Shpesh i ndeshim rrugëve të Tiranës; makina të shtrenjta, të modifikuara në pamje dhe pjesë motorike. “Fluturojnë” në garë me njëra-tjetrën. Ndonëse zgjedhin natën kur nuk ka shumë qarkullim, të rinjtë që argëtohen në këtë mënyrë, sigurohen që kilometrazhin dhe shpejtësinë e çmendur me të cilën ecin, ta xhirojnë. Videot e tyre në ‘youtube’ shpesh përfundojnë në objekt bisedash dhe komentesh të cilat duket se i frymëzojnë më shumë këta të rinj. Por, e këtij mendimi nuk është aspak Policia Rrugore dhe ajo e Rendit, mbrëmjen e djeshme kanë bllokuar 5 drejtues dhe makinat e tyre. Sipas policisë, këto mjete janë konstatuar duke garuar me njeri-tjetrin në pjesën e autostradës së Unazë së re nga TEG në drejtim të Kopshtit Botanik, duke sjellë rrezikshmëri për drejtuesit e tjerë të mjeteve dhe shqetësim për banorët e zonës. Drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan nga agjentet verifikues me masë administrative./ Lapsi.al