RAPORTI1982/ Akuza për vjedhje dhe paaftësi në RTSH, Grabocka ekspozon…

vera-grabocka

Vjedhje, pakujdesi, paaftësi, nepotizëm, shkelje të moralit komunist… Këto janë vetëm disa nga akuzat që kolegët i drejtonin njëri­-tjetrit në Radio Televizionin Shqiptar, në vitet ’80. Në shënjestër ishin disa nga figurat më të njohura të të vetmit ekran televiziv asokohe si Agron Çobani, Engjëll Ndocaj, Vera Grabocka, Shaqir Rexhvelaj etj. Këtë atmosferë na e sjell një dokument arkivor i datës 12 korrik 1982, i cili publikohet për herë të parë nga gazeta “Panorama”. Në 6 faqe të daktilografuara, i deleguari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Leko Mako, u bën me dije shefave të tij në sektorin e edukimit mbi gjithçka ka mbajtur shënim në bllok, rreth atyre çka ka parë, dëgjuar dhe konstatuar nga dy mbledhjet e organizatave bazë të Partisë të Radio­Televizionit, ku ai ka asistuar. Koha kur janë mbajtur këto mbledhje, që përshkruhen në dokumentin e mëposhtëm, përkon me periudhën pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumba pistolete. Pas kësaj ngjarjeje, në të gjithë vendin zhvilloheshin mbledhje të shumta ku diskutohej dhe merrej në analizë letra që Komiteti Qendror i PPSH­-së u kishte dërguar organizatave bazë të partisë me temë: “Tablo sinoptike, mbi veprimtarinë armiqësore të poli­agjentit Mehmet Shehu”. Në këtë kontekst janë mbajtur edhe dy mbledhjet në RadioTelevizionin Shqiptar, ku komunistët e organizatave bazë të partisë të atij institucioni mjaft të rëndësishëm kanë diskutuar në frymën e asaj letre të Komitetit Qendror, duke akuzuar mjaft ashpër kolegë të tyre dhe deri te drejtuesit e RadioTelevizionit. Në numrin e kaluar “Panorama” solli disa prej akuzave të punonjësve të RTSH­-së drejtuar Agron Çobanit e të tjerë emrave të njohur të televizionit. Kësaj here është radha e regjisores Vera Grabocka, koleges Shpresa Musliu, apo grimieres Zhaneta P., të cilat akuzohen se reklamojnë modën e huaj, veshin rroba të ardhura nga jashtë, apo përfitojnë nga materialet e destinuara për Radio Televizionin. Ato akuzohen politikisht në raport­informacionin e të deleguarit të Komitetit Qendror, pasi përhapja dhe ekspozimi i modës së huaj, si dhe veshjeve që vinin nga jashtë, në bazë të ligjeve të asaj kohe quhej agjitacion e propagandë… Kodi Penal parashikonte nga tre, deri në shtatë vjet heqje lirie.

INFORMACION I SEKTORIT TË EDUKIMIT NË KOMITETIN QENDROR TË PPSH PËR KËTË PROBLEM: FIGURA MORALEPOLITIKE E PUNONJËSEVE TË RADIO­TELEVIZIONIT

Informacion …

Shoku Çajup Rusmajli në diskutimin e tij tha se ka pasur shumë ndërhyrje, këto kanë ndikuar që të marrim njerëz të paaftë. Shoku Çajup dhe shoku Marash Hajati, nuk thanë se kush ka ndërhyrë. Këta shokë, ato ndërhyrje që i quajnë të padrejta të mos i pranonin, kjo thyerje e panevojshme e tyre dëmton punën e Partisë në këtë institucion. Njëkohësisht mendoj që këta të thirren e të thonë shokët që kush ka ndërhyrë padrejtësisht.

