Bukuroshja Armina Mevlani ka rrëfyer në një intervistë të gjatë për “Prive” në “Klan Kosova” angazhimet e saj të fundit, duke kujtuar gjatë bisedës hapat e saj deri këtu. “Hapat në jetën time kanë qenë të drejtuar gjithmonë nga moda. Prezantimet në televizion, arti, moda, më kanë ndjekur gjithmonë. Jam shumë e lumtur që Zoti më ka drejtuar rrugën në atë që unë vërtet dua të bëj. Biznesi për mua është shumë i rëndësishëm, po ashtu dhe blogu e instagram-i im që po më krijojnë mundësi të bëj dhe bashkëpunime jashtë Shqipërie”, – rrëfen Mevlani, e cila jep edhe një përgjigje për komentuesit dhe mediat që e ofendojnë. “Nuk më intereson asgjë që shkruhet në media, pa dashur të ofendoj njeri, por jeta ime personale është jeta ime personale dhe shpesh nëpër media të ndryshme shkruhen shumë gjëra të pavërteta. Kur shoh komente negative, kuptoj që ky mllef buron vetëm nga bindjet politike që ata kanë, sepse para se të isha në një lidhje nuk kanë ekzistuar të tilla gjëra”, – ka vijuar ajo. Gjatë intervistës në “Prive”, Armina ka folur edhe për planet për martesë… “Është diçka që e diskutojmë shumë shpesh, por e vetmja gjë që na ka ndaluar ta ndërmarrim këtë hap kanë qenë angazhimet, sepse duam të jetë diçka shumë speciale dhe t’i përkushtohemi tamam. Unë mendoj se çdo gjë ka kohën e vet dhe dua të vijë natyrshëm. Fejesë, martesë, fëmijë. Gjithsesi nëse ndodh të kem fëmijë përpara se të kurorëzohem nuk do ta kem aspak problem”, – është shprehur blogerja bukuroshe. Në fund sipërmarrësja e një biznesi të suksesshëm në Tiranë ka folur edhe për projektin e saj për 2017-tën. “Në fund të 2017-ës e shikoj veten më shumë të rritur profesionalisht. Po mendoj të krijoj një staf për të rritur pjesën e rrjeteve sociale dhe pjesën e blogut. Për shkak të shumë brand-eve që duan të bashkëpunojnë me mua nuk mundem të merrem me të gjithë, ndaj ia ndjej nevojën një stafi”, – përfundoi ajo.