close
Breaking NewsIntervistaLajme

Gruaja e Ballist Morinës tregon vuajtjet: Ankthi me dy fëmijë dhe tjetrin në bark në pritje të tim shoqi

WhatsApp-Image-2017-08-12-at-20.26.54

Federika Lo Toro rrëfen ferrin e përjetuar në javët e fundit, nga ndalimi i Ismail Morinës dhe frika për ekstradim në Serbi, deri te ndihma që ka marrë nga Federata Shqiptare dhe “drita” në fund të tunelitgruaja

14 tetor 2014, Stadiumi Partizan në Beograd, luhej Serbi-Shqipëri. Zgjati vetëm 42 minuta, sepse një dron që fluturoi mbi stadium duke valëvitur një flamur shqiptar, me dy fotografi të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, hartën e Shqipërisë etnike me në qendër shqiponjën e Skënderbeut dhe mbishkrimi “Autochthonous”.

Ishte diçka e patolerueshme për serbët, që vetëm atë gjë që nuk mund ta pranonin, në shtëpinë e tyre për më shumë. Sulm ndaj lojtarëve tanë, që mbronin flamurin, ndërprerje e ndeshjes dhe më pas e pamundur të luhet. Shqipëria më vonë e gjeti të drejtën e vet në KAS, duke marrë fitore në tavolinë, një dhuratë nga qielli, ose më saktë nga Ismail Morina, i cili më pas u bë i famshëm me nofkën “Ballisti”.

Ishte ai ideatori i dronit me flamurin kuqezi që valëvitej mbi Beograd dhe që prej atij momenti Morina u bë armik publik për serbët, që e kërkonin me çdo kusht. Në Shqipëri u bë hero Morina, por nëse populli nuk e harroi asnjëherë, diku aty lart, tek ata që na qeverisin, pak nga pak u distancuan, për të evituar edhe thellimin e konfliktit me Serbinë, që akuzonte se Morina kishte vepruar në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

Në fakt, Morina kishte vepruar i vetëm dhe më pas mbeti i vetëm, aq sa i duhej të mendonte vetë për mbrojtje, pasi i kishin ardhur sinjale se serbët po bënin gjithçka për t’u hakmarrë. E ndalën një ditë para Shqipëri-Serbi, më 7 tetor 2015, armëmbajtje pa leje dhe që atëherë nisi një odise absurde për Morinën: pa pasaportë deri këtë verë. Vetë Morina në Itali, pasaporta në Shqipëri dhe një proces që nuk përfundonte kurrë. Ndodhi e paevitueshmja:

Ballisti erdhi në Shqipëri në qershor, për të marrë pjesë në funeralin e të atit, por më  12 qershor, gjatë kthimit për në Itali, u ndal në Kroaci nga autoritetet kroate në kufi. Mungesa e pasaportës ishte problem madhor, por ndërkohë u zbulua edhe një urdhër arresti ndërkombëtar lëshuar nga Serbia.

Që aty, nisi makthi i për Morinën, por edhe për familjen e tij. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me bashkëshorten e Ballistit, Federika Lo Toro, që gjithë këto javë pa parketuar një makth të vërtetë, sepse ka mbajtur e vetme dy fëmijë të vegjël dhe një tjetër do të vijë në jetë së shpejti, ndërsa ka udhëtuar shpesh nga Italia për në Kroaci, për të ndihmuar bashkëshortin e vet, duke qenë me profesion avokate.

Edhe pse ka vuajtur jo pak këto kohë, Lo Toro nuk është demoralizuar dhe duke rrëfyer verën e çmendur të familjes së saj, mundohet ta marrë me humor: “Pushime kroate, që janë shumë më mirë se ato serbe. Shpresojmë që Ismaili të na kthehet në shtëpi tani”.

– Përshëndetje, zonja Lo Toro, ju falënderojmë që na dhatë mundësinë të kryejmë këtë intervistë. Natyrisht, gjithçka lidhet me bashkëshortin tuaj, Ismail Morinën, pasi arrestimi i tij në Kroaci është çështje mjaft e rëndësishme, që u intereson të gjithëve në Shqipëri, me shpresën se gjithçka do të mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme.