rtsh-1990

Sigla e edicionit te lajmeve ne RTSH, para viteve 90′

Duke lejuar shfaqjet e liberalizmit në punën me kuadrin ka hyrë në Radio­Televizion, Agim Xh…., ardhur nga fshatrat e Tiranës, i cili ka vjedhur dhe manifestuar disa shfaqje të huaja. Komunistë kritikuan rendë mbajtjen e këtij personi në këtë institucion dhe për ardhjen e tij në fillim thanë se është bërë me hatër. Nga shumë duhet të ishte punuar për të përmirësuar përbërjen e kuadrit nga klasa punëtore, ndonëse në radhët e punëtorëve në qendra të ndryshme pune në rrethin e Tiranës ka punëtorë me arsim të mesëm dhe të lartë, është punuar pak për t’i kërkuar këta, për t’i marrë në provë dhe më të përgatiturit, të tërhiqeshin në punë në këtë institucion. Njëkohësisht duhet të bashkërendohet më mirë puna midis RadioTelevizionit e institucioneve të tjera për qarkullimin e mjaft kuadrove që punojnë për një kohë të gjatë në RadioTelevizion, pasi ka lindur nevoja e qarkullimit. Përfundimisht, mund të themi se është punuar keq si për qarkullimin e kuadrit dhe për zëvendësimin gradual të kuadrove të paaftë me të aftë. Që nga Plenumi i 8­të i Komitetit Qendror, nuk ka lëvizur asnjë kuadër i paaftë. Vërejtje u bë edhe për njerëzit që ngarkohen me detyra jashtë shtetit, që të jenë nga më të aftit, të justifikojnë sa dhe si duhet detyrën e ngarkuar. Ka pasur në këtë drejtim persona që nuk e kanë justifikuar si duhet detyrën e ngarkuar. U bënë vërejtje që të shfrytëzohen sa më mirë materialet që janë filmuar nga grupet tona të xhirimit, e sidomos në Kosovë, jo sa duhet janë grumbulluar dhe sistemuar materialet e filmuara, ka nga ato që i kanë akoma operatorët. Organizmi i punës nga drejtoria e përgjithshme, drejtoritë vartëse e sektorët duhet të përsosen sa më mirë. Në këtë drejtim bënë vërejtje e kritika. Nuk shfrytëzohet sa duhet koha e punës, ka shfaqje të thyerjes së disiplinës. Kur dilet me shërbim ndërtohet një orar pune tjetër, ka zvarritje. Puna ndërtohet më shumë në disa rrethe, për shembull, në Sarandë, tha një komunist, kemi shkuar më shumë. Ndonjëherë disa shokë qëndrojnë në rrethe me dietë pa punë. Vërejtje u bënë edhe për shfrytëzimin më të drejtë të automjeteve të institucionit.

dokument-1-rtsh

Në diskutimin e saj, Liri Çeli tha se Shaqir Rexhvelaj për një koncert niset me të gjithë mjetet ku dëshiron, ky përkrahet nga drejtoria. Ngrihet problem se ka shpërdorime të pronës së përbashkët e deri në vjedhje etj. Janë vjedhur bobina, radio, magnetofona, tha në diskutimin e tij Peçi Fiku, ka mosorganizim, lihen çelësat, hyn kushdo në programacion. Janë kapur dhe persona duke vjedhur, por nuk është marrë asnjë masë. Ka pasur ankesa edhe nga personat e jashtëm kur vijnë në televizion për t’u regjistruar, u kanë humbur sende të ndryshme. Nuk janë vendosur rregulla të forta në materialet muzikore që riprodhohen. Kaseta të shumta vijnë në radio për t’u mbushur me këngë të reja. Disa herë janë riprodhuar dhe janë shpërndarë kaseta me këngë greke. Mjaft vërejtje u bënë për ruajtjen pastër të figurës morale të punonjësve të RadioTelevizionit. Ka pasur raste që operatorë dhe redaktorë kanë marrë material në ndërmarrjet ku kanë përgatitur kronika. Operatori Sazan M… ka marrë në fabrikën e llambave në Vlorë disa llamba neon, po mbushet një vit dhe drejtoria e ka lënë në heshtje. Fenomene negative vihen re edhe në shfaqjen e modës së huaj në disa punonjës dhe kuadro, si dhe te disa bashkëpunëtorë të jashtëm. Te këta persona ka një mani, thanë në diskutimet e tyre disa komunistë, për të veshur rroba të jashtme. Kjo u ka bërë që t’u kërkojnë dhe të tjerëve. Shpresa Mysliu bën miqësi me një familje që ka njerëz në Greqi për të marrë plaçka dhe i reklamon mallrat e ardhura nga Greqia. Vera Grabocka ekspozon modën e fundit. Zhaneta P…, grimiere, ka gati dhjetë vjet që tërheq materiale nga albimporti të padokumentuara, këto materiale pjesërisht i ka përvetësuar e shpërdoruar. Në kontrollin e fundit iu gjetën kampione të painventarizuara. Reklamon modën me këto sende të rralla.

dokument-2-rtsh

Për të rregulluar flokët e saj një herë në javë harxhon 200 lekë nga televizioni. Ndonëse kontrollet e bërë ndaj Zhaneta P… e kanë konsideruar fajtore, nuk po merret asnjë masë. Problemet e mësipërme tregojnë se organizata bazë e Partisë në Radio­Televizion, organizatat e masave, si dhe drejtoria duhet të zhvillojnë një luftë më konsekuente ndaj shfaqjeve të huaja të indiferentizmit e të liberalizmit. Atje u tha se ka heshtje, nuk luftohet sa duhet. Në diskutime e disa komunistëve në radion e brendshme u bënë disa vërejtje edhe për shokun Çajup Rusmali. Të jetë më i komunikueshëm me punonjësit, të mos bëj dallime etj., për të Godina e Radio­Televizionit cilat sekretari i organizatës bazë të Partisë, si dhe vetë shoku Çajup, tha se nuk qëndrojnë. Megjithatë, ne mendojmë nga që vërejtjet u bënë nga disa shokë, ka vend edhe për autokritikë, për të krijuar një ambient afrimi e kërkesë llogarie më të mirë me vartësit. Problemet që u ngritën i biseduam me sekretarët e organizatave­bazë, t’i reflektojnë e t’i analizojnë thellë, duke nxjerrë detyra në mbledhjet për dhënie llogari e zgjedhje, që po i zhvillojnë gjatë kësaj jave.

12 korrik 1982 Leko Mako/ Panorama

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password