close
Breaking NewsLajme

Dogji 4 makina pas sherrit me të dashurin, dënohet me burg e reja

desara-433×300

Emri i 23-­vjeçares Desara Mançellari u mediatizua në prill të vitit 2016, për shkak të përfshirjes së saj në një zjarrvënie të qëllimshme, me pasojë shkrumbimin e katër automjeteve në Tiranë, raporton “Panorama”. Automjetet e dëmtuara u përkisnin familjarëve të një djali, me të cilin ajo kishte pasur një raport dashuror, por që ishte prishur. Ky veprim e çoi të renë si të pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “shkatërrimit të pronës me zjarr”. Dy ditë më parë, në përfundim të gjashtë seancave, gjykata shpalli vendimin përfundimtar duke e deklaruar të fajshme 23­vjeçaren. Ajo u dënua me 3 vjet e 6 muaj heqje lirie, dënim që shkoi në 2 vjet e 4 muaj, për shkak se dosja u gjykua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. NGJARJA Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 1 prillit 2016. Në këtë orë, një zjarr i madh ka përfshirë katër automjete në rrugën “Kokonozi”, përkatësisht të markave “Audi”, “Volkswagen”, një rulotë dhe një kamionçinë, mjete në pronësi të shtetasit V.P., 56 vjeç, banues në Tiranë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, oficerët e policisë gjyqësore konstatuan mbetje të benzinës te mjetet e djegura, ç’ka ka ngriti dyshime për një zjarrvënie të qëllimshme. Ky fakt u konfirmua më pas edhe nga pamjet e një kamere sigurie pranë vendit të ngjarjes, ku shquhet një person i seksit femër me xhup, tuta dhe atlete, që ka spërkatur mjetet me lëndë djegëse dhe më pas u ka vënë flakën. Ka qenë djali i pronarit të mjeteve, Filip P., ai që ka pasur dyshime se autorja mund të ishte Desara Mançellari, me të cilën ai kishte pasur një raport dashurie, që ishte në krizë në kohën kur ndodhi ngjarja. E reja Mançellari u hetua fillimisht në masën e sigurisë “arrest në burg”, por më pas kjo masë u lehtësua në “arrest shtëpie”. Sipas Prokurorisë, gjatë deklarimeve të dhëna në fazën e hetimit, 23­ vjeçarja ka shpjeguar marrëdhënien e saj me shtetasin Filip P., me të cilin kishte pasur një raport ndjesor. “Gjithashtu, ajo shpjegon se pas ndarjes ka qenë nën presionin e shtetasit V.P. e F.P. për ta vazhduar lidhjen dhe për këtë, edhe janë takuar e kanë ndenjur në një lokal, ajo me këta të dy dhe kushërira e saj, lokal në të cilin kanë qëndruar deri në orën 7 të mëngjesit. Gjatë qëndrimit në lokal, ajo ka deklaruar se ka qenë nën presionin e tyre për t’u lidhur përsëri me Filip P. Pas kësaj, ajo ka menduar që të frikësojë familjen e Filipit, që ata t’i qëndronin asaj larg dhe për këtë arsye ka menduar të djegë makinën e F.P. Për këtë qëllim ka blerë benzinë në një pikë karburanti, lëndë të cilën e ka hedhur në një shishe dhe më pas ka shkuar pranë banesës së F.P. ku, pasi ka spërkatur me benzinë makinën tip ‘Audi’ i ka vënë asaj flakën me një shkrepëse. Pas kësaj ka shkuar në banesën e saj dhe rrobat që kishte veshur i ka vënë në lavatriçe për t’i larë, ndërsa atletet në vendin e tyre në korridorin e banesës”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

loading...