonimat në faqet e personazheve të shoëbiz-it.

Sektori i idiotëve mbrohet me tezën: Ju për këtë jeni, që t’iu shfryjmë nervat, përse na bëni bllok?

Sepse nuk vuajmë nga sindroma e Stokholmit, dhuna është dhunë edhe nuk dashurohet por dënohet.

Edhe mua më dalin jargët kur shoh ku janë artistë, këngëtarë, autorë e prezantues të huaj në këto momente pushimesh, por fakti që nuk i arrij dot nuk më ben t’i mallkoj por të falenderoj Zotin që keq keq, mund të shkoj tre-katër herë në vit me pushime dhe të vishem e të mbathem si dua… Këtë vit më mire se vjet, vitin që vjen ishalla më mirë se sivjet… E kështu.

Uleni dozën e inatit dhe nuk i qahet halli kalorësit se i varen këmbët…/ revistawho.com

lexo më shumë

10 gjërat që nuk blihen me para… As me shumë para – Nga Olti Curri

IMG_5325

1- Dashuria, ajo e vërteta nuk blihet me para. Zemra nuk ta bën bam, edhe sikur miliardat t’ia shtrosh. Atyre që ia bën zemra bam, nuk ia bën për njeriun që ia shtroi paratë sheshit, por vetëm për paratë.

2- Kur lind me turinj të djegur nga dielli dhe shtrembëruar si pandofla plastike që i hedh në zjarr, nuk ka kirurg plastik që të të ndreqë. Ai do të të bëjë një fytyrë simetrike që do ngjasosh me 150 njerëz të tjerë, që i sheh tek Blloku apo kudo që ka vende me zhurmë dhe pordhë, por buzëqeshjen që i jep nur fytyrës nuk ta rregullon dot.

3- Me mijëra euro mund të bësh dhëmbë të bardhë si xhevahir, por dentisti nuk të ndjek dot pas çdo moment që të të pastrojë farat e lulediellit apo thërrimet e djathit që përtyp gjithë ditën.

4- Do kesh gjithmonë njerëz pranë që qeshin, qajnë, mërziten apo gëzojnë me ty… deri në momentin që ia shtron me krudo, shampanjë dhe i rehaton në dhoma të shtrenjta verës. Por ata janë profesionistë, ose më saktë shokë-qeraxhinj, pra miq me qera që pas teje do qeshin, qajnë, mërziten apo gëzohen me armikun tënd, qoftë edhe për pesë lekë më shumë.

5- Nuk blen dot të shkuarën. Sado që do të përpiqesh ta mbushësh shtëpinë me piktura apo mobilje epoke, me porcelane të larë me flori apo ashensor që të fut direkt tek dhoma e gjumit, do të vijë një herë në dhjetë vjet një kushëri i dytë nga vendlindja e prindërve që do t’i lajë dhëmbët me kremin hidratues.
6- Stili është një tjetër gjë që nuk blihet me pak, shumë apo tepër para. Le t’ju vijnë pako nga blerjet e koleksioneve të fundit online, me logo Chanel, Prada apo Gucci, përsëri pantallonat nuk do t’i shkurtosh, por do t’i përveshësh ose do t’i mbash me rrudha poshtë që të rrinë mirë në gjatësi dhe për shapkat e banjës do t’ju dhimbsen lekët dhe do zbresësh pastruesen që t’i blejë poshtë pallatit nga ato plastiket ngjyrë blu ose rozë.

7- Nuk të shpëton asnjë lloj shume parash nga mallkimet e administratorit të pallatit ku megjithëse mund të keni shtepinë dupleks 1.500 kilometra katrorë, nuk paguani 1.500 lekë shpenzime të përbashkëta për pastrim shkallësh dhe ashensor.

8- Nuk blen dot me asnjë shumë parash të qeshura me gjithë shpirt nga njerëz të dashur, por vetëm ngërdheshje servile. Do vazhdosh të flasësh budallallëqe dhe njerëzit që i lidh interesi me ta do vazhdojnë të shtrëngojnë barkun deri në diarre, gjoja po qeshin me të madhe.

9- Asnjë shumë parash, nuk do të mund të blejë sytë plot dashuri të miqve kur i ulesh në tavolinë apo u shkon për vizitë në shtëpi. Sado të pasur të jenë, nuk mund të jenë të tjerët aq aktorë sa ta luajnë rolin 100% dhe të shtiren miq, kur i mban lidhur interesi.

