lefuture

ZBARDHET SKEMA/ Ja sa do të rriten pagat e mësuesve, infermierëve, mjekëve dhe administratës

pagat-leke

Efekti vjetor i rritjes së pagave dhe pensioneve do të jetë në shumën e 100 milionë dollarëve. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shpjegoi dje në Komisionin e Ekonomisë se fondi për rritjen e pensioneve do të jetë 3.6 miliardë lekë, kurse fondi që do të përdoret për rritjen e pagave do të jetë 7.2 miliardë lekë. “Ky është buxheti që mbështet rritjen e konsumit të qytetarëve. Është buxheti që shkon drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve, mos e harroni asnjë ditë që shuma prej 100 milionë dollarësh me efekt 12­-mujor shkon si shtesë e drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve”,- tha Ahmetaj.

PENSIONET

Nga 1 marsi rritja e pensioneve parashikohet të jetë 3 për qind. Ministri i Financave, Ahmetaj, tha se fondi vjetor për efekt të rritjes së pensioneve llogaritet 3.6 miliardë lekë, ndërsa shpjegoi se reforma e pensioneve ul barrën për buxhetin. “Kemi një rritje të konsiderueshme të pensioneve përtej indeksimit, dhe efekti 12­mujor i pensioneve shkon rreth 3.6 miliardë lekë. Mos harroni që kemi bërë një reformë të rëndësishme të pensioneve ku kemi frenuar rritjen e deficitit në atë sektor dhe në afatgjatë, sektori do të jetë gjithnjë e më pak barrë për buxhetin e shtetit, duke garantuar një shëndetshmëri të sistemit të pensioneve”, tha Ahmetaj, raporton “Panorama”. Kreu i Financave informoi edhe për korrektim të pensioneve për 5 mijë naftëtarë. “Dua të ndaj me ju edhe një lajm tjetër, që Kryetari i Komisionit ka pasur një iniciativë të hershme për pensionin e naftëtarëve dhe ia doli të bindë qeverinë për atë korrektim që do t’i bëjmë pensionit të naftëtarëve, që do të thotë që nëpërmjet skemës që po përfundojmë për të korrigjuar edhe ligjin, 5 mijë naftëtarë do të përfitojnë pension. Shumat dhe detajet do t’i ndajmë në ditët që vijnë”, u shpreh Ahmetaj.

PAGAT

Nga 1 prilli i vitit të ardhshëm, pagat për administratën do të rriten 7 për qind, ndërsa pagat për mësuesit, infermierët dhe mjekët do të rriten 10 për qind. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se efekti vjetor për rritjen e pagave llogaritet 7.2 miliardë lekë. Ministri shpjegoi kategoritë që përfitojnë nga rritja. “Pagat e arsimtarëve, mjekëve dhe infermierëve do të rriten 10 për qind. Pagat për administratën publike do të rriten 7 deri në 10 për qind. Pagat e ulëta të administratës mbi 200 mijë lekë do të arrijnë në vlerën mbi 300 mijë lekë. Rritje të konsiderueshme të pagave do të ketë edhe për ushtarakët, punonjësit e policisë dhe pilotët. Rritja e pagave për policinë e burgjeve do të jetë e diferencuar”, u shpreh Ahmetaj. DEBATI Shpenzimet e buxhetit për investime sollën debat mes opozitës dhe maxhorancës. Deputeti Edmond Spaho tha se qeveria po mban të ulët deficitin, në një kohë kur nuk ka rritur investimet. “Mburreni se e keni çuar deficitin 2.25%. Kjo nuk është mburrje. Deficiti mbahet 4%, në qoftë se do të zhvillosh ekonominë. Por ti nuk garanton mbledhjen e të ardhurave, prandaj t’i ka futur FMN-­ja të dyja këmbët në një këpucë. 4% deficitin dhe të bësh 6% investime mbi PBB”, tha Spaho. Por ministri i Financave tha se qeveria nuk do të rrisë borxhin. “Unë po them që kjo qeveri nuk e rrit borxhin, pavarësisht nga ajo që kërkon opozita që ta rrisim nuk e rrit. Nuk i shkatërrojmë ne financat publike si i shkatërruan këta. Si mund të thotë bëje deficitin 4%, ndërkohë që ne jemi në një trajektore të uljes së borxhit”, tha Ahmetaj.

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password