“Kur isha 17 vjeç, pak ditë para provimeve të maturës, e dashura ime ngeli shtatzënë”…
Për herë të parë Mauro Coruzzi, i njohur nga të gjithë me emrin e artit Platinette, ka rrëfyer një episod nga e kaluara e tij që padyshim i ka lënë plagë. Ai ka treguar për çastin kur vendosi të heqë dorë nga një fëmijë.
“Edhe vendimet që duken të pa peshuara mirë, ato që merren në moshë të re, sjellin me vete një mal me përgjegjësi që të mbysin. Në atë periudhë në Itali nuk ekzistonte akoma një ligj që lejonte ndërprerjen e shtatzënisë. Ishim dy çifte dhe herë pas here dilnim nga ajo që mund të quhet normalitet. Unë dhe një djalë tjetër kishim dy të dashura, që nuk e dinin se midis meje dhe atij kishte një tjetër lidhje të fshehtë. Nuk ishte dëshira për të pasur lidhje paralele, por dëshira për të kuptuar se çfarë ishe. Pastaj ndodhi shtatzënia. Vendosëm të mos e mbanim fëmijën, do të na ngatërronte jetën”.
Por sot Platinette nuk e heq dot nga mendja atë fëmijë që nuk lindi kurrë, ama nuk jeton me pengje.
“Nëse do të kishte lindur, sot do të ishte 42 vjeç dhe do të kishte një baba që vishet si një e përdalë e kategorisë së pestë. Unë kam një ekzistencë të lodhshme: Jam një vijë kufitare. Jam një kafshë individualiste e paaftë për të komunikuar, nuk do të doja të isha model për askënd”./ revistawho.com