Si sot 15 vite më parë lindi “Top Channel” dhe ky moment u konsiderua si revolucion në median shqiptare. Kjo sepse krijuesi i tij Dritan Hoxha solli në ekran një televizion që në Shqipëri nuk ishte parë më herët. Sot, 15 vite më pas, Dritan Hoxha nuk jeton më por puna që ai themeloi vazhdon të ketë sukses. Kjo punë ka mbetur në dorën e familjes së Tanit të “Top”-it si dhe të miqve e njerëzve të tij më të besuar. Njëri prej tyre është Erion Ylli, aktualisht Zv. Drejtor i “Top Channel” e sigurisht një nga njerëzit më të besuar të familjes Hoxha. Erioni ka bërë sot një dedikim të gjatë, në të cilin tregon historinë e “Top”-it e të vetë Tanit parë nga sytë e tij. Padyshim një histori suksesi… “Çdo mëngjes kur agimi zbardhte, zgjohesha dhe e dija se duhet të rendja me sa fuqi kisha, për të kapur ritmin e një njeriu që njihte limitet e qënieve humane dhe bëri të pamundurën për t’i kaluar ato. Sepse Jeta është bashkimi i vendeve dhe njerëzve që shkruajnë kohën tonë. Dhe ne rritemi e maturohemi duke koleksionuar pikërisht këto eksperienca, eksperienca që na diferencojnë. Unë jetoj dhe vrapoj në kohën që shkroi Dritan Hoxha, me pasionin, idetë dhe krijimet e tij gjeniale. I kam jetuar me të njejtin emocion dhe gëzim të gjitha ditëlindjet e familjes së madhe Top Channel, si një bashkëudhëtar i këtij realiteti. Dhe sot ndihem shumë mirë, me më shumë motivim, dëshirë e forca, mes kolegëve, bashkëpunëtoreve e miqve të mi dhe të Top Channel. Çdo mëngjes, kur agimi zbardh zgjohem me dëshirën dhe pasionin për të bërë diçka të bukur, të panjohur, të dobishme. 15 sot nuk është thjesht një gur kilometrik në rrugëtimin e suksesshëm të këtij televizioni, por është rrugëtimi jetësor i çdonjerit prej nesh që jemi pjesë e tij dhe miliona të tjerëve që janë ndikuar nga koha që ka prodhuar Top Channel. Gëzuar ditëlindjen Top Channel!”, ka shkruar Ylli.