Rozana Radi u shpall fituesja e “Kënga Magjike” me këngën “Ma thuaj ti” që përcjell një mesazh prekës dhe trajton problematikën e gruas shqiptare. Këngëtarja ka triumfuar nga votimet e kolegëve të saj. E emocionuar Rozana u ngjit në skenë dhe me lot ndër sy tha se kjo është nata më e lumtur e jetës së saj. “Nuk e di a mund ta kuptoni që kam shumë vite që e ëndërroj këtë çmim. Është nata më e lumtur e jetës sime. Faleminderit publikut, faleminderit babit dhe mamit tim që janë atje lart. Ju faleminderit.” -janë fjalët e artistes. Më pas drejtori Ardit Gjebrea pyeti Rozanën nëse mund të këndonte dot dhe artistja i tha se është e mbaruar. Megjithatë, Rozana ja doli t’i përcillte edhe një herë emocione publikut me këngën e saj.
Artistja fitoi mbrëmjen e sotme edhe çmimin “Best Artist on Web” pasi kënga e saj është më e dëgjuara dhe është shpërndarë më shumë se 20 mijë herë në rrjete sociale.
Çmimin e dytë e rrëmbeu Anxhela Peristeri me këngën “Gënjeshtar” ndërsa çmimin e tretë Arilena Ara me këngën “Nëntori”.