– Faleminderit, atë shpresojmë të gjithë. Ka qenë një periudhë e tmerrshme, por tashmë shpresojmë që situata të marrë zgjidhje dhe mbështetja nuk na ka munguar edhe nga Shqipëria dhe për këtë i falënderoj të gjithë, nga Federata Shqiptare e Futbollit e deri te autoritetet më të larta, pa harruar natyrisht mbështetjen e popullit shqiptar për Morinën.

– Pak a shumë kemi marrë informacione thuajse të përditshme në lidhje me situatën e Ballistit, por duke qenë ju në kontakt më të afërt, a mund të na tregoni si po procedohet për të arritur te lirimi i shumëpritur i tij?

– Siç e keni mësuar edhe ju, Gjykata e Lartë e Kroacisë ka kthyer për shqyrtim nga e para çështjen për ekstradimin e tij në Serbi. Gjykata e Dubrovnikut do të merret me rigjykimin, pasi ishte po ajo gjykatë që 3 javë më parë vendosi ekstradimin e Morinës.

Ismail Morina, (Ballisti)

– Përse ky hap nga autoritetet kroate, duke qenë se në Dubrovnik është shqyrtuar një herë çështja?

– Rikthimi për shqyrtim të çështjes është marrë për shkak të parregullsive në aspektin procedural. Duke qenë edhe vetë me profesion avokate, udhëtova tërë natën kur në qershor Ismaili u ndal në kufirin kroat. Mbërrita në kohën e duhur për seancën në Dubrovnik, ku Ismailit i kishin caktuar një avokat zyre, që në fakt nuk u paraqit fare, pasi nuk dinte as italisht dhe nuk kishim mundësi komunikimi. E gjithë seanca u krye vetëm në praninë e një përkthyesi, i cili nuk e kishte idenë nga procedurat dhe pirgu i dokumentacionit para tij. Kjo është një nga shkeljet e seancës ku u mor vendimi për ekstradimin e Ismailit.

– Po tani, kthimi i çështjes për rishqyrtim, është një lajm i mirë për Morinën?

– Po, natyrisht që është një lajm i mirë. Së pari, është bërë një hap pas nga shteti kroat, që tashmë e ka kuptuar rëndësinë e çështjes, edhe falë ndërhyrjes nga Shqipëria. Së dyti, gjykata në Dubrovnik këtë radhë ka mundësinë të rregullojë gabimet e saj.

Pse po ndiqet gjithë kjo procedurë e tejzgjatur?

Ndoshta Kroacia ndoshta nuk dëshiron përplasje diplomatike me Serbinë dhe tashmë ka vendosur që t’ia rikthejë për shqyrtim gjykatës në Dubrovnik çështjen, për të hequr përgjegjësinë nga Gjykata e Lartë apo qeveria. Natyrisht, është një çështje delikate edhe për Kroacinë, që nuk dëshiron të krijojë probleme me vendet fqinje, as me Shqipërinë.

– Po pse nisi e gjithë kjo histori?

– Gjithçka lidhet me mungesën e pasaportës shqiptare për Ismailin. Atij i është konfiskuar pasaporta nga policia në Shqipëri prej më shumë se një viti e gjysmë. Është realisht një situatë absurde, sepse Ismaili ka thuajse dy vite pa pasaportë dhe kjo tregon se sistemi ka një anomali të madhe, sepse pasaporta nuk përbën ndonjë provë krimi dhe as e ka ndaluar Ismailin të lëvizë për në Itali. Kur u nis në Shqipëri, ai kaloi pa probleme, duke pasur edhe një dokument nga konsullata shqiptare, por në kthim autoritetet kroate në kufi bënë verifikime të tejzgjatura për shkak të mungesës së pasaportës dhe më pas u doli në sistem edhe një urdhër arresti lëshuar nga shteti serb.

