close
Breaking NewsIntervistaLajme

INTERVISTAT/ Flasin konkurrentët e “The Voice of Albania”: Besa kujdeset për ne sikur të na kishte fëmijë

Screenshot_2

Intervista 1 (Ardiani)

Ardian Gashi, konkurrenti 20-vjeçar nga Vushtri ka filluar të këndojë që në vegjëli. Ai ka krijuar një grup, me të cilët performon që nga shkolla e mesme. Ardiani e sheh “The Voice of Albania” si një mundësi për të përfituar sa më shumë nga ekperienca e trajnerëve. Në këtë intervistë për revistawho.com, Ardiani rrëfen marrëdhënien e tij me trajneren, Besën, të ardhmen e tij në muzikë dhe pikat e tij të forta. 

1.Jeni në netët finale, e prisnit këtë në çastet e para, kur trajnerja juaj shtypi pulsantin për t’ju thënë “PO”?

Nuk mund të them që kam pritur të jem pjesë e netëve live që prej audicioneve të fshehura sepse nuk kisha asnjë ide çfarë konkurrence do të kishte. Por mund të them se ka qenë qëllimi im parësor dhe dëshira më e madhe që të jem pjesë e kësaj faze.

2.E ndjeni konkurrencën me skuadrat e tjera? Po mes njëri-tjetrit?

Këtë vit në ‘Voice’ konkurrenca është shumë e madhe, Ky sezon është unik nga fakti se konkurrentët nuk kanë ngjashmëri me njëri-tjetrin. Është e vështirë t’i krahasosh prandaj si konkurrencë i shoh të gjithë pjesëmarrësit.

3.Sipas jush cili nga konkurrentët ka më shumë potencial për të qenë fitues?

Jemi 15 pjesëmarrës dhe sipas meje të gjithë jemi kandidatë potencial për ta fituar vendin e parë.

4.Ka plot raste të artistëve që megjithëse nuk janë shpallur fitues kanë vijuar një karrierë të shkëlqyer në muzikë… Ti do të vijosh më tej, apo me “The Voice” do të mbyllet ëndrra jote?

Për mua ‘Voice’ është një eksperiencë e jashtëzakonshme, një ëndërr që e kam realizuar nga puna dhe përkushtimi im ndaj muzikës. Do ta vazhdoj karrierën edhe pas këtij talent show.

5.Si është marrëdhënia me Besën, është ajo një trajnere e rreptë?

Besa është trajnerja më e mirë që mund të kem kërkuar ndonjëherë, është person shumë i dashur, është e afërt dhe e hapur për çdo lloj problemi që ne mund të kemi. Nuk është e rreptë, por mund të them se është mjaft profesionale.

6.Je penduar që e ke zgjedhur atë?

Nuk jam penduar, Besën e zgjodha spontanisht por më doli një nga vendimet më të qëlluara deri tani.

7.Sa orë në ditë ushtroheni?

Provat ndryshojnë ne varësi të këngës që kemi zgjedhur, nuk ka një mesatare për këtë. Ka këngë që na rrijnë dhe ka të tjera për të cilat duhet më shumë punë.

8.Cila është pika juaj e fortë?

Nuk mendoj që kam vetëm nje pikë të fortë, netët ‘live’ kërkojnë shumë “pika të forta” që do mundohem t’i transmetoj gjatë performancave të mia.

Intervista 2 (Anxhela)

Anxhela është një personazh i njohur për frekuentuesit e skenave live në kryeqytet. Ajo ka 9 vite që merret me muzikë, luan kitarë prej 3 vitesh dhe punon në një prej lokaleve me muzikë live si soliste dhe back vokaliste. Pjesëmarrjen në “The Voice”, 21-vjeçarja e sheh si eksperiencë pozitive dhe një mundësi për të njohur njerëz të rinj. Gjithashu Anxhela është krijuesja e një grupi të përbërë vetëm nga vajza të quajtur “Voodo”. Në këtë intervistë për revistawho.com, Anxhela rrëfen marrëdhënien e saj me Besën, cila mendon ajo se ka potencialin për të fituar dhe pikat e forta që mendon se do e çojnë drejt fitores.

1.Jeni në netët finale, e prisnit këtë në çastet e para, kur trajnerja juaj shtypi pulsantin për t’ju thënë “PO”?

Bazuar në përgatitjen time dhe duke qenë aktive si këngëtare, e kisha besimin se do të shkoja në netet “live” por asnjëherë nuk mund të jesh i sigurt. Rreth vetes shohim gjithmonë talente që të bëjnë përshtypje deri në habi, dhe asnjëherë nuk e di se sa, më të mirë se ti, ka diku aty në një qoshe duke pritur të të japin një mësim të mirë.

