Çmimi i naftës në Shqipëri pritet të rritet përsëri


Çmimi i naftës pritet të shtrenjtohet 3 deri në 4 lekë për litër, në rast se Gjykata Kushtetuese nuk do të shfuqizojë vendimin e Qeverisë për licencimin e pikave të karburantit, raporton “Panorama”.
Unioni i Shoqërive Hidrokarbure mbrojti dje në seancë dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese padinë për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë për tarifat e licencimit të pikave të karburantit.

Sipas vendimit të miratuar nga qeveria në dhjetor të 2015-s, pagesa për licencimin e pikave të karburantit në Tiranë është 5 milionë lekë dhe 2 milionë lekë për bashkitë e tjera. Presidenti i Unionit të Shoqërive Hidrokarbure, Fatjon Veizaj, në përfundim të seancës deklaroi se në rast se lihet në fuqi vendimi për tarifat e licencimit, pikat e karburantit jo vetëm do të falimentojnë, por edhe çmimi i naftës do të shtrenjtohet 3 deri në 4 lekë/litër.

“Me argumentet që ka parashtruar pala e qeverisë, sjell një falimentim të pikave të karburantit, për shkak se zë rreth 25 për qind të fitimit bruto të këtyre pikave. Kjo është një taksë për falimentimin e subjekteve. 95 lekë për litër në atë çmim tabele që ju shikoni janë taksa që i shkojnë shtetit, kështu që relativisht kjo është një 20 për qind e kostos së karburantit. I bie, nëse aplikojmë, që të ketë një rritje mesatare 3-4 lekë për litër”, u shpreh Veizaj.

DEBATI

Në seancë, përfaqësuesja e Avokaturës së Shtetit, Lorena Kasapi, u shpreh se tarifat e licencimit ndihmojnë në hapjen e bizneseve sipas standardeve.

“Një numër i konsiderueshëm stacionesh nuk përmbushin kushtet teknike të sigurisë, për shkak të mungesës së kapacitetit financiar që të investojnë në blerjen e pajisjeve”, tha Kasapi. Por, avokati i Unionit të Shoqërive Hidrokarbure u shpreh se tarifat e licencimit sjellin falimentimin e biznesit.

“Kjo tarifë bëhet për të falimentuar këto subjekte, për t’i mbyllur ato dhe pamundësia e këtyre organeve shtetërore, për të kontrolluar këto subjekte apo pika karburanti nuk mund të bëhet shkak, ose për të legjitimuar faktin e ndryshimit ose shumëfishimit të tarifave, pra nuk sillet asnjë argument që kjo tarifë po 50-fishohet”, u shpreh ai. Por, për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, këto argumente cenojnë lirinë e tregut.

“Asnjëri nuk flet me relacion, asnjëri nuk flet me studim. Vjen puna këtu dhe argumentet që thoni janë të papranueshme. Si mund të thoni që kjo tarifë vendoset për të frenuar hapjen e bizneseve? Ne ku të gjejmë biznese të hapura, ku qëndron liria ekonomike dhe e konkurrencës në treg. Kjo mënyrë është e gabuar, nëse Këshilli i Ministrave mendon kështu”, u shpreh Kristo.

Pasi dëgjoi të dyja palët, kryetari i Gjykatës Kushtetuese u shpreh se vendimi do të merret pas 1 muaji.

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password