10- Paratë janë të domosdoshme, por renditen të tretat pas dashurisë së vërtetë të njerëzve që t’i do zemra dhe shendetit. / revistawho.com

lexo më shumë

10 mënyra që të mos bëhesh “dele” si të tjerët – Nga Olti Curri

18302491_10209173637001327_2059801726_n

1 – Fakti që pi qumësht dhe bar nuk do të thotë se je dele dhe duhet të pranosh të të trajtojnë si dele.

2 – Baba dhe nënë ke ato që të kanë bërë kokën dhe jo ata që jeta t’i sjell përballë si: mësues, pedagog, shef, drejtor, kryetar partie apo vjehërr. Ata kanë vendin e tyre, mos i konsidero si babë e nenë ose barinj se do të të trajtojnë si dele.

3 – Le të shkojnë të gjithë në kope pas fyellit të bariut, dëgjo edhe melodi të tjera. Mos dëgjo vetëm muzikë analfabete me ora floriri njomur me shampanjë, dëgjo edhe tinguj të vërtetë, përndryshe je dele e pashpresë.

4 – Le të sulen delet e tjera nëpër dyqane për funde e pantallona lëkure fallco që vijnë era djersë autobusi, ti krijo stilin tënd. Përndryshe je dele, madje dele jo me lëkure, por me inkelit.

5 – Mos i ndërprit shokët dhe shoqet apo kolegët teksa flasin për Ferrari, Dubai, apo Rolex-a ndërkohë që kanë në dispozicion vetëm tre palë brekë për tridhjetë ditë të muajit. Ata vdesin të duken dele, ndërkohë që janë shqerra ëndrrimtare.

6 – Mos u ndill nga vitrinat e dyqaneve ku pronaret rrinë me gjak të ngrirë nëse dashnori i radhës do t’ua paguajë qeranë apo jo, ndërkohë që dalin në talk-shoë dhe japin mend për asgjënë. Ato janë baresha në tentativë, për dele si ju.

7 – Le të mbushen muret e Facebook-ut me fëmijë fashionista, ata janë shqerra që nuk do bëhen kurrë askushi. Nëse ju doni që fëmijët tuaj të jenë sipërfaqësore, të mos kenë një foto me top në duar dhe gjunjë të vrarë nga loja, nëse ju dëshironi që fëmijët tuaj të jenë ashtu pa fëmijëri, vazhdoni hani bar dhe tundni bishtin.

8 – Nëse treni i famës ju ka kaluar pa u ngjitur në të, mos i torturoni pjellat tuaja që të bëjnë sikur këndojnë, aktrojnë apo kërcejnë. Thjesht talenti lind, edhe aty ku nuk kanë as bukë të hanë. Një talent i sajuar është gaz i botës. Mos lejoni që me blegërimat e çjerra të fëmijëve tuaj të qeshë dyanjaja. Lërini fëmijët të lirë të zgjedhin atë që duan, fëmijëria juaj iku si iku.

9 – Mos lejo të të mbushin mendjen që je dele, duke të të bindur që je dele e kanë shumë më të lehtë që të bëhen barinjtë e tu dhe me qumështin tënd të vënë pasuri për vete.

10 – Sa herë të kanë thënë: bli, shit, fli, zgjohu, lidhu, zgjidhu, martohu, ndahu, servilosu, shtiru, ulërij, hesht…si gjithë dynjaja. Ata që të kanë folur kështu të kanë bërë të zezën, se janë ata që të kanë varur këmborën që ta tundësh si një dele shembullore, pa jetuar për veten tënde, ashtu siç të pëlqen ty qoftë edhe një ditë. Je një dele, një dele e shëmtuar dhe fallco, se delet e vërteta janë të bukura plot gjallëri… / revistawho.com

lexo më shumë

Zhytur në llucë dhe mendjen tek Donald Trump – Nga Olti Curri

kolazh-permbytjeee

Nuk dyshohet jo vetëm për Shqipërinë, por edhe vende të tjera që kanë jetuar dekada nën diktaturë, që popujt të kenë instaluar një instikt vëtëmbrojtjeje duke mos u marrë me problemin jetik, por duke u bërë pjesë e ngjarjeve me rëndësi, jehona e të cilave ndikon pak ose aspak në jetën e tyre.

