Mbrëmjen e djeshme Stambolli u shokua nga dy shpërthime në afërsi të stadiumit të Beshiktashit ku u vranë të paktën 29 persona dhe u plagosën 166 të tjerë. Dhjetëra arrestime janë bërë, ndërsa Turqia ka nisur një ditë zie. Turqia kohët e fundit është goditur nga një valë e sulmeve militiante. Presidenti Recep Tayyip Erdogan konfirmoi sulmin dhe tha se shpërthimet kishin objektiv që të shtonin viktimat. “Një sulm terrorist është kryer ndaj forcave tona të sigurisë dhe qytetarëve tanë. U kuptua se shpërthimet pas ndeshjes Beshiktash-Bursaspor kishin për objektiv që të shtonin viktimat. Si rezultat i sulmeve për fat të keq kemi martirë dhe të plagosur”-deklaroi ai. Sulmi u krye dy orë pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Beshiktashit dhe Bursasporit, dy ekipeve më të njohura turke. Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin por vala e sulmeve në Turqi këtë vit është kryer nga militantët kurdë dhe grupi ekstremist ISIS.