Mbrëmjen e sotme u publikuan audiot, ku Kryetari i Gjykatës të Gjirokastrës i kërkonte favore seksuale një qytetareje për të ndihmuar që të fitonte një çështje ligjore.
Qytetarja e ngacmuar seksualisht nga Guximtar Boçi e denoncoi këtë rast në emisionin “Stop”. Momentalisht, ky rast po diskutohet në emisionin “Opinion”, ku ndër të ftuarit është Saimir Kodra dhe Eni Çobani. Këta të fundit kanë pasur një debat për këtë çështje, pasi Çobani i është drejtuar Kodrës me fjalët:
“E di këtë çështje para jush sepse denoncuesja më ka thënë që kam audiot në këtë celular. I kam thënë m’i jep, por ka thënë që do i publikoj kur të vijë koha. Dhe është e çuditshme që koha erdhi pikërisht tani. Ajo i ka përdorur këto materiale për përfitime të ndryshme”.
Ndërsa Kodra i është kthyer: “Fakti që e dini këtë çështje para meje, s’do të thotë që dini më shumë detaje.”
Gjithashtu, Kodra është shprehur se nuk ka parë ndonjëherë në jetën e tij denoncuese që të jetë prekur kaq shumë nga një ngjarje, pasi ajo rrinte gjatë gjithë kohës duke qarë.