Përmbytja e radhës e Shqipërisë qëndrore përkoi me ditën votimeve për zgjedhjet presidenciale në SH.B.A. Veç disa fotove dhe videove që më shumë dhe si zakonisht gjetën dritë botimi në rrjetet sociale sesa në mediat elektronike tashmë shitur dukshëm, kjo ngjarje e rëndë për jetën e qytetarëve shqiptare u harrua me pakësimin e shiut dhe daljen e diellit.

Plagët mund t’i lëpish, t’i qetësosh, por mjekimi bëhet me metoda të forta. Dimri është përpara dhe kjo temë duhet bërë kauzë dhe jo zgjedhja e presidentit të një shteti të madh. Pak prindër u shqetësuan për pezullimim e shkollës dhe faktin që fëmijët do të penalizohen me ngarkesë në mësime për të rikuperuar programin shkollor, të tjerët si Fashion Police para televizorit apo smartfonëve filluan komentet për veshjen, flokët, artikulimim e Hillary apo Donald. Qan hallin fukaraja se kalorësit i varen këmbët?

Po ato kanalizime, puseta, ato trotuare para apartamenteve që i keni blerë me çmimin për metër katror sikur të jenë në Via Venetto në Romë. Apo punë e madhe, kur bëni ‘selfie’ në dhomën me mobilje Fendi, gjoli që ju rrethon nuk duket. Minimumi që mund të bënin do të ishte që t’i binin borive pa ndalur, para bashkive të qyteteve të përmbytura për faj të keqmenaxhimit apo mungesës së punës për kanalizime apo gatishmërinë në emergjencë.

Por jo, fëmijët dhe nipat e atyre që pushkatoheshin mizorisht dhe fjalën e fundit kishin: të rrojë Partia e Punës, durojnë këtë lloj nëpërkëmbjeje në heshtje. Nuk duan ta shohin veten në pasqyrë, të qartësohen së zhvillimi nuk është pasurimi apo mirëqenia vetjake, por cilësia e jetës jashtë dyerve të shtëpisë, makinave, zyrave. Nuk po bëj thirrje për revolucion se përmbytje ndodhin kudo, por rasti i fundit ishte një tepricë mungese përgjegjësie; lumenj me shtrate të zhvendosur nga privatë për të përfituar tokë më shumë për biznesin, kolektorë jashtë përdorimit, kanalizime të amortizuara.

E megjithatë rrjeti kishte hall tjetër #hillaryclinton #donaldtrump ah se harrova #melanietrump. Drejtohem në vetën e tretë, se të paktën jam i ndërgjegjshëm që në hapësirat e mia në rrjet i dhashë maksimumin e hapësirës përmbytjes, njerëzve që rrezikuan jetën, pronën, punën, që humbën avionë, shkolla etj.

Hillary, apo Donald, nuk do të vijnë të na zhbllokojnë nga përmbytja, ndoshta ju shpresoni, por jo… Në fund të fundit kush ka kohë të ankohet apo të organizohet dhe të ngrejë zërin për bllokimin e autostradës nga uji, shqiptarët janë me prejardhje nga struci, zhysin kokën në spektaklin e zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe lënë jashtë trupin të zhytur në gjolin e përmbytjeve.

lexo më shumë

“Halloween” i syve që të pëlcasin… – Nga Olti Curri

image

Ti do të festosh Halloween! Ti që nuk ia ke haberin se pse po feston?

Ti do të festosh Halloween! Ti që hap google sa herë që ke për ta shkruar pa gabime?

Ti do të festosh Halloween! Natën që paraprin Ditën e të gjithë shenjtorëve, që si shenjtore njeh Bleonën kur performon me të bardha dhe kryq në qafë.

Ti do të festosh Halloween! Festën pagane, që është transformuar në shekuj dhe lidhet me datën 31 tetor, që dikur ishte data e ndërrimit të viteve, apo lidhjes me vite më vonë kur tradita keltike britanike u zhvendos në SHBA, me figurën e djallit? Të filloi koka? Normal, më fal për gjithë këtë informacion, vazhdo mendo për parukieren ku do të bësh flokët.

Ti do të festosh Halloween! Festën e transformimit në ‘look’.

Ti që maksimumin e fantazisë në pamje gjatë ditëve të vitit e tregon duke kombinuar rripin me këpucët dhe këpucët me çantën?

