close
Breaking NewsIntervistaLajmeVetëm në WHO

VITI I RI NË TIRANË/ Flet menaxherja e klubit të famshëm: Ja sekretet e jetës së natës, ju tregoj punën që fshihet pas

15624717_1169825246466826_2921450034778079232_n1

Teksa shëtit nëpër Tiranë vihet re sa shumë ka ndryshuar ajo në këtë prag festash. Dritat, zbukurimet e njerëzit që shijojnë argëtime të ndryshme të bëjnë vërtet përshtypje. Por si do e kalojnë shqiptarët natën e ndërrimit të viteve? Dikush preferon të festojë nëpër restorante të ndryshme me muzikë ‘live’, dikush tjetër me një darkë të ngrohtë në shtëpi e të tjerë kanë zgjedhur ta presin 2017-tën jashtë vendit. Por janë edhe të rinjtë, ata që pas mesnate i mbushin rrugët e kryeqytetit plot duke nxituar për të zënë vend në lokalet e preferuara e për të kaluar aty një natë të paharrueshme nën ritmet e muzikës. Klube të ndryshme ftojnë këngëtarët më në zë të muzikës shqiptare për të kënaqur në maksimum klientët e tyre. Burime të ndryshme tregojnë për “RevistaWho.Com” se çmimet janë ato që trembin të rinjtë, pasi në klube të caktuara flitet se tavolinat shkojnë nga 500 mijë lekë e deri në 5 milionë lekë të vjetra në zonat VIP. “RevistaWho.Com” ka kontaktuar me një nga vendet më të preferuara për të rinjtë, klubin “Magic4”, që përveç muzikës dhe argëtimit, kanë dhe çmime të arsyeshme e që mund të përballohen nga kushdo që preferon ta kalojë jashtë natën e ndërrimit të viteve. Vanina Çala, një nga menaxheret dhe po ashtu këngëtare në këtë ambient tregon për “WHO” se çfarë do të sjellë ndryshe ky vit. Zbuloni më shumë në këtë intervistë:

14391023_1526291564053761_5041376615298191185_n

Vanina si është festuar Viti i Ri ndër vite dhe çfarë do të sjellë ndryshe ky vit në “Magic4”?

Viti i Ri në “Magic4” ka qenë dhe do të jetë për sa kohë të ekzistojmë, një ndër eventet më të gëzueshme dhe më komplekse që organizojmë. Impenjimi ynë për këtë festë ku janë “të detyruar” të festojnë të gjithë është vërtet i madh pasi kjo është festa e të gjithëve dhe jo vetëm e banorëve të përhershëm të jetës së natës dhe ky fakt na shtyn ne ta ndërtojmë eventin në perfeksionizëm duke mos i lënë rastësisë asnjë detaj. Përsa i përket këtij viti, mendoj që kemi bërë zgjedhjen më të mirë, duke i bashkëngjitur spektaklit tonë artisten e madhe Artiola Toska, e cila prej 20 vitesh nuk e kalon këtë festë në vendin tonë, pra një rikthim magjik dhe i bujshëm për t’i thënë “Mirëmëngjes” vitit 2017-të.

Është vënë re që “Magic4” është ndër vendet e preferuara të të rinjve shqiptarë. Është muzika popullore ajo që i tërheq?
Jo, nuk e mendoj plotësisht kështu. Muzika popullore që luhet në “Magic4” dhe artistet e kësaj rryme, patjetër që i japin ngjyra të veçanta produktit tonë, por larmishmëria që ne ofrojme duke krijuar një kombinim të shkëlqyeshëm të muzikës popullore, muzikës së lehtë dhe asaj komerciale është çelesi i suksesit. “Magic4” sot mund të shihet si universi i muzikës shqiptare që përmbledh në një natë të gjitha rrymat, tingujt dhe të gjithë zërat, një vend ku promovohet shkëlqyeshëm Shqipëria dhe shqiptarët.

Si variojnë çmimet e tavolinave? A ka ndryshime për këtë ditë?
Sigurisht që nata e Vitit të Ri është ndryshe nga netët e zakonshme, kjo për shkak se kur të gjithë festojnë me të dashurit e tyre, stafi ynë i mrekullueshëm dhe i palodhur është në krye të detyrës duke i shërbyer (për shumë vite tashmë) miqve dhe dashamirësve të aktivitetit tonë. Ne sivjet kemi zgjedhur të mos i cënojmë klientët tanë duke rritur çmimet. Gjithashtu kemi rrëzuar strategjinë e “open bar”, për të cilën mendoj se është praktika më e keqe e menaxhimit të një klubi për shumë arsye dhe kemi vendosur një biletë hyrëse me një çmim të arsyeshëm, e cila siç ju thashë më lart funksionon vetëm për këtë natë, pasi gjatë gjithë sezonit, çdo event tjetër ne e kemi ‘free entry’ (hyrje e lirë).

Ka patur ndonjëherë incidente, duke qenë një natë shumë e rrëmujshme ajo e ndërrimit të viteve?
Jo, ne me “sherret” jemi armiq dhe duke qenë se urrehemi, ato nuk trokasin në derën tonë. Për këtë arsye jo vetëm natën e Vitit të Ri ku masat e sigurisë janë të shtuara, por në çdo natë që operojmë mundohemi të jemi shumë të kujdesshëm dhe vigjilentë. Një tjetër arsye pse nata e Vitit të Ri është edhe më e sigurtë se netët e tjera, është për faktin se njerëzit janë nominalisht të kontrolluar, pra ne dime me saktësi se cilët janë njerëzit që do festojnë tek ne atë natë.

Në fund do të donim një mesazh për të rinjtë shqiptarë me rastin e festave të fundvitit.
Urojmë që të rinjtë shqiptarë të festojnë sa më bukur dhe shëndetshëm, dhe nga mot gëzuar 2017!

Tags : jete natenata e vitit te rivanina cala
loading...