Një sondazh publikuar nga “Ora News”, ka qartësuar situatën mediatike në Shqipëri, duke treguar vendin e secilit në sytë e publikut. E teksa “burrat” e televizionit mbajnë trofeun e programeve më të ndjekura, një zonjë gazetare është më e pëlqyera nga të gjithë. Sipas të dhënave të sondazhit të “IPR Markenting”, më e pëlqyer ka rezultuar gazetarja Ilva Tare me rreth 92% e publikut, pavarësisht se publiku shqiptar e njeh atë pak më pak se Fevziu. Por nga ana tjetër “Opinion” rezulton emisioni më i ndjekur me 88%, i ndjekur nga emisioni Zonë e Lirë. Sondazhi i IPR Marketing ka dhënë rezultate interesante, ku vihet re se si Fevziu ashtu edhe Arjan Çani, janë më të njohurit, respektivisht me 88% dhe 86%. Por nëse deri më tani Sokol Balla është konsideruar si konkurrenti i Blendi Fevziut, mësohet se lista e sfiduesve e mundësve të tij është pak më e gjatë. Në Top Channel, 85% e shqiptarëve njohin gazetarin Sokol Balla. Dhe po 85% e tyre e preferojnë emisionin “Top Story”. Mirëpo një tjetër emision i rëndësishëm në këtë televizion siç është “Top Show”, pëlqehet nga 86% e shqiptarëve dhe po aq e preferojnë edhe moderatorin e tij Alban Dudushi. Pra Dudushi del në avantazh.
Top Channel
Qytetarët e pyetur nga IPR Marketing, për televizionin Top Channel, 74% e të anketuarve thonë se kanë ndjekur emisionin Top Show dhe 86% thonë se ju pëlqen emisioni në fjalë. Ndërkohë, 79 për qind e të pyeturve thonë se e kanë ndjekur emisionin Top Story, ndërsa vetëm 85% e pëlqejnë atë. Pra, 1 për qind më pak se emisioni Top Show. Të pyetur nëse i njohur drejtuesit e këtyre dy emisioneve, 86% thonë se e njohin Alban Dudushin dhe 86% e pëlqejnë atë. Ndërkohë, 85% thonë se njohin drejtuesin e Top Story, Sokol Balla dhe 84% thonë se kanë mendim pozitiv për të.
Tv KLAN
Të pyetur për tv Klan, 88% thonë se kanë ndjekur emisionin Opinion dhe 84% e tyre shprehen se u pëlqen ky emision. Ndërkohë, 1 për qind më pak ndiqet emisioni tjetër në këtë televizion Zonë e Lirë, me 87%, ndërsa pëlqimi për të është 74 për qind. Për sa i përket dy drejtuesve të emisioneve, 88% thonë se njohin kush e drejton emisionin Opinion, ndërsa 81% e tyre kanë mendim pozitiv për Blendi Fevziun. Ndërkohë, 86% njohin Arian Çanin, dhe 71% thonë se kanë mendim pozitiv për të.
Ora News
Për sa i përket Ora News, 67% thonë se kanë ndjekur “Tonight Ilva Tare”, ndërsa 32% thonë se kanë ndjekur emisionin “Arena”. 92% thonë se u pëlqejnë emisionin “Tonight Ilva Tare”, kundrejt 84% që pëlqejnë emisionin “Arena”.
VIZION PLUS
Vizion Plus thonë se e ndjekin 49%, posaçërisht emisionin “Oktapod” dhe 35% emisionin “Dritare”. Për sa i përket pëlqyeshmërisë, dy emisionet marrin përqindje të barabarta. Kur bëhet fjalë për drejtuesve të emisioneve “Oktapod” dhe “Dritare”, Rudina Xhunga që drejton emisionin e fundit, merr përqindje më të larta, ku 81% thonë se e njohin dhe 68% kanë mendim pozitiv, ndërkohë për drejtuesin e “Oktapod”, Turjan Hysko, 71% e njohin dhe 66% kanë mendim pozitiv për të.
NEWS 24
Dy emisionet e tv News 24, të marra nga sondazhi, janë “Studio e Hapur” dhe “Të Paekspozuarit”, ku për të parin 59% thonë se e kanë ndjekur dhe 42% shkojnë në favor të emisionit të dytë. Ndërkohë, 74% thonë se e pëlqejnë emisionin “Studio e Hapur”, kundrejt 70% që pëlqejnë emisionin “Të Paekspozuar”. Për sa i përket drejtuesve, 68% thonë se e njohin Eni Vasilin, për të cilën 75% kanë mendim pozitiv, ndërsa 64% thonë se e njohin Ylli Rakipin që drejton emisionin “Të Paekspozuar”, për të cilin 66% thonë se kanë mendim pozitiv.
ABC NEWS
Në televizionin ABC News është përzgjedhur “Politika në ABC News”, për të cilin 29% thonë se e kanë ndjekur kundrejt 71% që thonë jo. Për sa i përket preferencave për këtë emision, 59% thonë se e pëlqejnë, 9% nuk e pëlqejnë dhe 32% shprehen se nuk e dinë. Për sa i përket drejtuesit të këtij emisioni, 39% thonë se e njohin Mimoza Koçiun,
kundrejt 61% që nuk e njohin. Për sa i përket mendimit, 65% thonë se e vlerësojnë pozitivisht zonjën Koçiu, 23% negativisht dhe 12% nuk kanë përgjigje.
REPORT TV
“5 Pyetjet nga Babaramo” është emisioni i Report TV ku janë pyetur qytetarët, për të cilën 65% thonë se nuk e kanë ndjekur kundrejt 35% që shprehen “Po”! Ndërkohë, 72% e të pyeturve thonë se e pëlqejnë këtë emision, kundrejt 20% që nuk e pëlqejnë dhe 8% që shprehen “Nuk e di”. Ndërkohë, 81% shprehen se e njohin drejtuesin e këtij emisioni, Ilir Babaramo, kundrejt 37% që thonë jo. Për sa i përket mendimit të tyre për z.Babaramo, 61% thonë se kanë mendim pozitiv, 29% mendim negativ dhe 10% përgjigjen “Nuk e di”.