Me një deklaratë surprizë, presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se do i dedikohet plotësisht presidencës. Vetëm pak ditë më parë ai këmbëngulte se të qenit sipërmarrës ndërkohë që ndodhej në Shtëpinë e Bardhë nuk përbënte konflikt interesi dhe as nuk e pengonte në detyrën e re. Por presidenti do të heqë dorë nga të gjitha aktivitetet e tija ekonomike dhe bizneset për t’iu dedikuar me kohë të plotë presidencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për ta bërë vendin sërish të madh. Deklarata është bërë nga vetë ai me anë të një mesazhi në Twitter ku saktëson se nuk ishte i detyruar ta bënte. Presidenti i zgjedhur ndër të tjera shkruan se në 15 dhjetor do të organizojë një konferencë për shtyp në Nju Jork, ku do të jenë të pranishëm dhe fëmijët e tij. Kjo për të diskutuar se si të gjitha sipërmarrjet e tij do të kalojnë në duart e tyre, në mënyrë që Trump t’i përkushtohet totalisht qeverisjes së vendit.