Vetëm pak ditë më parë përfundoi edicioni i tretë i ‘Dance with me’ duke shpallur fitues çiftin energjik të skenës, Renato Mekolli dhe Laura Nezha. Por një dyshe tjetër që shihej si favorite ishte ajo e deputetit Nard Ndoka me këngëtaren Greta Koçi. Në një intervistë për ‘Panorama Plus’ deputeti tregon se garës iu larguan pak nga pak sepse prej disa kohësh ata fliteshin se do të fitonin kupën e ‘DWM’. “Ndryshe nga konkurrentët e tjerë ne na jepte njëfarë epërsie statusi ynë dhe paragjykimet filluan të bëheshin të bezdisshme, kjo na bëri që t’i largoheshim garës me takt”-shprehet Nardi. Më tej ai tregon vështirësitë e një deputeti, i cili merr pjesë në një konkurs vallëzimi dhe se çfarë i thonin kolegët e tij politikanë. “Në fillim disa më shikonin me habi, guxim i madh më thonin, kujdes se po na përfaqëson edhe ne! Mos na zhgënje, duhet të fitosh, i madh je, si nuk përton etj. Shumica e kolegëve më kanë pëgëzuar”. Deputeti shton se ka marrë komplimente dhe nga deputete femra. “Një ditë në Kuvend më thotë Jozefina Topalli se e kishte marrë nëna e saj kur transmetohej programi. “E shikon Nardin tuj kërcy moj Jozi? Pash zotin sa mirë ka kcy”- i kishte thënë ajo”. Nard Ndoka e cilëson këtë eksperiencë si shumë të guximshme dhe të rëndësishme, që ndikoi goxha për mirë në jetën e tij si politikan.