– A ishte në dijeni Morina për këtë urdhër arresti?

– Në fakt, jo. Duke qenë se ngjarja ndodhi në vitin 2014, ne u interesuam për lidhje me një urdhër arresti ndërkombëtar, por nuk ishte regjistruar askund, as në vitin 2015. Deri në 2016 nuk ka pasur asnjë kërkesë të tillë nga Serbia, ndaj menduam se ishte mbyllur me aq ajo histori, por pas ndalimit të Ismailit u informuam se Serbia ka më shumë se një vit që ka lëshuar urdhër arresti, duke akuzuar Ismailin për krim dhe fyerje të nderit serb, e të tjera akuza të ngjashme.

– Çfarë do të ndodhte nëse Morina do të kishte pasaportën shqiptare?

– Së pari, ndoshta do ta kishte kaluar kufirin pa verifikime të mëtejshme. Së dyti, nëse do të kishte pasaportë, do të ishte liruar me kusht, në pritje të gjyqit dhe vendimit final. Pa pasaportë, autoritetet kroate nuk mund ta lejonin të lëvizte lirisht, pasi mund të largohej fare lehtë nga Kroacia dhe të mos kthehej më.

– Si u ndal procedura e ekstradimit drejt Serbisë?

– Në fakt, reagimi nga Shqipëria ka qenë i fortë. Ka pasur një interesim të madh nga Federata, por edhe nga qeveria shqiptare. Kur u ndal fillimisht Ismaili u duk diçka e thjeshtë, por kur doli vendimi i Dubrovnikut e kuptuam që rrezikohej shumë. Fola me prindërit e Ismailit, u shpjegova që situata ishte shumë serioze, ndryshe nga sa u thuhej, edhe nga politikanë të ndryshëm, se ishte diçka pa rëndësi dhe do të zgjidhej shpejt. Edhe ata e kuptuan rëndësinë e asaj që po ndodhte dhe u desh një intervistë në media e vëllait të Ismailit, Xhevahirit, që çështja të merrte përmasa të mëdha dhe të aktivizoheshin të gjithë, nga mediat deri te shteti. Fillimisht, kur Ismaili u ndal në Kroaci, pati shumë pak reagim, ndoshta edhe sepse ishte kohë zgjedhjesh në Shqipëri. Telefonova më 12 qershor edhe në konsullatën shqiptare në Kroaci, por nuk mund ta komunikoj me të dhe më thanë që do të më telefononte, gjë që nuk ndodhi.  Gjeta vetë avokatin kroat, e pagova dhe nisëm punën për strategjinë mbrojtëse, ndërsa pasi foli vëllai i Ismailit, erdhi reagim i fuqishëm edhe nga Shqipëria.

-Çfarë strategjie keni ndjekur për mbrojtjen e Ismailit?

– Së bashku me avokatin, kemi kërkuar ndaljen e ekstradimit bazuar te fakti se në Serbi Ismailit i rrezikohet jeta. Edhe armëmbajtja pa leje ka pasur si zanafillë frikën e tij nga ndonjë atentat i mundshëm. Tani jemi në pritje të dy proceseve: i pari, ai në Dubrovnik, ku kërkojmë anulimin e ekstradimit, ndërsa i dyti është ai për azil politik, pasi kemi argumentuar se jeta e Ismail Morinës është në rrezik në Serbi dhe urdhër arresti në ngarkim të tij është si një dënim me vdekje.

-Pikërisht armëmbajtja pa leje i hapi telashe të mëdha në Shqipëri, si po vepron tani shteti shqiptar?

-Në fakt, është absurde që u shkua deri këtu. Ismaili nuk ishte i mbrojtur pas ndeshjes në Serbi dhe zgjodhi mënyrën e vetëmbrojtjes, gjë që nuk iu mor parasysh si tezë mbrojtëse pas ndalimit në Shqipëri, por që tani autoritetet shqiptare po e përdorin për të argumentuar pse nuk duhet të ekstradohet në Serbi. Mirë do të ishte që procesi në ngarkim të tij në Shqipëri të kishte përfunduar shumë kohë më parë, por pasaporta i është dhënë vetëm tani, pas ndalimit në Kroaci.

