Një lajm i keq vjen nga portieri i Kombëtares shqiptare Ertrit Berisha. Në ndeshjen e fundit ai ka dëmtuar gjurin dhe do të operohet. Sipas informacioneve të publikuara nga vetë klubi i Atalantës, lojtari ka mbyllur vitin 2016 dhe do të jetë në fushën e lojës në vitin 2017 pasi do t’i nënshtrohet një operacioni. Në njoftim, siç shkruan “Opinion”, klubi saktësoi se në ndeshjen kundër Romës, Berisha ka dëmtuar meniskun e gjurit të djathtë e si pasojë, do të jetë i detyruar të operohet për të shmangur probleme të mëtejshme. Ndërhyrja kirurgjikale do të kryhet nesër nga kirurgu i njohur Pier Paolo Mariano në klinikën “Villa Steuart” në Romë ku shkojnë të gjithë futbollistët e njohur italianë kur kanë probleme të ngjashme. Parashikohet që Berisha të qëndrojë pushim të paktën një muaj, për të filluar punën në fushën e lojës vetëm në janar. Gjithsesi, atëherë do të duhet të fillojë përsëri luftën për të rifituar formën dhe një vend në formacion.