Ti do të festosh Halloween! Ti që natën e kësaj feste do ta lejosh të dashurën tënde të lyhet (vetëm tek ne ndodh) si prostitute rumune në Italinë e viteve 90-të –  respekt për vajzat rumune – ndërkohë që të nesërmen do ta kthesh në shtëpi vetëm se e ka ekzagjeruar me buzëkuqin?

Ti do të festosh Halloween! Pikërisht ti, edhe ti, po, po edhe ti që nuk leviz edhe me maksimumin e muzikës në Pub se “çunat nuk kërcejnë” se duken si pjeshka? Pikërisht ti do të lyhesh, ngjyhesh, pikturohesh, zhvishesh! Je i sigurtë që nuk e pret me padurim këtë festë qe të jetosh hapur të paktën për një natë në vit, seksualitetin tënd?

Ti do të festosh Halloween! Natën e të vdekurve, që komenton nga mëngjesi në darkë në rrjete sociale për personazhet që ke antipati me fjalët “akoma nuk ka vdekur ky, kjo?”

 Ti do të festosh Halloween! Ti që këtë natë e ngatërron me shfaqjen e famshme muzikore të Brodway “Macet” (“Cats” në origjinal), sepse ka vite që 99% e vajzave trukohen si mace, me sytë me bisht dhe mustaqe mbi buzë?

Ti do të festosh Halloween! Që nuk lëviz prapanicën t’i lirosh vendin në autobus një gruaje shtatzënë, imagjino të nxjerrësh karamele dhe ëmbëlsira për fëmijët që trokasin tek dera, sipas traditës origjinale.

Ti do të festosh Halloween! Një festë ku mesazhi nuk është tË plasësh trutë nga alkooli, apo të maskohesh, aq me pak të mbushesh tavolinat me shampanjë e fishekzjarre kur dhjetë mace lozonjare, rrethojnë barkderrin qeros të radhës që do paguajë shishen. Halloween është një rast për të qenë tolerant, për të festuar në paqe, për të qenë bashkë si njerëz të qytetëruar të vitit 2016.

Ti do të festosh Halloween! Meqë do të festosh, mësoje këtë fakt: festa Halloween që nga vitet 50-të UNICEF këtë ditë ia ka kushtuar mbledhjes së fondeve për fëmijët në nevojë, që nuk kanë nevojë vetëm për karamele dhe ëmbëlsira.

lexo më shumë

“Pordhët te blloku, kredia te banka” – Nga Olti Curri

66c5dd033bd13d494c991ef1ea4fd16f

Lekët e tepërta dhe koha e lirë e shkuar kot, janë armiku më i madh i të rinjve. Shembulli i rinisë shqiptare gjithnjë e më shumë po bëhen bashkëmoshatarë që postojnë objekte luksi. Por ai i shkretë ‘instagram’ do foto përditë, e kështu vrapi pas shopping-ut nuk ka të ndalur për të llastuarit e rrjeteve sociale.

Por Shqipëria është shumë shumë e vogël, tek e fundit si gjithë bota dhe ia dimë, ose na bien shpejt në vesh gëzimet dhe hallet e njëri-tjetrit. Ndaj pak t’i mbash veshët hapur, mëson se shumica e Paris Hilton-ave shqiptarë janë të pasur aq sa është Linda Morina soprano. Vendet e qejfit në Tiranë, ulin bashkë djalin blogger-ist të babit “milioner” me djalin e drejtorit të bankës, që i del shpirti duke i kërkuar këtij ‘babit boss’, që t’i paguajë këstin e kredisë.

Nga jahti në jug zbret vajza e “milionerit” që bezdiset nga rrëmuja që bëjnë një grup të rinjsh mes tyre edhe vajza e një punonjëse të OSHEE-se, që rrezikon vendin e punës, sepse pronari i jahtit nuk paguan dhjetëra milionë lekë detyrime për energji të shpenzuar.

Pastaj janë radha e pordhacëve që baballarët i kanë bërë lekët me tendera dhe çdo katër apo tetë vjet që ndërrohet sistemi, ata kalojnë nga gjendja gangsterr në gjendjen langaraq.

Pordha apo llastimi kërkon lekë shumë. Edhe në Shqipëri ka pak lekë dhe shumë pordhacë. Gjithë ky inflacion është qesharak, edhe po të jesh më shumë i vëmendshëm sesa ziliqar ndaj tyre, vëren se sforcohen aq shumë për të bërë atë të shkretë pordhë sa dhjesin në brekë dhe erën nuk e mbulojnë dot as me parfumet e shtrenjtë që blejnë me listë.

