• youuinsttaaffccbb
TEST
Breaking News, Lajme

Shumë Presidentë e pak Zonja të Para! Ja kush janë ato që morën postin, refuzuan apo fatkeqësisht munguan…

Ditën e djeshme Ilir Meta ka marrë zyrtarisht detyrën e Presidentit. Pas leximit të formulës nga nënkryetarja Valentina Leskaj, Meta u betua si kreu i shtetit. Por ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, sot kryetare e “LSI”-së, e refuzoi statusin e Zonjës së Parë. Në fakt kjo është hera e parë që ndodh një gjë e tillë në Shqipëri. Në rastet e mëhershme “Zonja e Parë” është zëvendësuar kur Presidenti ka qenë i ve. Po kush janë “Zonjat e Para” shqiptare? Cilat prej tyre e mbajtën me dëshirë këtë status e cilat nuk e arritën dot, pasi nuk jetonin më. Kush janë bijat e Presidentëve të Shqipërisë që u dolën krah tyre, në vend të nënave. Sot iu sjellim një artikull për Zonjat e Para të Shqipërisë, pas shpalljes republikë pluraliste.

SEMIRAMIS ALIA
Presidenti i parë shqiptar pas shpalljes së demokracisë në vend, ishte pasuesi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia. Ai e mori detyrën në 30 prill të vitit 1991 për ta lënë atë një vit më vonë, në 9 prill 1992. Asokoke bashkëshortja e Alisë nuk jetonte. Ramiz Alia ishte i martuar me Semiramis Alia. Ajo ishte vajza e profesorit të njohur Aleksandër Xhuvani. Semiramis Alia, ndryshe nga shumë gra të ish-udhëheqësve komunistë, nuk u mor me politikë, por punoi si pedagoge në Fakultetin e Shkencave. Bashkëshortja e Ramiz Alisë vdiq në vitin 1986 nga një sëmundje e rëndë, pra 5 vite përpara se i shoqi të shpallej president. Në të njëjtin vit u nda nga jeta edhe nëna e Alisë.

LIRI BERISHA

Mori statusin me zgjedhjen e Sali Berishës President i Republikës në vitin 1992-97. Absolutisht një nga Zonjat e Para më të suksesshme shqiptare. Zonja Berisha jo vetëm që e pranoi statusin, por ajo u angazhua seriozisht që ta përfaqësonte më së miri, pa u përfshirë asnjëherë politikisht, larg çdo retorike. Nënë e dy fëmijëe, Argitës dhe Shkëlzenit ajo është angazhuar me ndihmën e saj në komunitet, duke themeluar veç të tjerash edhe “Fondacionin Fëmijët Shqiptarë”, në ndihmë të të vegjëlve me autizëm. Edhe pas largimit të Berishës nga detyra si President apo më vonë edhe Kryeministër, Liri Berisha e vazhdoi angazhimin social deri sot e kësaj dite.

LIDRA MEIDANI
Zonjë e Parë e shqiptarëve nga viti 1997 deri në 2002, kohë kur bashkëshorti i saj Rexhep Meidani mbajti detyrën e Presidentit të Republikës. Matematiciene me profesion, ajo nuk e braktisi asnjëherë mësimdhënien deri kur u larguan jashtë vendit familjarisht. Nënë e dy fëmijëe, një vajze e një djali, zonja Meidani e mbuloi denjësisht statusin e Zonjës së Parë duke e shoqëruar kurdo bashkëshortin, por pa u përfshirë më tej.

MILICA MOISIU
Ajo nuk jetonte më, kur bashkëshorti i saj Alfred Moisiu u shpall President i Republikës së Shqipërisë në 24 korrik të vitit 2002, post që e mbajti deri në vitin 2007. Gjithashtu mësuese në profesion, ajo mbahet mend si një nga më të mirat në kryeqytet. Nënë e katër fëmijëve, tri vajzave e një djali, zonja Moisiu ndërroi jetë nga një iktus në kokë, 1 vit para se i shoqi të shpallej President. Statusin e Zonjës së Parë, e mori vajza e tyre, Rubena Moisiu, mjeke e njohur. Kujtojmë se gjatë mandatit, ish-Presidenti Moisiu pësoi një tjetër humbje të madhe. Djali i tij i vetëm, vdiq nga një aksident.

TEUTA TOPI

Mbajti statusin e Zonjës së Parë të Shqipërisë, pasi shpalljes të Bamir Topit President në vitet 2007-2012. E diplomuar për agronomi duke marrë më vonë edhe statusin e specialistes, zonja Topi pranoi statusin, gjithashtu duke mbajtur distancë nga përfshirja politike. Pavarësisht kësaj ajo është angazhuar në jetën sociale sa i takon çështjeve të përkatësisë gjinore apo integrimit europian. Teuta Topi është nënë e dy vajzave.

ODETA NISHANI
Prej ditës së djeshme ajo nuk është më Zonjë e Parë e Shqipërisë, status që e mbante prej vitit 2012 kur i shoqi Bujar Nishani u shpall President i Republikës. Odeta si Zonjë e Parë është e njohur për angazhimin e saj serioz në çështjet e komunitetit. Nënë e dy fëmijëve, një djali e një vajze, Odeta bashkë me familjen kane jetuar 5 vitet e fundit në Pallatin e Brigadave. Ajo u kujdes personalisht në rikonstruksionin e një vile në brendësi të oborrit të rezidencës, kur u vendosën familjarisht.

MONIKA KRYEMADHI
Deputete e Parlamentit të Shqipërisë dhe kryetare e “Lëvizjes Socialiste për Integrim”, zonja Kryemadhi është e para që refuzon statusin e Zonjës së Parë të vendit. Për këtë shkak, ditën e djeshme kur u bë betimi i Ilir Metës President, këtë status e mori vajza e tyre e madhe, Bora. Do të jetë pikërisht Bora, e cila do të shoqërojë Presidentin e Shqipërisë në takimet zyrtare si brenda ashtu edhe jashtë vendit, për 5 vitet e ardhshme.

Nga RevistaWho.com

CLOSE
CLOSE