Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Eneda Tarifa ka zgjedhur të protestojë me anë të një statusi kushtuar gruas dhe fuqisë së saj. “Protestoj sot për krijesën më sublime që njoh: Gruan, nënën, gjyshen shqiptare…”, -shkruan Eneda. Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të saj:
“Protestoj sot; për të gjitha gratë që punojnë pa ngritur kokën kurrë, jashtë orarit, të përulura e të bindura, se të ardhurat vijnë nga duart e tyre….
Protestoj sot; për të gjitha ato gra, që nuk u veshën e nuk u mbajten dot kurrë ashtu siç deshën, sipas modës, nuk shijuan dot kurrë vanitetet e kohës, nuk u ndjenë njëherë “mbretëresha”……
Protestoj sot; për të gjitha ato gra-nëna, që japin jetën për femijët e tyre, që nuk pyesin a është ditë a natë, për të qetësuar dhimbjet e tyre në shtrat….
Protestoj sot; për të gjitha ato gra, që janë plot në shpirt, në zemër dhe mendje, por që nuk kanë liri fjale, se jetojnë në një shoqëri mbushur me paragjykim, fyerje e sharje.
Protestoj sot; për të gjitha gratë që i japin dashuri pafund e pa kushte njeriut që kanë në krah, e që në shkëmbim marrin veç përbuzje, përçmim, nënvlerësim. Që nuk morrën kurrë nje lule e jo buqetë, që nuk morën kurrë një buzëqeshje e jo një poezi, që nuk morën kurrë një falenderim e jo më mirenjohje, që nuk morën kurrë atë që merituan, (as ndonje fletë lavderimi për besnikëri).
Protestoj sot; për çdo gisht që ngrihet (me të padrejte) ndaj saj, në formë dhune.
Protestoj sot; për të gjitha ato gra që “nuk panë botë me sy” që te mësonin si protestohet.
Protestoj sot; për krijesën më sublime që njoh: Gruan, nënen, gjyshen shqiptare…”