Baballarët me hyrje të pashitura, me rroga të papaguara, me tendera të papaguar, me premtime boshe politikanësh, me fajde dhe me kredi deri në fyt, nuk kanë fuqi t’i thone grave: mjaft se na gritë me çanta e peliçe, jo më kanakarëve të tyre që duan fabrikë lekësh si të ishin letra duarsh, për të kënaqur veten, por më shumë ndjekësit që duhet t’i dinë përherë Rokfelerë.

Dëshpërim i madh kur kërkon të jesh dikush që nuk je. Kur ke kohë të lirë dhe e vret kot, sepse gjimnazi dhe universiteti te privati, punën me telefon nga babi, udhqimin me telefon nga restoranti dhe impenjimi i vetëm mbetet dukja.

Ndërkohë që në çdo fillim muaji fiken telefonat se banka kërkon lekët e kredisë.

Dukja inatçore, se në botë dukja në rrjete sociale është biznes i mirëfilltë dhe udhëhiqet  nga njerëz të panjohur dhe të talentuar që faturojnë miliona ose nga trashëgimtarë miliarderë që nuk kanë borxhe e kredi të palara lart e poshtë dhe punojnë seriozisht në këtë sektor.

Shqiptarët kanë një shprehje të bukur dhe me këtë po e mbyll: “Sa më shumë janë pa brekë në bythë, aq më shumë pordhë kanë, sepse nuk ka kush t’ua ndalë”.

lexo më shumë

“21 mënyra për të dalluar një shkërdhatë” – Nga Olti Curri

12243227_1237366599614124_5599540046795700740_n

1- Kujdes, ata që mburren se janë shkërdhata, pra bëjnë si të shkathët, janë të parët që duhen eleminuar nga lista. Shkërdhatat e vërtetë janë diskretë.

2- Shkërdhatat janë kudo, mund të jesh edhe ti.

3- Për shkërdhatat nuk ka pushim asnjë çast.

4- Shkërdhatat nuk ndalen kurre, kanë energjinë të pafund.

5- Shkërdhatat, janë gjithmonë, ose shumë të qeshur, ose shumë të pikëlluar.

6- Shkërdhatat, nuk besojnë në asgjë, por betohen në Zot orë e çast.

7- Shkërdhatat e kategorisë së parë i bëjnë keq sidomos njerëzve të afërt.

8- Një shkërdhatë bën keq gratis.

9- Shkërdhatat bien në dashuri kur kanë kohë të lirë…dmth kurrë.

10- Shkërdhatat nuk kanë seks, por kanë gjithmonë një orë me shkëlqim.

11- Shkërdhatat fshehin origjinën, e transformojnë atë. Ose bëhen bashkëfshatare apo bashkëqytetarë me të gjithë.

12- Shkërdhatat, shkojnë vetë për të spiunuar, nuk është nevoja t’i thërrasë eprori.

13- Shkërdhata shoqërohet, fejohet, martohet, shumohet, ndahet, rilidhet për interes.

14- Shkërdhatat, nuk paguajnë një kafe kot.

15- Shkërdhatat janë  të varfër dhe të pasur.

16- Shkërdhatat ndjejnë vetëm tre sekonda keqardhje për njerëzit e drejtë.

17- Shkërdhatat, kanë kujtesë të mirë, për këtë gënjejnë në mënyra të ndryshme dhe kurrë nuk ngatërrohen.

18- Shkërdhatat, nuk të bëjnë keq vetëm një herë, zakonisht rikthehen në vendin e krimit.

19- Shkërdhatat, flasin me zë të ngrohtë dhe me sytë që nuk shohin kërkund.

20- Shkërdhatat ju njohin mirë, ata flasin më pak se ju për veten.

21- Shkërdhatat në Shqipëri janë shtuar shumë, për këtë arsye një pjesë i kemi çuar në Parlament.

lexo më shumë

“Ne jemi popull që moralin e kemi të shtrenjtë, prandaj duam paradhënie. Sikur Jonida e ndjerë të ishte e pasur” – Nga Olti Curri

147135260316816_VRASJET-DIVJAKE_15_6

Nëse Jonida do të kishte shpëtuar gjallë nga duart e Sokratit që e mbytën duke i marrë jetën për teka dashurie të një 65-vjeçari të lidhur me një vajzë 30 vite më të re, të kishte ikur, të bëhej e pasur edhe të kthehej në vendlindje, bashkëfshatarët dhe komshinjtë që sot nuk shkuan t’i hidhnin një grusht dhè, do ta dënonin me vdekje plakun që i mori rininë, mjaft që ajo t’i premtonte para.

