close
Breaking NewsLajme

Parashikimi i Armando Sadikut: Fitojmë 1-0, golin e shënon…

image

Futbolli është shpesh një ndërthurje e padrejtë mes fatit dhe meritave sportive. Kur kujton që ai i shënoi një skuadre spanjolle dy javë më parë në një nivel si “Europa Ligë”, patjetër që mendon se është i duhuri për të qenë në majën e sulmit përballë Spanjës në “Loro Boriçi”.

Megjithatë, dy gola radhazi të Bekim Balajt me Kombëtaren, pa harruar formën e mirë që ka kaluar në Rusi me Terekun, të bën të mendosh gjithashtu që është mëkat se si shkodrani dhe sulmuesi nga Elbasani nuk formojnë edhe një herë dyshen e sulmit kuqezi të ekipeve të moshave të dikurshme. Pasi mungoi në stadiumin ku u bë idhull për gjashtë muaj dhe shpëtimtar i skuadrës vendëse, Armando Sadiku në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon emocionet e tij nga shtrati i spitalit, kur shihte që shokët e Kombëtares ia dolën të merrnin tri pikë në Lihtenshtejn.

Sipas sulmuesit kuqezi, këtë herë do të jetë Roshi që do të vendosë gjithçka në këtë takim dhe Shqipëria të dalë me triumf nga ky 90-minutësh. Sadiku rrëfen operacionin në gju, periudhën e rikuperimit për të cilën ka nevojë dhe afatin kohor në të cilin ai kërkon të jetë i gatshëm. “Fazën e dytë të rikuperimit të plotë, që do të më kthejë në fushë me 100% të mundësive të mia, do ta kryej në Torino. Kam biseduar me të dhe do të punoj në qendrën mjekësore të Juventusit në Torino”, tregon ndër të tjera bomberi kuqezi në një intervistë për “Panorama Sport”.

Armando, si është gjendja juaj, pasi keni kryer një ndërhyrje kirurgjikale në gju?

Tani jam mirë. Kam lënë spitalin pasditen e së premtes dhe tani jam rikthyer në shtëpi.

Që do të thotë se do të jeni në pushim total për disa kohë…

Jo, krejtësisht. Më duhet të bëj ushtrime me fizioterapistin tim personal sa herë që ai mendon se është e nevojshme, në bazë të një programi që ka ndërtuar për mua dhe për rikuperimin tim.

Si shkoi ndërhyrja? Sa kohë zgjati?

Për fat, operacioni shkoi shumë mirë. Ndërhyrjen e kam kryer në klinikën “Hairslanden” në Zyrih. Ka zgjatur për rreth 1 orë.

Sa kohë do t’ju duhet që të qëndroni në regjim shtrati dhe cilat do të jenë etapat e rikuperimit tuaj?

Edhe rreth një javë do të më duhet që të eci me ndihmën e patericave. Pas këtyre ditëve, kam një takim me doktorin për të parë si do të jetë gjendja e gjurit. Pra, javën e ardhshme do të nis të eci vetë dhe pa ndihmën e patericave. Pas kësaj, do të filloj të kryej edhe ushtrime më të shumta dhe atë që mund të quhet stërvitje. Për rikthimin në fushë, mendohet që të ndodhë pas rreth dy javësh. Me sa kam biseduar me mjekët, në atë periudhë pritet që të nis ushtrimet me topin dhe përgatitje më intensive.

Kur do të jetë edhe faza finale e rikuperimit tuaj?

Kam biseduar edhe me mjekun e ekipit kombëtar dhe ai më ka thënë që rikuperimi im do të kryhet në dy faza. Të parën do të më duhet ta kryej në Zyrih, pra nisjen e përgatitjeve dhe ushtrimet fillestare. Më pas, fazën e dytë të rikuperimit të plotë, që do të më kthejë në fushë me 100% të mundësive të mia, do ta kryej në Torino. Kam biseduar me të dhe do të punoj në qendrën mjekësore të Juventusit në Torino.

Cili është synimi dhe afati për të arritur?

Sigurisht që është ndeshja e radhës e Kombëtares kundër Izraelit, por dua që të jem sa më shpejt gati edhe për të qenë në ndihmë të ekipit në ndeshjet e Europa Ligës.