– Kush ka ndihmuar më shumë nga Shqipëria në ndryshimin e vendimit nga shteti kroat?

– Federata Shqiptare e Futbollit ka ndihmuar shumë, ka qenë shumë aktive në javët e fundit dhe na ka ndenjur pranë Të dërguar të saj folën me avokatin që po mbron Ismailin, takuan drejtues të Federatës së Kroacië dhe shumë njerëz të tjerë. U jemi mirënjohës, pasi duhej një lëvizje e të gjithëve, që të realizohej synimi për anulimin e ekstradimit. Edhe qeveria shqiptare ka qenë aktive, jam njoftuar që vetë kryeministri Rama ka ndërhyrë, edhe pse nuk di detaje të tjera në lidhje me bisedën e tij me autoritetet kroate.

– Kur pritet të marrë fund odiseja e Morinës dhe cilat janë mundësitë?

– Vendimi për shqyrtimin e çështjes nga e para u mor para dy ditësh, ndaj nuk e dimë ende kur do të zhvillohet seanca e re. Shpresojmë sa më shpejt, ndoshta brenda pak javësh. Skenari i parë është që të anulohet ekstradimi dhe Ismaili është i lirë të kthehet në Itali. I dyti është që në Dubrovnik të mos ketë ndryshim vendimi dhe kjo do të thotë që do të apelojmë sërish në Zagreb dhe do të ketë sërish disa muaj zvarritje. Për sa i përket Serbisë, mund të bëjë ç’të dojë, edhe gjyq në mungesë nëse dëshiron.

– Si është psikologjikisht Ismaili, si e ka përballuar gjithë këtë histori?

– Ai ka qenë në tension të jashtëzakonshëm. Edhe telefonatat me ne i kishte të kufizuara, 15 minuta në javë, asnjë më shumë, ndërsa frika e tij më e madhe ishte transferimi në Serbi. Për të, shkelja në Serbi ishte e barabartë me vdekjen.

– Po ju, si e keni përjetuar këtë situatë, duke qenë se jeni edhe shtatzënë?

– Është e vërtetë, tani jam në muajin e gjashtë dhe nuk është aspak e lehtë. Kam shkuar në Kroaci gjithnjë e shoqëruar nga dy fëmijët tanë, që janë 3 dhe 5 vjeç, pasi nuk kam kujt t’ia lë në Itali. Është një situatë mjaft e sikletshme, pasi edhe fëmijët nuk e kuptojnë realisht atë që po ndodh dhe më pyesin gjithmonë për babain e vet dhe pse nuk jemi në shtëpi. I kam çuar ta takojnë të atin dhe kanë qenë të frikësuar se do të na mbanin edhe ne brenda. Ka pasur edhe momete delikate, kam pasur probleme shëndetësore kur ishim në Zagreb dhe duhej të kthehesha me urgjencë për në Itali, por për fat nga Federata Shqiptare na qëndruan pranë dhe na kanë ndihmuar shumë, në çdo drejtim, duke siguruar edhe biletat e udhëtimit për në Itali.

– Përfundimisht, sa të mëdha janë shpresat që Morina të lirohet?

– Nuk ka mbaruar asgjë, por perspektiva është e mirë, kemi shpresa të mëdha. Më në fund po shohim dritë në fund të tunelit, edhe autoritetet kroate po e shohin ndryshe çështjen dhe me siguri që në Dubrovnik do të ketë një trajtim tjetër të Morinës, ashtu si ka ndryshuar sjellja ndaj tij që në vendin ku mbahet aktualisht. Përtej vonesës, rëndësi ka që Ismaili të kthehet në shtëpi dhe për këtë falënderojmë të gjithë ata që kanë dhënë ndihmë.

Marre nga Sport Ekspres

loading...