Rudina Xhunga dhuron për festa “Përrallat e Pitilushes”, gazetarja: Vajza ime Alana është bashkëautore


Bashkë me ndryshimin e jetës së Rudinës si nënë, edhe frymëzimi i saj ka marrë një kah tjetër. Pas botimit të disa librave artistikë, gazetarja e suksesshme sjell si dhuratë këtë fundvit, një libër me përralla. Por “Përrallat e Pitilushes” Rudina Xhunga nuk i rrëfen e vetme. Bashkëautore e librit është e vogla e saj, Alana Hila, vetëm 4 vjeçe. “Qe mbajtja e një premtimi që i dhashë Alanës, kur lindi. Që një ditë do të shkruaja një libër me përralla për të. Kanë kaluar pothuaj katër vjet qysh atëherë, por më në fund e mbajta fjalën. Nuk u mundova shumë dhe nuk kërkova ndonjë gjetje, përveçse shkrova përrallat që i kam treguar Alanës, qysh kur mbushi tre vjeç. Kanë qenë kohë kur ajo nuk bindej të pinte shurupin, kur sëmurej, apo nuk hante mëngjes, apo i ndodhnin gjëra që duhej t’ia shpjegoja dhe nuk dija si?! Atëherë shpika një personazh që e quajta Pitilushe, e cila nuk dëgjonte mamin, babin dhe gjyshet, e bënte shumë gabime, por më në fund, gjithmonë bindej. Sa herë Alana kundërshtonte për diçka, më pyeste: Po Pitulushja çfarë bënte, ma? Dhe kështu lindte përralla e radhës, për çdo rast e nevojë. Një ditë u ula dhe nisa t’i shkruaj që të mos mbeteshin vetëm mes meje dhe Alanës, por t’i tregonin gjithë mamatë e gjyshet që kanë fëmijë të vegjël nga 3 në 6 vjeç, por edhe më të vegjël e më të mëdhenj. Alana është bashkëautore sepse janë pyetjet e saj, që sollën përgjigjet e mia. Pa Alanën ky libër nuk do të bëhej. Alana ka rikthyer fëmijën brenda meje, aq sa ndonjëherë më ngjan si shoqja ime, më tepër se vajza. Nuk kam lexuar shumë literaturë si ta rris fëmijën tim, kam dashur të krijoj personazhe për fëmijërinë e saj. Kur e shoh aq të lidhur pas frozenit dhe sesi fluturon për një pepa pig, më vjen keq. Dua që ajo të ketë përrallat e saj, tipikisht shqiptare, unike dhe të sajat”, tregon Xhunga për gazetën “Mapo”. “Përrallat e Pitilushes” tashmë prej dy ditësh i gjeni në në çdo librari, të Shqipërisë dhe më pas në Kosovë e Maqedoni.

kopertina

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password