Me lot në sy kanë përqafuar familjarët sot kontigjentët e Forcave të Armatosura, mes të cilëve edhe dy femra ushtare, Natasha e Vangjelia. Forcat e Armatosura nisën në operacionin e NATO-s në Afganistan “Resolute Support Mission”, kontingjentin e parë të batalionit të dytë të këmbësorisë, i cili do të shërbejë në Herat, nën komandën e FA italiane. Kontigjenti i nisur sot është pjesë e kompanisë “Puma” të b2k të Forcës Tokësore dhe përbëhet nga 40 ushtarakë, mes të cilëve edhe 2 femra. Ky kontingjent do të shërbejë në Komandën e Trajnim – Këshillimit dhe Ndihmës në Herat të Afganistanit për një periudhë 6 – mujore, brenda fushës së përgjegjësisë italiane. Në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit shqiptar ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ambasadori i Republikës së Italisë Alberto Cutillo, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Dedë Prenga, deputeti Arben Çuko, komandantë forcash dhe familjarë të pjesëtarëve të këtij kontingjenti. “5 ditë më parë nisëm një kontingjent në #Kabul, sot nisëm një tjetër në #Herat, #Afganistan. Me nisjen e 40 trupave në operacionin e NATO-s “Resolute Support Mission” në Herat, ashtu si pata premtuar, dyfishojmë praninë në Afganistan. Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe marrin pjesë edhe 2 trimëresha, #Natasha dhe #Vangjelia. Nderoni atdheun dhe ardhshi të gjithë shëndoshë!”, ka shkruar Kodheli.