14012201_10207062095494109_492264773_n

Pazarin e ndyrë të njerëzve që na rrethojnë, që peshore të çalë përdorin moralin, e ka qendisur që në 1956 autori Friedrich Dürrenmatt me “Vizita e damës plakë”, ku qyteti priti si mbretëreshë vajzën e varfër që e dëbuan vite më parë si prostitutë, vetëm se i prishte punë një tregtari me lekë që ishte i martuar dhe njëkohësisht përfitonte nga varfëria e vajzës së re për ta çuar në shtrat. Ajo ofroi një milion dollarë investim për qytetin dhe qytetarët, ish-tregtarin që dikur e respektonin, e dënuan me vdekje thjesht për një kapriço të ish-prostitutës hallexhije, tashmë miliardere. Kjo m’u kujtua sot, teksa lajmet flasin për historinë e trishtë.

Sikur të kishte një milion dollarë Jonida e re, ose ta dinte se do t’i bënte një ditë, skena do të ishte ndryshe, varrimi i saj do të ishte si ceremonia e vdekjes së një presidenti amerikan, ndërsa qivurin e Sokratit që sot e lartësuan si shtëpizën e fundit të një njeriu bamirës, do ta hidhin në greminë pa mëshirë.

Ne jemi një popull që moralin e kemi të shenjtë, më saktë të shtrenjtë, pikërisht për këtë kërkojmë paradhënie, pastaj ta lëpijmë bythën si të duash…

lexo më shumë

(S’)Dua Lipa – Nga Olti Curri

14012790_10207031447847937_415126138_o

Kush tha që do të këndojë Dua Lipa dhe do marrë zjarr sheshi si në koncertet e AC\DC ? Keni dalluar ndonjë gjë të përbashkët në muzikën e tyre?!

Kush tha që Dua Lipa do të vijë dhe do të zgjidhë problemet aktuale të nivelit të muzikës moderne shqiptare? Ajo nuk është magjistare.

Kush tha që në koncertin e saj, Dua Lipa do të këndojë vetëm këngë të njohura të repertorit të saj? Ajo ka hitet që ka dhe nuk bën emision me kërkesa muzikore për njerëz që duan të kërcejnë si tek panairi qofteve.

Kush tha që Dua Lipa do shoqërohej nga balerina çingije që të kënaqte sytë e masturbatorëve serialë që ndaluan në sheshet ku këndoi, pa e ditur se kush ishte ajo? Ajo këndoi siç këndojnë këngëtaret Pop kudo në koncertet e tyre.

Kush tha që Dua Lipa duhet të mbajë mbi vete akuzat se bën fushatë për kryebashkiakun e Tiranës? Ai ka fituar zgjedhjet ku ju e votuat dhe vajza ka ardhur të këndojë dhe jo të prezantojë projektin e ndonje sheshi të dhënë për ndërtim. Nëse ju ndikoheni nga këngëtarë që të votoni atë që do t’ju drejtojë, mortja ju ngrëntë.

Kush tha që Dua Lipa do të bënte namin me projeksione dhe performanca fishekzjarresh? Pse nuk u ankuat për këngëtarë të tjerë si p.sh. Jessie J, që nuk bëri asgjë nga këto? Dua Lipa, po ecën prej zërit se është këngëtare dhe jo skenografe.

Kush tha që Dua Lipa duhet t’i pëlqejë të gjithëve dhe se ajo ka në dore fatet tona në përfaqesimin ndërkombëtar si komb? Ajo nuk është ambasadore që paguhet nga taksat tona.

Kush tha që duhet të pranojmë gjithë këtë vrer ndaj Dua Lipës, ndërkohë që mbajmë si popull era silikon i djegur nga tharësja e flokëve që drejtojnë ekstejshënat e porno-këngëtareve? Dua Lipa nuk ka pse të durojë zilinë shqiptare duke lexuar komente: u bë kjo? Sepse ajo është bërë dhe ju, jo.

Kush ju tha, që më pëlqen Dua Lipa? Por derisa të vdes dua t’i them të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë, sidomos në raste si ky, kur vajza po çan në një botë të egër ku babi, mami, apo dashnori me lekë nuk të bëjnë dot HIT.