2.E ndjeni konkurrencën me skuadrat e tjera? Po mes njëri-tjetrit?

Që në fillim. Padashje e gjen veten duke studiuar konkurrentët e tjerë, megjithëse detyra jonë është të këndojmë sa më mirë. Nuk është se njohja e aftësive të konkurrentëve të sjell ndonjë dobi, madje ndonjëherë edhe e kundërta pasi të ul vetëbesimin kur ata janë shumë të mirë. Por edhe të pajtohesh me idenë se ka më të mirë se ti, është një pakt me veten që po e përballove siç duhet të jep një qetësi të tipit “të dali ku të dali”. Unë do jap më të mirën time.  Në fillim, të interesojnë vetëm konkurrentët e skuadrës tënde pasi edhe deri aty shtrihet gara jote, por duke ardhur në netët ‘live’, formula e garës bëhet më e gjerë e shtrihet edhe te antarët e skuadrave të tjera.

3.Sipas jush cili nga konkurrentët ka më shumë potencial për të qenë fitues?

Po ja….(mendohet) Anxhel Elmazi psh? (Qesh)

4.Ka plot raste të artistëve që megjithëse nuk janë shpallur fitues, kanë vijuar një karrierë të shkëlqyer në muzikë… Ti do të vijosh më tej, apo me “The Voice” do të mbyllet ëndrra jote?

Unë kam filluar të këndoj kohë përpara se të merrja pjesë në ‘The Voice’, dhe me shpresë e fat, do të vazhdoj të këndoj goxha më gjatë pas kësaj. Për mua e kënduara është mënyrë jetese dhe jo konkurs momental. Ëndrrat e mia shkojnë drejt kompozimeve e videoklipeve te suksesshme dhe audiencës të këngëve të mia në koncerte live. E di, rruga është shumë e gjatë, dhe shanset për t’u dorëzuar rriten me vështirësitë e me kohën, por nuk kam besuar kurrë se kjo është një rrugë e lehtë, prandaj jam e përgatitur për të qëndruar gjatë dhe dëshira e vullneti nuk më mungojnë.

 5.Si është marrëdhënia me Besën, është ajo një trajnere e rreptë?

Besa i kalon kufijtë e trajneres dhe i kalon ato në mënyrën më të bukur të mundshme. Ajo bën në të njëjtën kohë manaxheren, trajneren vokale, kuratoren e imazhit dhe filtrin e këngëve që ne zgjedhim. Besa na mëson të këndojmë, të sillemi të vishemi e të jemi pozitivë ( këtë të fundit e bën pa vetëdije, duke na transmetuar pozitivitetin e saj). Shija e saj moderne dhe kërkesa e saj e lartë në çdo gjë që duhet të bëjë një artist, na ka bërë të ndihemi që tani të realizuar muzikalisht, teknikisht dhe estetikisht. Nën tutelën e saj ndihemi të sigurt si me asnjë tjetër. S’di çfarë të them më, ajo nuk të lë të gabosh dhe transmeton energji e vendosmëri duke ditur çfarë kërkon. Tashmë e kam fituar sigurinë se ajo që Besa më kërkon, është padyshim më e mira dhe e besoj me sy mbyllur.

 6.Je penduar që e ke zgjedhur atë?

Trajnerja më e mirë për mua. Jam shumë e kënaqur që nuk kam gabuar aspak në zgjedhjen time.

7.Sa orë në ditë ushtroheni?

Kam një program të përditshëm që varion nga ngarkesa ditore, dhe nga nevojat e programit tim të punës. Duke qenë se prej dy vitesh këndoj në skenën e ‘RockStock’, që është për mua një arritje e madhe profesionale, pasi aty performojnë artistët më të mirë të momentit, kjo më mban të paktën 2-3 orë në ditë me prova për këngët e reja që duhen mësuar çdo javë. Duke i shtuar kësaj edhe këto muaj të angazhimit me ‘The Voice’, po shndërrohet nga një ngarkesë e përballueshme në një detyrim serioz që si pa e kuptuar ta merr pjesën më të mirë të ditës.

8.Cila është pika juaj e fortë?

