Flet këngëtarja e njohur: Takimi i fundit me Ergin, dy ditë para aksidentit, ja çfarë më mbeti peng

dini-dhe-halili_1479883287-2920127

Ergi Dini, këngëtari 22-vjeçar, është përcjellë ditën e djeshme për në banesën e fundit në qytetin e tij të lindjes, Shkodër.
Djaloshi që u bë i famshëm nga “X Factor 3”, humbi jetën të hënën në mbrëmje, në një aksident së bashku me mikun e tij, Kejdi Halili. Një sërë personazhesh të njohur të skenës e televizionit, kanë qenë të pranishëm në varrimin e këngëtarit Ergi Dini në Shkodër. Sipas raportimeve të mediave, mbi 200 njerëz u mblodhën në apartamentin e familjes Dini në Shkodër, për të përcjellë Ergin për në banesën e fundit.

Vera Grabocka, Alketa Vejsiu, Rozana Radi, Juliana Pasha, Kejsi Tola, Samanta Karavella, Beatrix Ramosaj, Alban Ramosaj, Arnita Beqiraj, Olta Boka, Erik Lloshi etj., u panë t’i qëndrojnë pranë motrës së tij Barbana dhe pjesës tjetër të familjes në këtë ditë pikëllimi. Miqtë e afërt të Ergit kanë qenë të parët që kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e djaloshit të talentuar. Nga rrjetet sociale ata kanë ngushëlluar familjen, duke risjellë edhe njëherë Ergin ashtu siç ata e njihnin. Një nga mikeshat më të afërta të tij, por edhe të së motrës, Barbanës, është edhe Anjeza Branka. Në një prononcim për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Anjeza mes dhimbjes ka risjellë edhe njëherë takimin e fundit me Ergin. “Takimi i fundit ka qenë në aeroport, dy ditë para aksidentit. Aty dhe jemi ndarë. Unë kam shkuar për në Dyseldorf, ai dhe e motra Barbana po ktheheshin për në Tiranë, dolëm dhe pimë një cigare jashtë aeroportit. Dhe pengu im është që kur u ndamë i thashë ‘hajde se shifemi’, as nuk i putha… Nuk di se çfarë të them! Ende nuk më besohet! Ergin e kisha si vëllain tim të vogël”, – ka mundur të shprehet një nga mikeshat më të afërta të Ergit dhe Barbanës.

Blerina Matraku

Edhe këngëtarja Blerina Matraku është ndër artistet që ka qenë më së shumti pranë Ergit. E madhe është dhimbja edhe për të, megjithatë ajo ia ka dalë që të risjellë për lexuesin edhe njëherë Ergin, që ajo e përshkruan si një qenie të rrallë dhe me energji pozitive. “Shoqëria jonë ka qenë e pastër. Shpesh diskutonim lojërat që bënim të vegjël, e gjenim veten në biseda. Ergin e kisha pikë të dobët artistikisht. Përveçse talent që e dinë të gjithë, ishte novator dhe ishte shumë përpara, bënte këngë që i përkasin të ardhmes, me pak fjalë. Ishin një familje e mrekullueshme, intelektuale. Nuk më besohet ende, ndoshta Zoti e donte për vete se ishte engjëll. Dhimbja është e rëndë, nuk shërohet. Jam shumë në merak për Barbanën, ishin shumë të lidhur familjarisht, është dhimbje fatale. Nuk e di a do ta shoh më Barbanën të buzëqeshë sërish, – është shprehur këngëtarja, e cila ka pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë si me Barbanën ashtu edhe me Ergin.

Dafi

Mik i ngushtë, bashkëpunëtor, një mbështetës i madh i muzikës së Ergit ishte edhe Dafi. Për të humbja është edhe më e madhe, pasi të dy ndanin bashkë më shumë sesa muzikën. Në prononcimin e tij ai sjell edhe njëherë takimin e fundit në një nga baret e kryeqytetit, ku këngëtari i rrëfeu planet që kishte për të ardhmen. “Ergin e takova para disa ditësh rastësisht në një bar në Tiranë. Në fakt unë nuk e pashë, por ai më pa dhe më ftoi për kafe, natyrisht dhe unë u ula. Gjithnjë bënim biseda rreth projekteve tona dhe atë ditë biseduam rreth projekteve, ai të vetat dhe unë të miat. Ai më tregoi se kishte disa këngë që po i punonte edhe për këngëtarët e tjerë, pra donte të bëhej edhe kompozitor, dhe normal këngët e veta”, – është shprehur një nga miqtë e Ergit.

Gerta Mahmutaj

Njohja me Ergin i ka lënë mjaft mbresa edhe Gertës. Këngëtarja e ka vlerësuar mikun e saj duke rrëfyer edhe eksperiencën e shkëmbyer vitin e shkuar te “Kënga Magjike”. Gerta do ta kujtojë Ergin si një artist të talentuar me një shpirt të pasur. “Ergin e njoha te ‘Kënga Magjike’, ndërsa të motrën, Barbanën e kam njohur shumë mirë dhe shpesh e kam dëgjuar të flasë plot dashuri për të vëllanë. Ergi ishte një djalë i talentuar që premtonte shumë për skenën muzikore në Shqipëri. Për mua ky ishte një lajm tronditës dhe jam e pikëlluar për humbjen e madhe”, – është shprehur Gerta.

Login

Welcome! Login in to your account

Remember me Lost your password?

Lost Password