close
Breaking NewsLajme

Emocionet e forta portugeze, sot për herë të fundit në “TKOB”

14444938_681433055343218_7261521315426300150_o

Sot është nata e fundit e shfaqjes “4 pieces” në “Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit”. Vepra e koreografit portugez është rivënë këtë fundjavë në skenën shqiptare dhe është pritur më mirë se kurrë nga publiku artdashës. Në të trajtohen, katër pjesë (nga ku ka marrë edhe titullin): Getting Up – pjesa e parë sjell njeriun e vërtetë, të zhveshur nga rrobat e përditshme, duke treguar në këtë mënyrë thelbin e tij. Encounters – është një duet ku dy njerëz takohen, tërhiqen, keqkuptohen dhe ndahen. No commecco – do të thotë “në fillim” dhe tregon marrëdhënien në komunitet, dhe nevojën për tu kthyer pas për të gjetur përgjigje. Fado – kjo pjesë që është edhe më e gjata (40 minuta) e ka marrë emrin prej kësaj pjesëze të kulturës portugeze, ku fado është muzika që zhvillohet në rrugët e qytetit, e pashkruar dhe e trashëguar brez pas brezi.

Nën tingujt e kësaj muzike të bukur me një skenografi të veçantë dhe “të ujshme” balerinët do të përçojnë tek publiku artin e tyre, bukurinë dhe lirshmërinë e ndjesive në mënyrë të shkujdesur, atë që shqisat perceptojnë dhe zemrat ndjejnë. Koreografia e këtij baleti është bërë nga Daniel Cardoso, me asistencën e Alisa Gjonit. Vetë drejtoresha e Teatrit, Zana Çela ka ftuar publikun shqiptar të vijë në Teatër, përmes këtij postimi:

“Janë të rralla rastet kur një trupe klasike baleti, siç është ajo e Teatrit tonë, t’i kushtojë shfaqjet e saj këngëve të famshme tradicionale portugeze, të quajtura FADO.

Në skena tipike të shpirtit latin me koreografi të portugezit Daniel Cardoso, artistët tanë të mrekullueshëm, ishin sonte balerinë-aktorë të riteve dhe emocioneve të forta portugeze.

Mos e humbisni mbrëmjen e fundit me këngët portugeze FADO të kërcyera mjeshtërisht nga balerinët tanë.

Do të jetë vetëm sot nga ora 19.00-20.30 në TKOB”, – përfundon Çela.

Tags : KultureTeatri Kombetar i Operas dhe Baletit
loading...