Energjia, pasioni, vokali dhe disiplina e punës. Kjo është ajo veti që të bën të qëndrosh në skenë edhe kur je sëmurë edhe kur s’je në humor edhe kur ke fare pak kohë për të punuar materialin e ri. Sigurisht ka rëndësi të jesh këngëtar shumë i zoti, por mendoj se më shumë rëndësi ka të jesh gjithmonë në formën e duhur. Skena nuk pret shëndetin apo humorin tënd. Kur vjen momenti duhet të jesh gati. Gjithashtu kam dëgjuar se njerëzve ju pëlqen timbri im i errët i zërit, të cilën duke e bashkuar me anën shpirtërore kur këndoj, besoj se më jep një timbër dhe karakter të pëlqyeshëm muzikalisht.

Intervista 3 (Aldo)

Aldo e njeh mirë muzikën pasi ndjek shkollën e muzikës në qytetin e tij, Shkodër dhe studion për trombon. Madje ai njeh shumë mirë edhe skenën pasi ka marrë pjesë më parë në “The Voice Kids”. Këndimi për të është pasioni më i madh që nga fëmijëria. Në këtë intervistë për revistawho.com, Aldo rrëfen marrëdhënien e tij me Besën për të cilën thotë se kujdeset sikur ta kishte djalin e saj, konkurrencën dhe pikën e tij të fortë. 

1.Jeni në netët finale, e prisnit këtë në çastet e para, kur trajnerja juaj shtypi pulsantin për t’ju thënë “PO”?

Të them të drejtën e dija që kisha për të ecur shumë, por ama në çdo fazë kisha frikë. Sapo ngjitesha në skenë, ishte tjetër gjë, më largoheshin të gjitha emocionet negative.

2.E ndjeni konkurrencën me skuadrat e tjera? Po mes njëri-tjetrit?

Kam fatin të jem pjesë e një skuadre shumë të mirë, tani jemi bërë si familje. Nëse dikush largohet më shumë mërzitemi sesa na gëzon fakti që do të kalojmë në fazën tjetër. Për sa i përket skuadrave të tjera nuk kam asnjë problem, shancet janë të barabarta për këdo.

3.Sipas jush cili nga konkurrentët ka më shumë potencial për të qenë fitues?

Unë i shoh të gjithë të barabartë sepse mendoj që po të evidentoj dikë sipër meje atëherë i bie që unë kam frikë. Unë s’kam frikë asnjë nga konkurrentët.

4.Ka plot raste të artistëve që megjithëse nuk janë shpallur fitues, kanë vijuar një karrierë të shkëlqyer në muzikë… Ti do të vijosh më tej, apo me “The Voice” do të mbyllet ëndrra jote?

Kam dëgjuar në shumë ‘Voice’ që thonë se ky është vetëm fillimi, por mesa duket kanë qenë vetëm fjalë. Saqë ndonjëherë mendoj me vet: Duhet të them ky është fundi që të ndodh e kundërta’. Shpresoj të ngjitem sa më lartë por nuk premtoj gjë.

 5.Si është marrëdhënia me Besën, është ajo një trajnere e rreptë?

Siç e kam thënë shumë herë, gjëja që më ka habitur më shumë në ‘Voice’ është Besa. S’e kisha provuar ndonjëherë se cfarë do të thotë të kujdeset dikush sikur të ketë djalin e vetë. Jo vetëm me mua, por me të gjithë Besa sillet kështu. Ajo s’di gjë po më ka hequr mallin e mamit, pasi jeton në Itali. Besa kujdeset për mua se a ha bukë, a fle mirë, se çfarë duhet të vesh në skenë. Biles po jap një shembull e cila ndodhi sot para se të bënim prova. Isha tek dera duke e pritur të hyjë brenda dhe më thotë: “Hyr brenda mos më prit aty, se fryn erë dhe do ftohesh. Shko prit diku ku është ngrohtë”. Por s’mund të lë pa përmendur dhe Gent Bushpepën, pasi është një kontribut i jashtëzakonshëm si trajner dhe si shok. E them me plot krenari që jemi skuadra më me fat që në këtë edicion.

6.Je penduar që e ke zgjedhur atë?

Më ka zgjedhur mua Besa, pasi vetëm ajo u kthye. Kështu që nuk ka vend për pendesë.

7.Sa orë në ditë ushtroheni?

Për mua kënga s’ka orar, mjafton derisa të lodhet zëri, deri atëherë këndoj sepse duhet të rris rezistencën vokale. Ne në Shkodër themi ‘E mira s’ka fund’.

8.Cila është pika juaj e fortë?

Pika ime e fortë është se nuk kam asnjë pikë emocioni në skenë, madje ndodh e kundërta. Unë marr shumë zemër prej publikut. Pa dashur të tregohem narcist të tjerët më thonë se zëri im ka pika shumë të forta, por mua s’më pëlqen.

Tags : ardian gashiBesa KokedhimaThe Voice Of Albania
loading...