Çfarë ndjesie ishte për ju që ta ndiqnit ndeshjen nga spitali, ndërkohë që Kombëtarja luante në fushën ku ju u bëtë hero dhe shpëtimtar i Vaduzit në gjashtë muaj?

Normalisht që kisha shumë dëshirë të isha në atë ndeshje me ekipin. Sidomos për faktin që te Lihtenshtejni kisha edhe disa shokë e do të ishte emocion të luaja përballë tyre. Jo vetëm atyre, por edhe kundër atyre tifozëve të pranishëm, të cilët do të kisha shansin që t’i takoja edhe një herë, pavarësisht se me fanellën e Kombëtares, pra si kundërshtar. Megjithatë, fati e donte që të mos isha në atë takim.

Me kë e ndoqët ndeshjen?

E kam ndjekur me shumë emocione në spital. Kam pasur prindërit dhe mikun tim të ngushtë që erdhi nga Zyrihu për të më shoqëruar.

Si është për ju që në fundjavë të luani në Ligën e Dytë të Zvicrës dhe në mesjavë, të enjten, të jeni në fushë për ndeshjet elitare në Europa Ligë?

Nuk është e lehtë që të motivohesh maksimalisht në Ligën e Dytë të Zvicrës dhe pastaj të luash në Europa Ligë në mesjavë. Megjithatë, unë jam mësuar tashmë dhe më duhet të përshtatem me këtë situatë. Kam luajtur edhe më parë në këtë ligë, por pas Europianit nuk është njësoj. Megjithatë më duhet të jem profesionist gjithmonë dhe të përgatitem maksimalisht për çdo ndeshje. Në radhë të parë, kjo është detyrë dhe në të mirë të formës sime personale, por sa herë që jap më të mirën, ndihmoj edhe ekipin që të arrijë objektivat.

Si është marrëdhënia juaj me trajnerin e Kombëtares?

Si De Biazi, edhe Paolo më kanë dhënë shumë dhe më kanë qëndruar pranë, edhe atëherë kur Armando nuk ishte ky bomberi që është sot dhe që e përkrahin të gjithë. Kam një raport shumë të mirë dhe qëndrojmë në kontakt për dëmtimin, apo edhe për çdo situatë që kam kaluar. Ai më ka mbështetur gjithmonë, ashtu si edhe Paolo Tramexani. Ata janë pjesë e rëndësishme e karrierës sime.

Ju vjen keq që nuk do të jeni në fushë përballë Spanjës?

Do të doja shumë që të isha në ndeshjen kundër Spanjës, por ky ishte fati im. Do të bëja çfarëdolloj gjëje që të mund të isha gati për Spanjën… Megjithatë nuk dorëzohem sepse ndeshje të tjera të rëndësishme na presin në të ardhmen. Ndeshjen do ta shoh me shumë emocione dhe shpresoj që shokët do të dalin fitimtarë.

Sa mendoni se do t’i mungoni Kombëtares?

Këtë nuk mund ta them përpara ndeshjes, por mungesa ime do të shihet pasi të përfundojë takimi. Shpresoj që si Balaj, edhe Cikalleshi të bëjnë atë që duhet që të mos ndihet aspak mungesa ime.

Në rolin e një tifozi special në këtë ndeshje, kë do të preferonit që të luante, Balaj apo Cikalleshi?

Nuk e di se kush duhet të luajë, pasi është diçka që e vendos trajneri. Të ishte për mua, që të dy…

A keni një parandjenjë për rezultatin?

Fitojmë 1-0 me gol të Roshit.

Sa shanse mendoni se ka Shqipëria që të lërë pas ndonjërën mes Spanjës dhe Italisë, ndonëse në dy ndeshjet e para i ka lënë të dyja?

Të gjithë e dimë që Italia dhe Spanja janë dy superskuadra. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është që të shohim forcat reale përpara çdo ndeshjeje dhe të zbatojmë maksimalisht skemat që marrim nga trajneri. Llogaritë le t’i lëmë për në fund të kualifikueseve.

image image
loading...