lefuture

I mbijetuari nga aeroplani i rrëzuar tregon në detaje çfarë ka ndodhur

avioni-784x445_1480660286-8208887

Mediat braziliane vijojnë të raportojnë detaje rreth tragjedisë ajrore në Kolumbi ku humbën jetën 71 persona mes të cilëve dhe lojtarë të skuadrës braziliane Chapecoense
Sipas të dhënave të reja, piloti i avionit ka kërkuar me anë të radios që të ulet urgjentisht pasi i kishte mbaruar karburanti. Por prioriteti për t’u ulur i është dhënë një avioni tjetër të kompanisë “VivaColombia”, i cili kishte sinjalizuar një problem teknik.

Ky informacion është dhënë për gazetarët nga disa anëtarë të ekuipazheve të avionëve të tjerë që kishin mbërritur në vendngjarje në Medelin. Ndërsa burime të tjera të cituara nga mediat kolumbiane bëjnë të ditur se piloti i avionit gjithashtu para përplasjes i kishte thënë kullës së kontrollit se kishte dhe probleme elektrike, por radio në këtë moment është fikur.

Ndërkohë në Kolumbi publikohen fjalët e sakta të pilotit me të cilat ka lajmëruar kullën e kontrollit për problemin që do të çonte në tragjedi pak sekonda më vonë: “Zonjushë, jemi në avari totale, avari elektrike totale, pa karburant”.

Në regjistrimin audio dëgjohet kontrollori i fluturimit i cili konfirmon se pista për uljen emergjente është e lirë dhe në funksion si dhe që zjarrfikësit janë lajmëruar. Por kur pyet sërish për pozicionin dhe lartësinë e avionit, piloti nuk i përgjigjet më.

Tekniku bolivian i fluturimit Eruin Tumiri, një nga të mbijetuarit e përplasjes, ka shpjeguar se arriti të dilte i padëmtuar pasi ka ndjekur në mënyrë shumë strikte udhëzimet e sigurisë. Ai tregoi për mediat se shumë pasagjerë u çuan nga sediliet e tyre dhe nisën të ulërinin. Ndërsa ai ka vendosur kokën mes këmbëve, në pozicionin e fetusit, ashtu si dhe rekomandohet.

Autoritetet kolumbiane në Medelin thonë se stjuardesa boliviane Ksimena Suarez, një tjetër e mbijetuar, ka treguar se dritat në avion u fikën një minutë para përplasjes me malin.

Përveç dy anëtarëve të ekuipazhit kanë shpëtuar dhe futbollistët e Chapecoense Alan Ruschel, Jackson Follmann portieri, të cilit iu amputua njëra këmbë si pasojë e plagëve të marra, Hélio Neto dhe gazetari Rafael Henzel, të gjithë të shtruar në spital në gjendje kritike për jetën. /tvklan.al

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password