Mos prisnit që Dua Lipa t’ju freskonte në këto ditë zhegu vere?! Ajo nuk është kondicioner.

lexo më shumë

“Pokèmon Go dhe shqiptarët” – Nga Olti Curri

025Pikachu_XY_anime_3

Në fundjavë isha në Jalë dhe pas darke në restorantin e “Folie Marine” shikoja djem e vajza adoleshentë, që rrëshkisnin nga tavolina e prindërve. Mendova se strukeshin duke përkëdhelur dashuritë verore buzë ndonjë shkëmbi pranë detit, por mesa duket e kam parë shumë shpesh filmin kult “Sapore di mare” që tregonte realitetin italian. Në fakt adoleshentët tanë ecnin kuturu me smartphone në dorë duke i drejtuar lart e poshtë si në fillimvitet ’90-të, kur celularët sa një çantë shkolle nuk kapnin mirë valët.

Ekstravaganca japoneze dukej se ishte strukur nga mësymja e amerikanëve me shpikjet e Steve Jobs-it, por nuk vonoi dhe “Nintendo” u përshtat me smartphone-t dhe solli “Pokemon Go”. Çmenduria e re që po i pushton shqiptarët si gripi fillimvjeshtës, por që nuk zgjat një javë e as largohet me paracetamol.

Mjafton një telefon i gjeneratës së re, shkarkimi aplikimit dhe loja fillon. Të gjithë duke jetuar me panikun se po vjen lajmërimi elektronik se aty afër ka ndonjë “Pokemon”, ethet dhe serioziteti i kërkimeve i ngjan filmave amerikanë me kerkuesit e arit në vitet 1900, por nëse atëherë synohej pasuria, adoleshentët tanë kanë vetëm një qëllim, të vrasin kohën.

Nëse me sferën e krijuar adapt për të kapur “Pokemonët”, arrin t’i skllavërosh, ti bëhesh pronari i tyre. Kjo lojë sa japoneze duket edhe shqiptare, tamam si drejtorë, ministra, apo pronarë që bëhen zotër me një firmë kryeministri, pa derdhur asnjë pikë djerse dhe kujtojnë se ata vetë janë skllavopronarë dhe vartësit-skllevër. Madje “Pokemon” mund të futet si lëndë edhe në shkencat politike, për të trajnuar politikanët e rinj, si të ndjehen zot të postit njëlloj dhe të stafit.

Nuk jemi të parët në përhapjen e kësaj loje që po dërgon botën tek psikoanalisti, por të paktën fqinjëve tanë ua kemi kaluar, madje edhe të dhënat e lojës në “Google” janë në shqip, por mungojnë në italisht, greqisht apo serbisht. Do thoni ata kanë punë më të rëndësishme, dakord, por edhe shqiptarët nuk e kanë të lehtë të ndërrojne zakonet e tyre dhe të ngrihen nga kafja e muhabeti dhe të ecin dhjetëra metra për një copë “Pokemon”.

Në fakt luan brezi i ri dhe më pak brezi i rritur pikërisht se ai japonezi shpikës duhet të programojë në territorin shqiptar që “Pokemonët” të zgjohen vonë, të pinë kafe, të merren me llafe dhe të bien nga qielli, ashtu si ëndrra e çdo shqiptari të mesëm që fatin e pret nga lart dhe kurrë anash.

Në Angli trajneri nevrik Jose Mourinho, u tërbua kur mësoi se lojtarët e skuadres së tij “Manchester United”, kishin lënë mendjen pas kësaj loje dhe ua ndaloi rreptësisht atyre, ndërsa në një bar francez, pronari për të ndjellur klientët kishte varur tabelën “Këtu kapen Pokemon Go”, duke u mbyllur kjo valë promocioni në Hollandë, ku një menaxher restoranti reklamonte se kush kishte kapur katër “Pokemon Go”, hante falas.

Ende në Shqipëri nuk ka nisur ndonjë valë marketingu që i drejtohet lojtarëve të “Pokemon Go”, por dyshoj se loja duke qenë me të lëvizur nuk do ketë shumë bujë, njëlloj si ‘twitter’. Po të jetë puna me lëvizje dhe me artikulim fjale, shqiptarët nuk përzihen shumë, janë më fort për zbavitje online, pa lodhje dhe pa shumë fjalë.

lexo më shumë
1 2 3
Page 1 of 3